Procedurat në kufi krijojnë radhë të gjata

July 31, 2014   | Rajoni / Region

Procedurat-Kufi-Sukubin-MuriqanDitët e para pas festës së Fiter-Bajramit, kanë regjistruar numër rekord të shtetasve nga Kosova që u janë drejtuar plazheve të Shqipërisë dhe të Ulqinit, shkruan sot Koha Ditore. Vetëm gjatë dy orëve të para të mëngjesit të ditës së mërkurë kanë hyrë në Shqipëri 7 mijë persona dhe mbi 3 mijë mjete.

Ndërkohë që dita e parë pas festës së Fiter Bajramit, shumë pushues i ka gjetur në breg të detit. Durrësi mbetet destinacioni i preferuar për pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia, por edhe bregdeti i Jugut të Shqipërisë dhe ai i Shëngjinit e i Velipojës.

Ata shprehen të kënaqur me kushtet e gjetura në plazh, por dhe çmimet që sipas tyre nuk kanë pësuar rritje.
Përgjatë zonës së plazhit në Durrës, dhomat me qira në shtëpitë private që prenotohen nga pushues nga Maqedonia dhe nga Kosova janë 10 euro nata, ndërsa hotelet buzë detit aplikojnë çmime që shkojnë nga 15 deri 40 euro për një natë. Por, problem vazhdon të mbeten radhë të gjata në pikëkalimin kufitar Vermicë-Morin, kryesori që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Qytetarë nga Kosova ankohen deri në maltretim nga policia kufitare e Shqipërisë për sa i përket pritjes në radhë, ndërkohë që ka disa prej tyre që thonë se vijnë në Shqipëri vetëm se nuk mund të udhëtojnë pa viza në vende të tjera. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore).

KOHA.net