“Art Club” boton dy libra të autorit Hamid Alaj

October 3, 2014   | Kulturë / Kultura

dy libra të autorit Hamid AlajNë kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, ditë më parë janë botuar dy libra të autorit Hamid Alaj: “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi në trevën e Krajës dhe të Shestanit” dhe “Durimi dhe durueshmëria sipas parimeve islame”.

Libri “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi në trevën e Krajës dhe të Shestanit” është një monografi, e përbërë prej 603 faqesh, që flet mbi zanafillën e arsimit në këto treva, shkollat shqipe në Krajë dhe Shestan në periudha të ndryshme kohore, portretet e mësuesve veteranë dhe të mësimdhënësve që punuan apo punojnë në shkollat e kësaj treve etj. Autori na jep në mënyrë kronologjike rrugën e zhvillimit të arsimit në Krajë dhe Shestan. Redaktor i librit është dr. Nail Draga, kurse recensues dr. Bahri Brisku.

Ndërkaq libri “Durimi dhe durueshmëria sipas parimeve islame” trajton kuptimin e nocionit të durimit në disa aspekte të jetës shoqërore në përgjithësi, duke u përqendruar në kuptimin e durimit sipas parimeve islame. Redaktor i librit është Muhamet Nika, kurse recensues mr. Behlul Kanaqi.

dy libra të autorit Hamid Alaj-1

Librat janë shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Hamid Alaj është nga Kraja, por jeton në SHBA. Përpos këtyre librave, ai është autor edhe i dy librave të tjerë: “Huazimet turko-osmane në të folmen e Krajës” dhe “Nga nektari i mençurisë njerëzore”.

SHAI “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

       Ulqin, më 2. 10. 2014                                                                   SHAI “Art Club”