Panairi “Ulqini 2014”, një ditë me krijimtarinë e Ali Podrimjes

August 24, 2014   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti
Panairi-librit-Ulqin-2014Panairi tradicional i librit “Ulqini 2014” ka nisur ditët në Ulqin, për të vazhduar deri më 24 gusht. Panairi i sivjetshëm realizon rikthimin në traditën e organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit e shumtë që e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike, duke shënuar numrin 50 botues në panair. Nën kujdesin e kryetarit të komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, vazhdimi i traditës së festës së librit ka tërhequr vëmendjen e mjaft lexuesve dhe mjaft pushuesve që ndodhen në qytet.
Gjeka në fjalën e hapjes u shpreh se Ulqini këto ditë kremton festën e librit, duke shtuar se kjo është mënyra që Ulqini të bëhet destinacion i artit dhe kulturës. Të pranishmit i përshëndeti dhe parlamentarja Valentina Leskaj, ndihmësi i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Gani Elshani, dhe drejtoresha e Organizatës Turistike të Ulqinit, Zana Sarvan. Nata e parë, në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit “Ulqini 2014” e organizuar në formën e një spektakli dhe me përshëndetje të rastit, ishin të ftuar të veçantë deputetë e përfaqësues të Kuvendeve të të dy vendeve fqinje. Ndërkohë, dita e dytë e panairit, i është kushtuar poetit të ndjerë dhe Akademikut nga Kosova, Ali Podrimja me veprën e plotë të tij. Për jetën dhe krijimtarinë e tij kanë folur akademiku Ali Aliu, kritiku letrar dr. Basri Çapriqi dhe drejtoresha e Institutit të librit në Tiranë Irena Toçi.
Vargjet e veta për Podrimjen i lexoi poetja Rita Saliu, ndërsa aktori i Teatrit kombëtar të Malit të Zi, Slobodan Marunoviq, recitoi vargjet nga poema “Ali Binak” të Radovan Zogoviqit, të cilat Podrimja i shkruajti në shqip. Veprimtaria e cila ka ftuar dhe ka pasur të pranishëm mjaft poetë e shkrimtarë, personalitete të kulturës dhe artit, si dhe përfaqësues nga jeta politike e shoqërore si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova e Mali i Zi dhe ka prezantuar mbi 50 autorë nga këto vende, ka ekspozuar në shitje mbi 4 mijë tituj librash, prej të cilëve rreth 400 prej tyre janë libra të rinj. Lexuesve dhe pushuesve të ndodhur në panair, u janë paraqitur libra të gjinive e llojeve të ndryshme si, libra artistikë nga autorë shqiptarë e të huaj, tema nga historia e kultura, libra për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, katalogë e albume të ndryshme, etj.
Gazeta SOT