Festivali i Librit dhe i Artit “Kalimera Poetike” Ulqin 2014 – Video

August 3, 2014   | Kulturë / Kultura

kalimera-poetike-ulqinT 1: “Kalimera Poetike”, festë e artit të fjalës

Ali Salaj

“Kalimera Poetike” shënon sivjet edicionin e 22-të me radhë duke bashkuar krijuesit më të mirë letrarë nga rajoni. Ky është një festival i veçantë i artit, i cili që në zanafillë shfaqi synimin për të ndërtuar një festë të artit artizanal të fjalës.
Përgjatë gjithë këtyre viteve u shfaqën vlerësime dhe interpretime nga autorë të njohur si: Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Enver Gjerqeku, Mehmet Kraja, Visar Zhiti, Basri Çapriqi, Zuvdija Hoxhiq, Andrej Nikolaidis, Slavko Pregl etj. Ishin këta personalitete mbi të cilët u ndërtua historia e këtij manifestimi duke u shndërruar në një bibliotekë me thesare të mëdha letrare, disa nga autorët që “Kalimerës Poetike” i dhanë dashuri, seriozitet dhe përgjegjësi duke e kthyer atë në një ngjarje vërtet artistike dhe kulmore.
Realiteti ynë kulturor është ende i vështirë dhe i ashpër si pasojë e përçmimit që i bëhet kulturës nga ana e institucioneve përkatëse, por me kalimin e kohës besoj se autorët dhe librat e tyre do të jenë shtylla kryesore mbi të cilën do të ndërtohet e ardhmja e këtij qyteti dhe identiteti i vërtetë i tij.
Kësaj Kalaje të lashtë dhe këtij sheshi madhështor nuk u kanë munguar asnjëherë fjala me ngjyresa të bukura e me finesa arkaike. Në këtë amfiteatër janë zhvilluar drama të ndryshme, të gërshetuara me tragjedinë dhe komedinë për të cilat në mënyrë të heshtur dëshmon çdo gur i Kalasë. Prandaj qëllimisht zgjodhëm këtë ambient të lashtë dhe të bukur ku fjalës i jepet shumëkuptimësia dhe ku poetja e këtij edicioni Luljeta Lleshanaku, e cila mbijetoi në një kohë “Pa kohë”, do ta çlirojë intimitetin poetik para këtij publiku artdashës, apo ku autori i “Teutës”, Mirash Martinoviq, do ta ringjallë mbretëreshën ilire, e cila në kohërat më të vështira i mbrojti këto bedena, apo shkrimtari Beqë Cufaj, i cili në mënyrë të veçantë gërshetoi kulturën e kullave ballkanike me kështjellat perëndimore.
Besoj që këta tre shkrimtarë të mirënjohur me krijimtarinë e tyre do ta ringjallin këtë Kala të lashtë dhe do ta himnizojnë “Kalimerën Poetike” duke i dhënë këtij manifestimi vlerat më të larta artistike.

YouTube Preview Image