Salaj: Vështrim për një libër që merret me kinematografinë

August 30, 2014   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Edukim i recipientit përmes shoshës së kritikut

(Ali Salaj, Në mbretërinë e imazheve, Art Club, Ulqin 1996)

Ali-Salaj-imazhet

 

Ali Salaj është ndër pionerët e kritikës shqiptare të filmit në Kosovë. Ai, megjithëse ka mbaruar studimet për Letërsi dhe gjuhë shqipe, shkruan si dikush që ka njohuri profesionale të mjaftueshme për estetikën dhe historinë e filmit. Kur shkruan ka para sysh një recipient jo shumë të informuar për teorinë dhe historinë e filmit, prandaj në vështrimet e veta ai gjithmonë ndërfut të dhëna interesante që e edukojnë konsumuesin dhe i zgjerojnë njohjet e tij për këtë art. Spikasin guximi dhe maturia e tij gjatë dhënies së gjykimit, por tipar i tij është edhe që, pa marrë para sysh entuziazmin për ndonjë film të realizuar mirë, nuk e hesht ndonjë “gabim naiv”, natyrisht, duke pasur kujdes etikën e fjalës dhe intonacionin që duhet të ketë qortimi (i argumentuar) brenda tekstit.

 

Anton Gojçaj

 

Ali Salaj që nga fillimi i vitit 2002 e ushtron detyrën e redaktorit përgjegjës të gazetës “Koha javore”, e cila botohet në Podgoricë, në gjuhën shqipe. Mirëpo, karrierën e vet në gazetari ai e ka filluar që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar në fushën e kulturës, më saktësisht – si kritik i filmit, së pari në Radion e pastaj edhe në Televizionin e Prishtinës. Ky fakt e sqaron përse në librin e tij të parë (dhe deri tani të vetëm) trajtohen çështje që lidhen me botën e filmit. “Në mbretërinë e imazheve” (Ulqin 1995) është një përmbledhje e shkrimeve që më parë janë botuar në periodikun e kohës. Ato shtjellojnë tematika që kanë të bëjnë me filmin artistik dhe atë dokumentar. Autori në fillim bën një retrospektivë të shkurtër të filmit në Kosovë, duke konstatuar shfaqjen e tij të vonuar dhe zhvillimin e ngadalshëm, por në rrethana objektivisht të vështira, qoftë për shkaqe financiare-materiale (sepse filmi është një art “i shtrenjtë”), qoftë për rrethanat politiko-shoqërore delikate që e karakterizuan atë kohë (gjysmën e dytë të shekullit XX), në Kosovë.

Filmi është një art kolektiv, që realizohet përmes bashkëpunimit të organizuar të shumë personave (profesionistë) dhe në të cilin gërshetohen arte të ndryshme: letërsia (skenari), muzika, teatri, artet pamore, montazhi etj.), prandaj edhe një kritik i filmit duhet të ketë njohuri të mjaftueshme nga të gjitha këto fusha në mënyrë që lexuesit t’i ofrojë një gjykim që nuk shpërfill kriteret profesionale.

Ali Salaj është ndër pionerët e kritikës shqiptare të filmit në Kosovë. Ai, megjithëse ka mbaruar studimet për Letërsi dhe gjuhë shqipe, shkruan si dikush që ka njohuri profesionale të mjaftueshme për estetikën dhe historinë e filmit. Kur shkruan ka para sysh një recipient jo shumë të informuar për teorinë dhe historinë e filmit, prandaj në vështrimet e veta ai gjithmonë ndërfut të dhëna interesante që e edukojnë konsumuesin dhe i zgjerojnë njohjet e tij për këtë art. Spikasin guximi dhe maturia e tij gjatë dhënies së gjykimit, por tipar i tij është edhe që, pa marrë para sysh entuziazmin për ndonjë film të realizuar mirë, nuk e hesht ndonjë “gabim naiv”, natyrisht, duke pasur kujdes etikën e fjalës   dhe intonacionin që duhet të ketë qortimi (i argumentuar) brenda tekstit.

Vështrimet me të cilat hapet libri trajtojnë filmat e njohur kosovarë të viteve ’80, të regjisorëve Agim Sopi (Njeriu prej dheu), Isa Qosja (Proka, Rojat e mjegullës) dhe Emin Halilit (Era e mollës). Këta filma me vlerat dhe mesazhet e veta estetike dhe jashtestetike patën“çuar pluhur” në opinionin jugosllav të asaj kohe. Një vështrim tjetër i kushtohet filmit “Balada e Kurbinit” të regjisorit nga Shqipëria, Kujtim Çashku. Krahas këtyre vështrimeve në pjesën e parë të librit Salaj merret me filmin dokumentar në Kosovë, me “naturshçikët” e Kosovafilmit, me filmin në shërbim të propagandës politike dhe me efektet e ideologjisë në filmin shqiptar. Filmi dokumentar në Kosovë, sipas autorit, dallon nga filmi dokumentar në Ballkan, për mungesën e guximit krijues dhe për cenzurën dhe autocenzurën që e limitojnë ndjeshëm filmin kosovar.

