SABRI SALAJ: Diplomacia e Fuqive të Mëdha – ÇËSHTJA E ULQINIT(1)

September 8, 2014   | Lajmet / Vijesti, Opinione

SABRI SALAJMosrealizimi i dispozitave të Traktatit të Berlinit konkretisht nenit 28, si dhe protokolli i posaçëm i 18 prillit 1880, përcaktimi i vijës kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane mori një dimension tjetër dhe në skenën ndërkombëtare, diplomacitë e Fuqive të Mëdha nxorën çështjen e Ulqinit. Përplasjet diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha për çështjen e Ulqinit nxorën në dritë se Kongresi i Berlinit nuk ishte bërë mbi bazën e drejtës së popujve por mbi bazën e interesave të Fuqive të Mëdha. Propozimi që Ulqini me lumin Buna të jetë pjesë e territorit të Malit të Zi në parim i bashkonte Fuqitë e Mëdha kurse përplasja më e madhe diplomatike zhvillohej në prapaskena me marrëveshje sekrete për ndarjen e zonave të influencimit në këto pjesë të territorit të Perandorisë.

Çështja shqiptare nuk u trajtua si një çështje më vete e në mënyrë tërësore në tryezat diplomatike në Berlin, por Fuqitë e Mëdha u detyruan të merren me te vetëm atëherë kur nga interesat e tyre rrezikohej shndërrimi i Krizës Lindore në një krizë globale. Lidhja Shqiptare ishte në mbrojtje të truallit të vet etnik, nga vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha dhe kjo bëri që çështja shqiptare të ndërkombëtarizohej dhe në kombinimet e ardhshme diplomatike të fuqive të mëdha, çështja shqiptare të jetë pjesë e politikave ndërkombëtare, pa të cilat nuk mund të rregulloheshin marrëdhëniet ndërkombëtare.

Zgjidhja e problemit të Shqipërisë Veriore përbënte përplasjen më të madhe diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha, ku si rezultat i kësaj rrezikohej një përplasje ushtarake ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane. Interesat e Fuqive të Mëdha në këto pjesë të Shqipërisë për ndarje të zonave të interesit nga shpërbërja e Perandorisë Osmane dëshmuan se çështja shqiptare nuk u zgjidh asnjëherë në të mirë të popullit shqiptar, por në prizmin e interesave të vet fuqive.

Londra e dinte mirë se në zonën veriore të Shqipërisë shtriheshin interesat e Austro-Hungarisë, prandaj vendosi të veprojë në bashkëpunim me Vjenën për zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë Veriore. Tendencat e Rusisë për realizimin e Traktatit të Shën Stefanit nuk ishin shuar, kështu që Britania e Madhe ishte e detyruar të kerkonte zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi, nga i cili problem rrezikohej edhe pjesë të territoreve tjera të Perandorisë Osmane, zonë e interesit të saj.

Ulqini-ne-vitet-1901

Në prag të mbledhjes së Konferencës së Ambasadorëve në Berlin, Konsulli i Anglisë në Shkodër, Green dhe ai i Austro-Hungarisë, Lippich kishin bërë planin për t’i dhënë Malit të Zi në vend të Hotit dhe Grudës që si mori dot, një krahinë tjetër ndërmjet liqenit të Shkodrës dhe detit Adriatik, e cila përfshinte Ulqinin dhe rrethin e tij gjer të gryka e Bunës. Green në një shkresë të tij drejtuar Londrës, më 29 maj 1880, deklaronte se,,kam biseduar në tërësi më z. Lippich, konsullin e përgjithshëm austriak, çështjen e dhënies së territorit Malit të Zi, në perëndim të Liqenit të Shkodrës, në vend të territorit të definuar në Konventë… Në asnjë pikë unë dhe Lippich nuk kemi pasur mendim tjetër”.

Plani i Green u kritikua ashpër nga Ambasadori Special i Britanisë në Stamboll, Xhorxh Goshen, i cili e shikonte çështjen shqiptare si një problem të përgjithshëm që nuk mund të anashkalohet nga diplomacia e Fuqive të Mëdha.

