Budva mbledh ministrat rajonalë të mbrojtjes, përfshirë edhe Kosovën

October 15, 2014   | Rajoni / Region

BudvaPodgoricë, 14 tetor – Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi është organizatori i dytë i “Takimit Rajonal Gjithëpërfshirës Ministrorë”, që fillon sot në Budva, raporton Anadolu Agency.

Qëllimi i takimit është që të koordinojë bashkëpunimin rajonal të mbrojtjes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, në kuadër të Nismave Rajonale të Kartës SHBA-Adriatik (A5) dhe bashkëpunimit të ministrave të mbrojtjes të Evropës Juglindore.

Siç njoftohet nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, do të mbahet një takim i drejtorëve politikë të Ballkanit Perëndimor, takim i ministrave të mbrojtjes të shteteve anëtare të A5, takim i ministrave të mbrojtjes të Evropës Juglindore në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si dhe një takim i përbashkët i pjesëmarrësve të konferencës.

Takimi gjithëpërfshirës rajonal ministror do të mbledhë 22 delegacione nga 16 vende, duke përfshirë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, me më shumë se 120 pjesëmarrës, duke përfshirë edhe ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Malit të Zi, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Moldavisë, Sllovenisë, Turqisë dhe Ukrainës.

Takimi rajonal ministror do të zgjasë deri të enjten.

Koha Net