Nimanbegu i përgjigjet Ibroçit për problemet e arsimit shqip në Malin e Zi!

September 15, 2014   | Politika

Genci-nimanbegu-me -femijeProblemet e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të zi nga pyetja e prindit Gëzim Ibroçi!

Me shumë vend Gëzim, keni treguar për disa nga problemet e arsimit shqip në Malin e Zi!
Kjo përgjegje nuk ka qëllim polemike por vetëm informim tuajin dhe njerëzve ( prindërve ) mbi aktivitetin e Këshillit kombëtar!
Ju nuk keni obligim për të përcjellni të gjitha aktivitetet por sigurisht që edhe para Genc Nimanbegut, dhe mbas tij Shqiptarët në Mal të Zi kan ngrit dhe do ta ngrisin zërin mbi problemet e arsimit!
Si në parlament, në tryeza të rastit, para përfaqësuesve të evropes dhe në çdo rast!
Kur kjo padrejtesi do të përmirsohet nuk e di, por e di sigurisht që do të përmirsohet! di edhe se është shumë e rëndësishme se kujt i jepet vota për përfaqesim! Dhe unë si përfaqesues kam obligim dhe t’ju jap përgjegje, perkundrejt tjerve që ndoshta i’a keni jap besimin dhe nuk di se a kan punuar ndonjë gjë në këtë qëndrim!

Vajza ime, në Klasën e VI-të këto ditë mëson vjershën e Gjergjë Fishtës, Gjuha jonë! Autori i librit Rrok Gjolaj!

Të përkujtoj se as ne, e as prindërit tanë nuk kan pas mundësi ta mesojn në shkollë!
E di që në grupe qe kan aprovuar tekste shkollore kishte edhe shqiptar, por jo ato të cilët i drejtoheni ju në letrën tuaj!
Mos e kupto këtë si mbrojtje të atyre qe kan aprovuar keto tekste shkollore!
Se çka KKSH mendon për këto tekste shkollore si dhe shumë probleme tjera Ju lutem lexoni më poshtë Qendrimet e Rekomandimet mbi pozitën dhe nevojat dhe arsimin shqip në MZ!
Këto rekomandime, pas shumë muajsh punë i ka bëre puna e KKSH-së!
Dhe kesi lloj rekomandimesh nuk kishte më heret dhe jan bazë e mirë për realizimin e kërkesave tona kombëtare në të ardhmen!
Këto rekomandime janë dërguar Ministrisë së Arsimit të Malit Të Zi, Ambasadave por edhe Komisionit të keshillit të Evropës mbi mbrojtejen e gjuhëve të pakicave!

Me rrespekt
Genci Nimanbegu

 

KËSHILLI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI

SEMINARI “POZITA DHE NEVOJAT E ARSIMIT SHQIP NË MALIN E ZI”

PËRFUNDIME DHE REKOMANDIME

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, më 14 dhe 15 qershor 2014 organizoi seminarin me temën “Pozita dhe nevojat e arsimit shqip në Malin e Zi”. Në seminar morën pjesë mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme, përfaqësues të institucioneve arsimore nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Në këtë veprimtari morën pjesë kumtues të cilët trajtuan problemet themelore që i ka arsimi shqip në Malin e Zi.

Pjesëmarrësit vlerësuan pozitivisht organizimin e këtij seminari nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, pasi arsimi në gjuhën amtare ka problemet, por edhe të arriturat e veta.

Kumtesat trajtuan problemet themelore në ciklet e ndryshme të shkollës fillore dhe të mesme, në lëndët e identitetit kombëtar: gjuhë shqipe e letërsi, histori, gjeografi, kulturë muzikore, art figurativ etj.

Përfaqësuesit e institucioneve nga Shqipëria dhe Kosova sollën përvojat e tyre në fushën e arsimit, që mund të merren parasysh për përmirësimin e planprogrameve dhe teksteve shkollore në lëndët përkatëse në arsimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për përvojat ndërkombëtare në këtë fushë, të cilat jo vetëm garantojnë realizimin e të drejtës së arsimimit në gjuhën amtare, por edhe ofrojnë modele të cilat mund dhe duhet të zbatohen në Malin e Zi.

Në të njëjtën kohë, u zhvillua një diskutim aktiv midis pjesëmarrësve, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e institucioneve përkatëse në nivel shtetëror të Malit të Zi, të cilët pranuan ekzistimin e problemeve në këtë fushë. Kumtesat dhe diskutimet shtruan probleme, kërkesa, propozime dhe ofruan zgjidhje të mundshme dhe të zbatueshme.

Në këtë seminar nuk u trajtuan problemet e arsimit parashkollor në gjuhën shqipe, si zanafillë e shkollimit të mëtejshëm, si dhe problemi i mungesës së lektyrave shkollore në gjuhën shqipe që është obligim shtetëror, të cilat duhet marrë parasysh në veprimtaritë e tjera të këtij lloji.

