Dritero Agollit i jepet çmimi “Teuta”

August 27, 2014   | Kulturë / Kultura

Shkrimtari Dritero Agolli, gjate festes se 79 vjetorit te lindjes se tij.Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, me 27 dhe 28 gusht, në Rugovë të Kosovës dhe në Kotorr të Malit të Zi, do të organizojë manifestimin letrar “Muzat e Alpeve 2014″.

Gjatë këtyre ditëve, sipas burimeve nga kjo shoqatë, do të organizohet një tryezë e rrumbullaket me temën: “Bashkëpunimi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi dhe integrimet evropiane në fushën e letërsisë”, si dhe do të promovohet libri i autorit të mirënjohur boshnjak Safet Hadroviq “Zrtve” (Viktimat).

Ky aktivitet i cili do të shoqëruat me një mbrëmje poetike, do të vijojë në Kotorr të Malit te Zi, me promovimin e librit të Ibrahim Kadriut “Populli është fajtor” –“Narod je kriv”, i përkthyer në gjuhën malazeze.

Në Risan, qyteti i lashtë i mbretëreshës ilire Teuta, shoqata do të ndajë çmimin “Teuta”, kushtuar veprës jetësore të shkrimtarit te mirënjohur shqiptar Dritëro Agolli, me motivacion , “Njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj i cili u bë sinonim i vlerave të qëndrueshme të fushave krijuese dhe emblemë e kohës dhe si personaliteti i sotëm më popullor në kumtin e letrave shqipe”.

Agolli do ta marrë këtë çmim nga shkrimtari i mirënjohur malazez, akademiku Jevrem Bërkoviq, fitues i çmimit “Teuta” vitin e kaluar.

Mbajtja e manifestimit “Muzat e Alpeve 2014″, mundësohet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës, Ministria për Integrime Evropiane e Kosovës, Komuna e Pejës si dhe nga Komuna e Kotorrit, përcjell ATSh.

Në vitin 2015, “Muzat e Alpeve” do të organizohet në Shqipëri, ku pritet që Çmimi “Teuta”, për veprën jetësore , ta marrë një shkrimtar nga Republika e Kosovës.

Koha Net