Cenaj: Në ballafaqim me policinë, jeni “Ma zi se shkijet”!

August 14, 2014   | Shtypi / Mediji

Ali-CenajAli Cenaj

Asgjë më mirë se ajo shprehja “si shkijet” dhe ato tregimet e rrëfyera me aq pasion, deri në detaje, për bëmat tona në ballafaqim me policinë, “armikun” e përjetshëm, zakonisht në ndonjë rast banal për ndonjë tiketë në trafik, nuk zbulon aq vrazhdë frustrimet e trashëguara nga do kohë të shkuara dhe kompleksin tonë të ndrydhur në raport me uniformën e shtetit si dy të këqijat e mëdha. Në raport me milicët e deridjeshëm që fizikisht shkuan, por që ende na ndjek si lugat ndjenja që ikën e nuk arritëm t’u hakmerremi.

Andaj hakmarrja ndaj milicëve serbë vazhdon tash në rrethana krejtësisht të ndryshuara ndaj policëve tanë, që uniformën mund ta kenë të ngjashme me milicët e dikurshëm, por t’i identifikosh me ta është diçka që logjika normale s’e pranon, madje as logjika e atyre që në mllef dinë të përdorin shpesh, vend e pa vend, atë shprehjen “ma zi se shkijet”.

Me gjithë mangësitë, faktin se uniforma, arma dhe autoriteti që nënkuptojnë të jenë zbatues të ligjit, duke i bërë të ndjehen si zot dhe t’i lënë vetes komoditetin të sillen dosido, me gjithë “patriotizmin” krahinor, kur ndonjëherë i mbyllin sytë për targat nga “nahija” e vet, për shembull 03, 05 etj.

E kur shohin targa të “huaja” të tjerët mezi presin t’i dënojnë edhe kur kanë bazë të mos i ndëshkojnë, nganjëherë edhe vrazhdësinë e joprofesionalizmin e dëshirueshëm në komunikim, të gjithë policët nuk mund të futen në një thes.

Sulmet mbi policët nga dofarë azganësh që si shpesh e si lehtë po çojnë dorë mbi uniformat blu m’u për këtë flet. Madje për asnjë gjë, kryesisht për një tiketë, kris belaja. Policët sulmohen dhe, jo rrallë, si dy ditë më parë, përfundojnë me ndonjë fashë.

Sulmuesit zakonisht kalojnë ndonjë ditë prapa grilave por, falë “shtetit demokratik” së shpejti i sheh sërish kafeneve tek vazhdojnë rrëfimet e lodhshme me hiperbolizime deri në fantastikë, për atë se si e çka i pati bërë policit në filan rast. Se, demek, me mendjen e “homo sapiensit” parapolitik që lirinë s’e sheh ndryshe, përveç si “sallamadi”, tash jemi në liri, shteti është i yni, policia e jona, pse duhet të na dënojnë.

Ajo pjesa tjetër e pazëshme, me ndjenjën e pakicës si ndruajtur gjithnjë e më shpesh i lutet Zotit që policët megjithatë janë ashtu si janë, se po të mos ishin, medet për ne. Se, thonë ata tek shohin azganët që u sjellin policëve, “shqiptari veç prej policit serb tutet, veç me e ndie serbisht e ulë bishtin..” që megjithatë nuk është se mund të çohet pa gjë.

Si për të dëshmuar këtë, një mik imi, ditë më parë, me rrëfen një nga përjetimet, këto ditë të nxehta në Ulqin.

Vërtet, unë e pata fajin. I dola përpara dhe për pak nuk e godita një veturë me targa të Kosovës. Sa s’më hëngri gjallë. Lëre burinë që të shponte veshët, por burri i botës s’më la gjë pa thënë. Shante, me nënë e me babë.

-Ku je nis? A i ke sytë në ballë. Hajvan, Budallë… radhiste sharjet e fyerjet, thotë miku.

-Se ç’mu tek, as vetë s’e di, por gati pavetëdijshëm ia ktheva serbisht. Dhe unë, me zë të lartë: Shta ti je bre, sta se deresh (çka ke more, çka bërtet….). Veç ta kishe parë. E mbylli gojën. Si të ishte tjetër njeri.

-Ne, ne, ja sam milslio… (jo, jo , unë mendova…) belbëzoi diçka ndër dhëmbë dhe iku, ia grahi makinës, thotë miku me të qeshur.

Ndjenja e njeriut për të thyer të gjitha kufizimet, pra edhe normat ligjore në komunikacion është e natyrshme e legjitime po aq sa është legjitime ndjenja e policit që është aty mu për të zbatuar ato norma kufizuese si e keqja e domosdoshme për një shoqëri funksionale. Lufta mes shkelësve dhe zbatuesve të ligjit është dhe ka qenë e përjetshme.

Shprehjet si ajo “Ma zi se shkijet” vetëm pasqyron këtë antagonizëm me policinë si “armikun” e përjetshëm dhe frustrimet tona të trashëguara nga kohët, jo moti të shkuara.

Zëri