Cenaj: Ulqini dhe guri i varrit

July 26, 2014   | Kulturë / Kultura

Xhamia në Meteriz - Sot-Kisha-ortodokese-e-Shen-Nikolles-UlqinShkruan: Ali Cenaj

Gjersa flet me aq pasion para kamerave e gazetarëve të shumtë kosovarë për Ulqinin, Olciniumin e moçëm, ndër vendbanimet e hershme të trevave ilire, aty rrëzë portës së Kalasë, ciceroni Ismet Karamanaga, kryetar i “Miqve të Kalasë”, si të kishte vënë dorë mu mbi historinë, prek gurët ciklopikë, bedenin ilir, themelet, mbi të cilat tash e 2500 vjet ky qytet u ngrit për t’iu bërë ballë çuditërisht të gjitha furtunave, sundimtarëve që vinin e shkonin.

Dhe me pedanterinë e lakmueshme radhit data dhe emra perandorish që nga ajo Ilire, Romake, Venedikase, Nemanjiqëve, Balshajve, Otomanëve deri te këto të fundit.

Por, thotë ai, me atë krenarinë karakteristike të kalalive, Ulqini sërish mbeti ai që ishte dhe i kthehet temës, turizmit të Ulqinit, për promovimin e së cilin gazetarët kosovarë po qëndronin ato ditë.

Fati i këtij vendi është në duart e kosovarëve. Përmes turizmit ata po kontribuojnë në mbijetesën tonë në këtë qytet. Kosovarët janë shpëtimi i Ulqinit sepse shumica absolute e turistëve janë nga Kosova, thotë Ismeti.

Kisha-Ortodokese-e-Shen-Nikolles-Ulqin

Sado interesante kjo që thoshte, dikujt i bien në sy kisha ortodokse dhe varrezat malaziase aty rrëzë kalasë, të mirëmbajtura e të rregulluara mirë me gurët që të imponojnë lashtësi. Si të kishin mbirë aty bashkë me kalanë. Dhe dikujt, si për sherr, mu kjo i intereson.

Jo, thotë ai, nuk janë aq të moçme dhe i kthehet historisë, traktatit të Shën Stefanit dhe rishikimeve të Kongresit të Berlinit, kur, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane jo vetëm Ulqini, iu dorëzua Malit të Zi dhe aty, në vend të xhamisë së dikurshme u ndërtua kisha e së shpejti rrëzë Kalasë mbinë edhe varrezat malazeze.

“Jo jo, mos përtoni. Shkoni e shiheni vetë. S’mund ta gjesh aty një gur varri të ndonjë malaziasi që vendlindjen e ka në Ulqin”, ndërhyn një vendas, kalimtar rasti, tek kishte përcjellë bisedën. Shiheni vetë, asnjë nuk është ulqinak,”- thotë ai me një të nënqeshur dhe vazhdon rrugën shkallëve përpjetë Kalasë.

Rrëfimi i Ismetit vazhdon me të bërat e të pabërat e tjera, histori të veçanta me primesa gojëdhënash ulqinake, tek flet për Miguel de Servantesin, robin që kishte rënë pre në duart e piratëve ulqinakë shkrimtarin e madh, por që për pak s’u bë dhëndër i këtij qyteti të cilit, ditë më parë, trupa teatrore e qytetit i vuri në skenë dramën “Servantes dhe Dulçinea”. Flet edhe për Sabataj Cevin, dijetarin më të madh hebre të kohës së vet , “mesinë” e ri që aty pranë Kullës së Balshajve kaloi dhjetë vjetët e fundit të jetës etj.

Xhamia e shendruar ne kishe ortodokse-ulqin

Flet edhe për Sheshin e Robërve, pak hapa më tej, dhe tregon gurin mbi të cilin. Dikur moti, secili rob, si çdo mall tjetër ekspozohej para blerësve potencialë në ankand. Gurin, mbi të cilin shumë nga gazetarët, në rolin e robërve të dikurshëm, nuk lënë pa bërë nga një foto. Aty janë edhe eksponatet arkeologjike, në atë muzeun e vogël, por kjo pak kujt i intereson.
Vapa tashmë kishte bërë të veten dhe gati të gjithë mendjen e kishin te plazhi që priste atje poshtë Kalasë. Dhe atje poshtë ka çka të shihet.

Vapa e verës, sidomos në bregdet, zbulon shumëçka të bukur, më thotë shpesh Asllani, shoku im që meriton medalje, nëse jo për librat që ka shkruar së paku për injorimin e injorancës provinciale.

Sidomos te femrat që sikur mezi kanë pritur të zbulojnë gati çdo gjë që mund të mbulohet. Dhe për sytë e çdo mashkulli, thotë ai shpesh, është si festë kur sheh një femër të bukur, me trup të mirë, vithe të hedhura. E atje poshtë, te plazhi, vërtet ka çka të shihet. E për historitë, lashtësinë e madhështinë e Ulqinit, rrëfyer me aq pasion nga ciceroni Karamanaga, ka kohë. Së paku derisa të kthehen në redaksitë e veta.

Kalaja dhe xhamia-e-transformjuar-ne-kishe

“Shkoni e shiheni vetë. S’mund ta gjesh aty një gur varri të ndonjë malaziasi, që vendlindjen e ka në Ulqin”, ndërhyn një vendas, kalimtar rasti, dhe vazhdon rrugën shkallëve përpjetë Kalasë.

 Zëri