Rritje turistësh nga Ukraina në Mal të Zi

August 24, 2014   | Rajoni / Region

plaza-sveti-stefanMali i Zi po sheh një rezultat të papritur nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë prej Rusisë: përqindja e turistëve ukrainas që vizitojnë vendet panoramike të Malit të Zi që nga marsi është rritur, ndërsa njerëzit në pushime kërkojnë për një alternativë ndaj Krimesë.

Rreth 100.000 turistë vizituan Malin e Zi gjatë pesë muajve të fundi, që është 5 përqind më shumë se vitin e kaluar, por surpriza më e madhe në shifra lidhet me turistët ukrainas. Sipas agjencisë shtetërore për statistikat, numri i turistëve ukrainas u rrit me 124 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

Bohdana Orinenko, 37 vjeç, një mësuese e arteve të bukura në Kiev, po kalon verën në qytetin bregdetar të Budvës.

“Ime bijë dhe im shoq janë këtu me mua, por e tërë familja ime është në Ukrainë, në pjesë të ndryshme të vendit. Kam frikë për jetën e tyre. Dëgjojmë lajmet çdo ditë. Kjo nuk është gjë e mirë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë disa hapa serioze me qëllim që të ndalë dhunën në vendin tonë,” i tha Orinenko SETimes.

Nga pikëpamja zyrtare, numri i turistëve nga Ukraina është rritur për shkak të krizës. Refuzimi i shumë vetëve për të mos shkuar në Krime është një demonstrim i patriotizmit nga populli ukrainas, thonë zyrtarët.

“Pushtimi rus i Krimesë e ktheu këtë rajon fantastik në një zonë fatkeqësie, pa ujë, ushqim, me shumë armë, ushtarë dhe kozakë rusë që sillen si banditë. Në këtë situatë ukrainasit nuk duan të shkojnë në Krime. Ata druhen nga provokimet e ndryshme dhe shtypja ndaj tyre, sepse flasin gjuhën ukrainase,” i tha SETimesVolodimir Tsibulnik, i ngarkuari me punë i ambasadës ukrainase në Malin e Zi.

Ai vuri në dukje se Ukraina e vlerëson Malin e Zi për qëndrimin e vet në mbështetjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke shtuar se Kievi zyrtar llogarit mbështetje të mëtejshme nga Mali i Zi.

“Në qoftë se ju pyesni lidhur me asistencën specifike, duke marrë parasysh kapacitetet ekzistuese të Malit të Zi, unë do të përmendja mbrojtjen e pajisjeve, pjesët mjekësore, tendat etj. Por gjëja më e rëndësishme që ne na duhet tani është mbështetja miqësore nga Mali i Zi dhe populli i tij,” shtoi Tsibulnik.

Të dhënat e qeverisë nga ky vit treguan se Mali i Zi u vizitua nga 1,5 milion turistë në 2013 dhe të ardhurat nga turizmi ishin 721 milion euro.

Rreth 65.000 ukrainas vizitojnë vendin zakonisht çdo vit, po kjo nuk merr parasysh rritjen e këtij viti. Vetëm Serbia dhe Rusia dërgojnë më shumë turistë në Malin e Zi çdo vit.

Autoritetet malazeze po bëjnë çdo përpjekje për të mirëpritur ukrainasit që zakonisht shkojnë me pushime në Krime, tha në qershor konsulli i nderit i Malit të Zi në Ukrainë, Dovgij Stanislav Oleksijoviç.

Nga Drazhen Remikoviç

SETimes.com