Të gjitha argumentet e tij ai i parashtroi në një letërdërgesë drejtuar Lordit Grandville më 26 korrik 1880. Në analizën e tij Goshen vjen në përfundim se dy janë elementet kryesor që duhet të merren për bazë: korrektësia apo drejtësia në njërën anë dhe leverdia apo realpolitika në anën tjetër. Në anën e korrektësisë ai vinte në pah se “lëvizja shqiptare është e krejtësisht e natyrshme. Një racë po aq e lashtë dhe e veçantë kanë po aq të drejtë sa të gjithë popujt tjerë që i rrethojnë … ata me të drejtë pretendojnë të jenë të pavarur… Kombësia e tyre po injorohet dhe territori i banuar me shqiptarë po u jepet në veri malazezëve, për të kënaqur Malin e Zi, protegjeun e Rusisë, kurse në jug Greqisë, protegjeut të Anglisë dhe Francës”.

Vjena e nisur nga synimet e saja politike dëshironte që Ulqinin ta lidhte më nenin 29 të Kongresit të Berlin, ku portin e Tivarit e kishte nën administrimin e saj, po ashtu të njëjtën gjë kërkonte edhe mbi bregdetin e Ulqinit ku nëpërmjet lumit Buna të dilte në portat e Shkodrës një qytet që zinte vend më rendësi në perspektivën e diplomacisë Austro-Hungareze.

Duke u nisur nga këto Austro-Hungaria nuk doli haptas si autore e projektit për Ulqinin,por nëpërmjet Anglisë derisa të sigurohej miratimi i Fuqive të Mëdha. Pasi Fuqitë e Mëdha e aprovuan vendimin e ri, Anglia dhe Austro-Hungaria kërkonin mënyrën sesi duhet të realizohet një vendim i tillë. Në bisedat që Green dhe Lippich kishin ndërmjet veti ranë dakord që të bëhet një demonstratë detare në bregdetin e Adriatikut si presion ndaj Shqiptarëve dhe Portës së Lartë, për dorëzimin e Ulqinit.

Grandvilli, ministër i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, i ka parashtruar kontit Karoly, përfaqësues të Vjenës në Londër, organizimin e demonstratës më pjesëmarrjen e të gjitha Fuqive të Mëdha, mirëpo diplomacia austro-hungareze donte ta kufizonte pjesëmarrjen e demonstratës, sepse nuk donte anije ruse e italiane në këtë pjesë të bregdetit Adriatik, zonë e interesit të saj.

Sipas protokolleve të seancës së 20 gushtit të vitit 1880, ku morën pjesë që të gjithë përfaqësuesit e Konferencës së Ambasadorëve në Berlin, u vendos që Fuqitë e Mëdha të demonstrojnë forcën para shqiptarëve, ndërkohë që në operacionet e drejtpërdrejta ushtarake kundrejt tyre të futej Porta. Në këtë mbledhje u vendos që flota e aleatëve të dalë para Ulqinit në fillim të shtatorit me këtë arsenal lufte: tri anije franceze, dy anije angleze, dy anije austro-hungareze, një ruse dhe një gjermane. Forcave do t’u prijë admirali anglez Sejmour.

Më 26 qershor Fuqitë e Mëdha i propozuan Portës së Lartë që t’i lëshonte Malit të Zi, Ulqinin me rrethet dhe të gjente mënyrën për t’i dhënë një fare autonomie vilajetit të Shkodrës. Humbja e këtij limani të rëndësishëm që vinte në rrezik edhe sigurimin e Shkodrës, ishte e dëmshme për Turqinë, por sidomos një gjymtim i rëndë për Shqipërinë. Shkodra ishte fort e lidhur më Ulqinin. Ky qytet ishte porti kryesor i Shkodrës. Lidhjet e Shkodrës me Ulqinin ishin të shumta në të gjitha drejtimet, prandaj humbja e Ulqinit për Shkodrën ishte e madhe sidomos në pikëpamjen tregtare e cila me anën e këtij porti zhvillonte tregtinë më botën tjetër. Në vitin 1818, flota ulqinake numëronte 400 njësi lundruese.