SABRI SALAJ: ,, Kompensimi” i Ulqinit – ÇËSHTJA E ULQINIT (4)

September 28, 2014   | Lajmet / Vijesti, Opinione

SABRI SALAJItalia e cila ishte në rivalitet më Austro-Hungarinë për zotërimin e detit Adriatik dhe Jonë nëpër mjet territorit të Shqipërisë kishte edhe interesa të përbashkëta që faktorin shqiptarë ta ngrinin si digë kundër shtrirjeve sllave, drejt këtyre zonave.

Porta e Lartë nuk e pranonte idenë e autonomisë pavarësisht se ishte një e drejtë legjitime që kombi shqiptar e kërkonte. Perandoria Osmane propozimet e Fuqive të Mëdha i shihte si ndërhyrje në punët e brendshme të Perandorisë. Perandoria Osmane vazhdonte një politikë të centralizimit të administratës shtetërore në dëm të autonomisë së vilajeteve,e cila shkonte në favor të politikës cariste prapa së cilës fshiheshin tendencat cariste të Shën Stefanit, për Ballkan dhe Mesdhe.

Fuqitë e Mëdha nuk e vlerësuan situatën ashtu siç ishte në realitet, sepse nuk ishte fjala vetëm për faktorin turk, por edhe për rezistencën e shqiptarëve të cilët nuk lejonin copëtimin e tokave të tyre.

Gjatë ditëve që Konferenca e Berlinit zhvilloi seancat e veta u mblodh në Stamboll më 26 qershor 1880 Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për të vendosur përfundimisht mbi zëvendësimin e viseve të Hotit dhe të Grudës me qytetin dhe me rrethin e Ulqinit. Që në seancën e parë ranë dakord që të bëhet dorëzimi i Ulqinit, Malit të Zi, por edhe këtu zgjedhja e çështjes mbeti në mes të rrugës sepse Konferenca, me gjithë kërkesën këmbëngulëse të përfaqësuesit rus, nuk mori dot një vendim të prerë rreth mjeteve ne të cilat detyrohej Perandoria Osmane që ta vinte në zbatim vendimin e tyre.

Gazeta “el-Ahram” në një artikull me titull “Evropa dhe Lindja” trajton politikën e shteteve të mëdha ndaj Shqipërisë dhe refuzimin e shqiptarëve që të zbatojnë vendimet e Berlinit, ku përveç tjerash thuhet: “Si do të jetë politika e shteteve të mëdha ndaj kësaj gjendjeje? Nuk ka dyshim se ata i dinë se Turqia nuk i pranon vendimet e tyre dhe se shqiptarët do të përdorin forcën kundër Malit të Zi dhe Greqisë. Nuk është vetëm kjo por shtetet e mëdha nuk janë dakord në mes vete për ndërhyrje nga frika se mos çështja do ta marrë drejtimin që ato nuk dëshirojnë. Anglia dëshiron të dërgojë në Turqi ushtri evropiane, por ajo frikësohej se mos do t’i thuhej t’i japë anijet e saj që të zbarkojë ushtarë rusë në Thesali dhe Epir për të zbatuar vendimet e Berlinit. Nuk është dhe për tu habitur nëse Rusia do e kërkoj një gjë të tillë, sepse ajo ka për qëllim dhe punon që sa më tepër të ndërlikohet çështja e Lindjes. Sidoqoftë, politika e Rusisë dallohet nga politika e shteteve evropiane më një gjë, në atë se ajo di pse përpiqet dhe çfarë qëllimi ka.

Dalja në skenë e çështjes së Ulqinit dhe përcaktimi i vijës kufitare më Malin e Zi, për Fuqitë e Mëdha jepte një avantazh përcaktimi i kufirit në bregdet sepse në këtë rast kishin mundësi të dërgonin forcat detare për të siguruar zbatimin e vendimeve të tyre. Dhënia e Ulqinit arsyetohej me faktin se nga aspekti strategjiko-ushtarak, do të mund të pushtohej me sulm nga toka që do të ndihmohej me luftanije nga deti.

