U përurua përmbledhja me poezi “Shpërgjumohu shpirti im” e Skënder Osmanit

October 13, 2014   | Kulturë / Kultura

Skender-Osmani-Ulqin“Poezitë e tij janë një udhëtim në skutat e shpirtit. Ato janë poezi refleksive ku domethënia simbolike e vargut tejkalon modelet standarde dhe synon një formë të re vargu. Aty mund të gjejmë momente kthjellimi, shpengimi, mallëngjimi, të mbërthyera në vargje të dendura e koncize. Këto poezi janë shprehje e një lloj proteste personale, një shkarkim i shqetësimit të brendshëm që ai kërkon ta zbusë me pendë“, ka thënë dr. Sabina Osmanoviq.

Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi dhe Qendra e Kulturës në Ulqin organizuan të enjten në Shkollën e Muzikës në Ulqin përurimin e përmbledhjes me poezi “Shpërgjumohu shpirti im” të autorit Skënder Osmani. Libri është botuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Drejtori i Qendrës së Kulturës, dr. Nail Draga, ka thënë se duke lexuar këtë libër me poezi të bie në sy një shqetësim i vazhdueshëm i autorit, shqetësim i cili është preokupim jo vetëm për të, por njëkohësisht edhe i popullit tonë. “Nëse analizohen disa poezi, kemi të bëjmë me një apologji të së kaluarës së popullit tonë, e cila ka të gjitha të dhënat që janë prezantuar nga koha e kaluar deri në ditët tona”, ka thënë ai. Kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, Prim. Dr. Gani Karamanaga, ka thënë se në vargjet e poezisë së tij autori shoqërohet me detin dhe ullinjtë. “Ai me natyrë i qetë, në shtëpinë e tij nën Malin e Bardhë, i rrethuar me ullishtën njëqind vjeçare, me pamje në detin e kaltër, shkruan poezi nga ku doli edhe ky libër”, u shpreh ai. Dr. Sabina Osmanoviq, pedagoge e gjermanistikës në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në vështrimin e saj mbi librin ka thënë se në poezitë e tij, autori prekë temat që e shqetësojnë shpirtin dhe mendjen e trazuar të poetit. “Poezitë e tij janë një udhëtim në skutat e shpirtit. Ato janë poezi refleksive ku domethënia simbolike e vargut tejkalon modelet standarde dhe synon një formë të re vargu. Aty mund të gjejmë momente kthjellimi, shpengimi, mallëngjimi, të mbërthyera në vargje të dendura e koncize. Këto poezi janë shprehje e një lloj proteste personale, një shkarkim i shqetësimit të brendshëm që ai kërkon ta zbusë me pendë“, është shprehur ajo. Për publicistin Mustafa Canka, autori këndon për gjërat më të bukura, detin, ullirin dhe atdheun, nevojën e ruajtjes së dinjitetit kombëtar dhe njerëzor. “Për këtë arsye kjo vepër është pasqyrë e jetës së tij. Jeta publike e Skënderit e vërteton atë privaten”, ka thënë ai, duke shtuar se “edhe pse, më së shumti flet për vete, Skënderi edhe neve na thotë që të zgjohemi, të pastrojmë shpirtrat tonë, të jemi njerëz.” Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Safet Kurtagiq, ka thënë se ky institucion gjithnjë e më tepër po njihet për faktin se mbështet projektet e komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre, mundëson botimin dhe përurimin e veprave të tilla, siç është ky libër. Duke falënderuar pjesëmarrësit në përurim dhe folësit, autori i librit Skënder Osmani ka thënë se ata zbuluan mjaft sekrete të librit të tij. Gjatë përurimit nxënësja Mbresa Kurti recitoi disa poezi nga libri, moderatorja Dafina Teliqi lexoi recensionin e poetit Xhevahir Spahiu, kurse Ema Milla ka luajtur pjesë instrumentale në piano. Libri “Shpërgjumohu shpirti im”, i përbërë nga 59 poezi, është vëllimi i tretë poetik i Skënder Osmanit. i.k.

 

Koha Javore