Mbështetur në kumtesat e paraqitura nga ligjëruesit, diskutimet e pjesëmarrësve të seminarit, si dhe takimet e mëparshme të realizuara në kuadër të këtij projekti, u arritën këto përfundime dhe rekomandime:

1. Planprogramet e lëndës gjuhë shqipe e letërsi, si problem kryesor kanë stërngarkimin me njësi mësimore, kurse planprogramet në lëndët: histori, gjeografi, kulturë muzikore, art figurativ, kanë mungesë të theksuar të njësive mësimore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve. Rekomandohet që të reduktohet planprogrami i lëndës gjuhë shqipe e letërsi, duke marrë parasysh rëndësinë që kanë autorët dhe veprat përkatëse, kurse sa i përket planprogrameve në lëndët: histori, gjeografi, kulturë muzikore, art figurativ, të hartohen planprograme nga profesionistët shqiptarë të fushave përkatëse, që do të përfshijnë në masë të mjaftueshme njësitë mësimore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve. Gjithashtu duhet pasur parasysh edhe bërthamën e përbashkët të planprogrameve në këto lëndë, që ekziston në Shqipëri dhe Kosovë.
2. Tekstet mësimore të lëndëve të identitetit kombëtar kanë mangësi të theksuara, që janë si pasojë e mungesës pothuajse të tërësishme të njësive mësimore nga përkatësia kombëtare dhe si rezultat i përkthimeve të papërshtatshme nga gjuha malazeze, sidomos nga lënda e historisë, gjeografisë, kulturës muzikore, artit figurativ, dhe si të këtillë janë të papranueshme. Tekstet e lëndës gjuhë shqipe dhe letërsi në krahasim me të kaluarën mund të thuhet se kanë arritje, por edhe ato duhet të rishikohen dhe të ndryshohen në përputhje me kërkesat dhe nevojat që do të dalin nga ndryshimet e planprogrameve. Ndërsa në lëndët: histori, gjeografi, kulturë muzikore, art figurativ etj. duhet të hartohen tekste të reja. Po ashtu rekomandohet përdorimi i teksteve nga Shqipëria dhe Kosova, kudo që është e mundur, sidomos e Abetares kombëtare, si dhe e teksteve alternative për lëndët përkatëse. Në këtë kuadër, duhet ndërmarrë masa konkrete për pasurimin e bibliotekave shkollore dhe të qyteteve ku jetojnë shqiptarët me lektyra dhe literaturë tjetër të domosdoshme për nxënësit e të gjitha moshave.
3. Mësimi i gjuhës shqipe ka rol të veçantë në formimin e identitetit kombëtar të nxënësve shqiptarë në Malin e Zi. Niveli i njohurive të gjuhës dhe kulturës shqiptare ka probleme të theksuara. Prandaj, rekomandohet që t’i kushtohet më tepër kujdes mësimit të gjuhës shqipe në shkolla, si dhe gjuha shqipe të zë vend të merituar që nga niveli i hartimit të planprogrameve e teksteve shkollore deri tek zbatimi i saj praktik nëpër të gjitha dokumentet shkollore, duke shfrytëzuar të drejtat e garantuara me dokumentet ndërkombëtare dhe vendore.
4. Korniza juridike në Malin e Zi dhe në nivel ndërkombëtar garanton të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare, por në praktikë kjo e drejtë nuk zbatohet në masën e duhur në arsimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Një pjesë e shqiptarëve në Malin e Zi ende nuk gëzojnë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare as në nivelin parashkollor, fillor e të mesëm, si për shembull në Komunën e Tivarit etj. Prandaj rekomandohet që të drejtat e garantuara nga konventat ndërkombëtare, Kushtetuta dhe ligjet e tjera vendore duhet të zbatohen sepse janë një nga kushtet për integrim në Bashkimin Evropian.
5. Politika ndaj arsimimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi ka probleme të theksuara, si rezultat i politizimit dhe centralizimit të sistemit arsimor, duke i mënjanuar shqiptarët që nga procesi i vendimmarrjes, zbatimi i vendimeve e deri te drejtimi i institucioneve shkollore. Si rrjedhim, duhet ndryshuar kjo qasje ndaj arsimit në gjuhën shqipe. Prandaj rekomandohet themelimi i një institucioni arsimor që do të merret në mënyrë të veçantë me arsimin shqip në Malin e Zi, në të cilin do të punojnë kuadro profesionistë shqiptarë. Po ashtu kërkohet decentralizimi i sistemit arsimor, duke rritur kompetencat e qeverisjeve vendore.
6. Përvoja tregon se shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi deri më tash nuk e kanë shfrytëzuar në masën e duhur mundësinë ligjore për zhvillimin e njësive mësimore që i parashikon realizimi i planit mësimor në masën 20 për qind. Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së programeve konkrete si dhe të teksteve përkatëse. Prandaj rekomandohet që profesionistët shqiptarë nga lëndët përkatëse, të përpilojnë planprograme në bazë të të cilëve do të hartohen edhe tekstet përkatëse. KKSH-ja të ndërmarrë masa dhe të krijojë bazën për realizimin në praktikë.
7. Institucionet arsimore të Shqipërisë dhe të Kosovës deri tani nuk kanë qenë të përfshirë në masën e duhur në zgjidhjen e problemeve ekzistuese të arsimit shqip në Malin e Zi. Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me të njëjtin identitet kombëtar, gjuhësor dhe kulturor, është obligim i këtyre institucioneve që të përfshihen më shumë në përmirësimin e situatës së arsimit shqip në Malin e Zi. Rekomandohet që institucionet e përmendura të zhvillojnë kontakte të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme me përfaqësuesit shqiptarë në këtë fushë dhe me institucionet përkatëse të Malit të Zi.
8. Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, si institucion që përfaqëson interesat e shqiptarëve, deri më tash, nuk i është mundësuar që t’i ushtrojë kompetencat e përcaktuara me ligj, si rezultat i minimizimit të rolit të tij nga institucionet shtetërore. Ai duhet që në të ardhmen të luaj rolin që i takon, që nga pjesëmarrja vepruese në hartimin e politikave arsimore dhe zbatimi i tyre në praktikë. Konkretisht, KKSH-ja duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes për: hartimin e planprogrameve dhe teksteve shkollore, zgjedhjen e organeve drejtuese në shkolla, regjistrimin e nxënësve, studentëve etj. Në të njëjtën kohë, ky institucion duhet të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e statusit dhe pozitës së arsimit shqip në Malin e Zi.
Ulqin, më 15 qershor 2014