Në pjesën e dytë të librit (Sprovë për leximin e ekranit) përfshihen shkrimet për nga një film të regjisorëve me famë botërore: O. Stoun, A. Tarkovski, B. Bertoluçi, Zh. Zh. Ano, Xh. Bruks, Sh. Imamura, M. Forman, R. Doner, V. Hercog, P. Uiri, F. F. Kopola, B. Tavernier, V. Hil, Xh. Hjuston, G. Panfillov, D. Kronenberg, si dhe për dy filma të Martin Skorsizit. Janë këto sprova të autorit për t’i komunikuar filmdashësit shqiptar për vlerat kulmore estetike të filmave më prestigjozë në arenën ndërkombëtare.

Mjaft interesante janë shkrimet e përfshira në pjesën e tretë të librit (Realja dhe imagjinarja në film) ku autori reflekton për dukuri të ndryshme që lidhen me filmin dhe burojnë prej tij. Si çdo fillim tjetër, edhe rruga e filmit drejt vendit që zë sot në kulturën njerëzore pati vështirësitë e veta. Ai u shfaq i fundit në tregun e arteve dhe përveç kësaj varej shumë nga inovacionet teknike. Pa kaluar shumë kohë filloi ta përcjellë kritika e filmit, por u formua edhe shkenca që merret me studimin e “artit të shtatë” – filmologjia. Kultura shqiptare në përgjithësi, e lëre më në trevat e banuara me shqiptarë në Malin e Zi, shfaq mungesa të konsiderueshme edhe në kritikën e filmit (nuk mbaj mend të kem lexuar emrin e ndonjë kritiku të ri në faqet e “Kohës javore” për këto 12 vite sa del ajo), edhe në filmologji. I vetmi përjashtim që vlen të përmendet është libri i Husein Bato Dukajt ( Të jetosh me dhunën, Podgoricë 2011), i cili trajton dhunën nëpërmjet ekranit, por ka pika takimi me fushën me të cilën është marrë Salaj.

Te “Funksioni estetik i kulturës filmike” pasi thekson se filmi është “sintezë e të gjitha arteve” dheapostrofonaspektin e rentabilitetittë filmave më të shikuar,që kinematografinëeshndërroi në një industri shumë fitimprurëse dhe njëkohësisht në një faktor me peshë shumështresore në epokën tonë, Salaj mendon se edukimi estetik i fëmijëve për filmin duhet të fillojë që nga bankat e shkollës. Sipas tij, arti kinematografik duhet të përfshihet si lëndë e veçantë mësimore, krahas lëndëve (arteve) tradicionale: artit figurativ, edukatës muzikore, gjuhës dhe letërsisë. Këtë ide ai e hodhi në mesin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, por në këtë drejtim nuk është bërë shumë as pothuaj njëzet vite më vonë. Gjithashtu, në kohën kur u shkrua ky libër ndihej mungesa e periodikut (shtypit) të specializuar, ekskluzivisht për filmin. Sot, ndoshta,disa gjëra, sidomos në Tiranë dhe Prishtinë, kanë ecur përpara, por akoma jo në masën e nevojshme.

Në pjesën e katërt dhe të fundit (Portrete kineastësh) autori i ofron lexuesit disa të dhëna me interes për jetën dhe veprimtarinë e katër personaliteteve të dalluar të kësaj fushe (Milton Manaki, Gjon Belushi, Sergej M. Ejzenshtajn dhe Xhon Kasavetis).

Autori, qoftë edhe me një libër të realizuar në përputhje me standardet bazike profesionale të të shkruarit në fushën përkatëse nuk mund ta mbulojë krejt zbrazëtinë që ekziston akoma në kulturën shqiptare sa i përket shkrimeve kritike/diskursive për filmin , por mund t’i ngacmojë të tjerët të ndjekin gjurmat e tij dhe ta mprehin më tej penën e vet si në vokabularin e specializuar ashtu edhe në përsosjen profesionale të gjykimeve të qëndrueshme, gjithmonë në pajtim me normat etike që duhet të respektohen gjatë dhënies së një opinioni publik. Libri “Në mbretërinë e imazheve” është sa një trajtim përmes shoshës së kritikut, po aq edhe kontribut për zhvillimin (në kuptimin edukativ) e shijeve estetike dhe etike të reciepientit(konsumuesit) të artit kinematografik, brenda komunitetit në gjuhën e të cilit është shkruar.