Lidhur më situatën e krijuar gazeta “Glas Crnogorca” e 30 gushtit 1880 shkruante: “Ulqini u bë qendër e vëmendjes në të cilën e ka drejtuar shikimin tërë bota politike. Ndjehet frika nga dërgimi i flotës së bashkuar ndërkombëtare, sidomos të shqiptarët, gjë që është krejt normale, sepse turqit s’kanë çka të humbin nga angazhimi eventual i flotës, ndërsa shqiptarët humbin shumë”. Gazeta “Glas Crnogorca” informonte se ‘’përballë flotës së bashkuar ndërkombëtare, forcave ushtarake të Malit të Zi dhe gatishmërisë së Turqisë për ta dorëzuar Ulqinin, qëndronin forcat vullnetare shqiptare. Çështja shqiptare kishte dalë nga suazat lokale dhe ishte shtruar para institucioneve ndërkombëtare sidomos në Konferencën e Stambollit dhe të Berlinit në vitin 1880. Realisht, sipas prof. Zef Vizzolit, nga kriza e Ulqinit në të gjitha kabinetet evropiane do të flitet për çështjen shqiptare.

Kancelaritë e fuqive të mëdha duke pasur frikë se mund të dështojë edhe çështja e “kompensimit” të Ulqinit, vendosën që të vënë në lëvizje flotën e tyre të stacionuar më parë në Portin e Dubrovnikut. Përveç kësaj, Fuqitë e Mëdha ranë dakord që Malit të Zi t’i jepej ndihma material dhe ushtarake për t’i përballuar sulmet e mundshme të shqiptarëve duke arritur në një përfundim që pa arritur forcat malazeze në vijën e kufirit të mos bëhet demonstrimi i flotës së tyre të luftës. Më 23 shtator admirali anglez Sejmur kishte shkuar në Cetinë, ku pas një bisede të shkurtër që bëri më princ Nikollën, u kthye në Raguzë e më 26 qershor ishin vënë në lëvizje të gjitha anijet në drejtim të Tivarit, ku pas një pushimi të shkurtër vazhduan rrugën për në Ulqin dhe në mbrëmje të po asaj dite arritën në ujërat e këtij limani.

Fuqitë e Mëdha ndërhynin në mënyrë diplomatike te Porta e Lartë, por si edhe më parë duke mos dashur të hyjnë në luftë më shqiptarët. Perandoria zvarriste dorëzimin. Për ta vënë para aktit të kryer Gladston – kryeministër i Anglisë, mendon të bëjë kusurimin e porteve të Perandorisë Osmane, e sidomos portin e Izmirit, me qëllim që t’i kenë si garanci material për Ulqinin. Këta hapa të rinj të fuqive të mëdha e detyruan Turqinë që të ndërmarrë masa serioze për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi. Frika e pushtimit të Izmirit ku nxirreshin të ardhurat doganore më të mëdha të Perandorisë, e bindi Turqinë se çështja e Ulqinit s’mund të vazhdonte më gjatë dhe u-përgjigj se do të merrte masat për ta dorëzuar menjëherë.

Frika nga pushtimi i Stambollit në rast se nuk dorëzohet Ulqini, ishte raporti i kapiten Sale më 10 nëntor 1880 ku thoshte se Dervish Pasha bën apel të shqiptarët e Shkodrës se duhet medoemos që të bëhet dorëzimi i Ulqinit.

Lidhja Shqiptare nuk pranonte të bënte asnjë marrëveshje për trojet e veta, ku pavarësisht veprimtarisë së dendur diplomatike të fuqive të mëdha dhe Portës së Lartë, të cilët kishte si qëllim që Shqiptarët të tërhiqen nga mbrojtja e Ulqinit, duke iu bërë nga premtimet më të ndryshme, populli shqiptar qëndroi me krenari dhe dinjitet në mbrojtje të vatanit. Për ta ishte një nder i madh që të gjitha Fuqitë e Mëdha kishin dërguar flotat e tyre për ta pushtuar Ulqinin e vogël.

Sipas dëshmive të ambasadorëve të Francës, Gjermanisë dhe të Austro-Hungarisë në Stamboll në atë kohë Porta nuk ishte në gjendje të bënte gjë kundër vullnetit të Lidhjes Shqiptare dhe druante më tepër kryengritjen e Shqiptarëve se sa demonstratën e flotës ndërkombëtare. Fuqitë e Mëdha donin që Ulqini të dorëzohej prej vetë Perandorisë.