LD në MZ denon dhunën në ndeshjen fudbollistike Serbi-Shqipëri

October 19, 2014   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Lidhja-Demokratike-ne-mal-te-ZiLIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI

DEMOKRATSKI SAVEZ U CRNOJ GORI

DEMOCRATIC LEAGUE IN MONTENEGRO

Ulqin , më 16. 10. 2014

 

                                              

Mehmet Bardhi, kryetar i LD në MZ

 

LD në MZ denon dhunën në ndeshjen fudbollistike Serbi-Shqipëri, e cila u luajt në stadiumin e “Partizanit” në Beograd, për shkak të se cilës ndeshja u ndërpre në minutën e 41 të pjesës së parë të lojës

 

Me krenari e dëshirë për fitore të kombëtares sonë e pritëm ndeshjen fudbollistike Serbi – Shqipëri, e cila u luajt, të martën mbrëma, më 14 tetor 2014, në stadiumin e “Partizanit” në Beograd. Të themi të drejtën, këtu kishte edhe njëfarë ankthi e droje, për sigurinë e lojtarëve dhe stafit udhëheqës e shoqërues të kombëtares shqiptare, kur dihej fare mirë një e kaluar, madje edhe e afërt (në vijimësi) armiqësore e regjimeve serbe ndaj shqiptarëve, po edhe e gjithë atmosferës që vërehej në shtypin serb që disa ditë para ndeshjes, e sidomos kur organet zyrtare qeveritare të Serbisë refuzuan e ndaluan rreptësisht që asnjë simpatizues, tifoz i kombëtares shqiptare të hyjë në stadium, madje as në Serbi, çka është e garantuar me rregullat për ndeshjet ndërkombëtare. Por deklaratat nga Serbia se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që rendi e qetësia të jetë e pacenueshme (përmendnin mobilizimin e 5-6 mijë policëve, pastaj të kujdestarëve në stadium e jashtë tij, etj.) sikur jipte një siguri, që këtu, edhe në Beograd skuadrat sportive mysafire, madje as kombëtarja shqiptare nuk duhej të ketë shqetësim për sigurinë, por topi, loja, bukuria e saj e rezultati është qëllimi, është e mira, është ajo për çka edhe organizohen këto gara edhe në futboll.

 

Megjithatë, ajo çka ndodhi që prej aeroportit “Nikolla Teslla” të Beogradit kur ekipi shqiptar, me stafin udhëheqës zbritën nga aeroplani, ku filloi maltretimi e trysnia, me mbajtje në rrethim në njërin nga lokalet e aeroportit, për disa orë, prezenca e “rrethimit demonstrues” të hotelit ku ishin vendosur, disi la një përshtypje jo miqësore, cila po të deshifrohej e analizohej më thellë, ishte paralajmëruese e dhunës që do të pasojë.

Që në hyrje dogjën flamurin e NATO-s!?

Se e gjithë kjo ishte një uverturë e asaj çka do të ndodhte më vonë, u pa që me hyrjen në stadium, kur tribunat e mbushura përplot, me mbi 30 mijë tifozë serb, korazi me urrejtjen më të madhe brohoritnin parulla raciste etnike, të cilat vinin nga tribunat, për vrasjen, mbytjen, prerjen e shqiptarëve, si: “Ubij, zakolji, da Šiptar ne postoji!” (Vra, pre, që sh(q)iptarë mos të ketë), “Smrt Šiptarima!” (Vdekje shqiptarëve!), madje u tha se u dëgjuan edhe kësi parrullash “Ubij Hrvata da Šiptar nema (ne bi imao) brata!?” (Vraje kroatin, që shqiptari mos të ketë vëlla), Kosovo je Srbija! (Kosova është Serbi! etj.. Zjarri i britmave shurdhuese raciste, që krejt qartë mund ta dallonin edhe shikuesit para ekraneve televizive, që vinte nga tribunat, më tepër ngjante në një arenë “të gladiatorëve” që kishin dalë për ndonjë qërim hesapesh, për me luftua, e jo për të shikuar një lojë të bukur futbollistike e me përkrahë kombëtaren e tyre për fitore.

Fatkeqësisht edhe fillimi i lojës dhe gjatë gjithë kohës, deri në ndërprerje, ishte gjithçka, por jo një atmosferë sportive. Ishte një atmosferë që kërcënonte. Gjuajtja me sende të forta, kokteje molotov në terren ku po zhvillohej loja, kërcënonte në çdo minutë sigurinë e lojtarëve, për çka gjyqtari kryesor dy herë, me të drejtë, e ndërpreu lojën. Edhe pas vërejtjeve të bëra për ta kthyer situatën sadopak në normalitet, nuk pati dobi, ajo eskaloi për të keq.

 

Brohoritjet shurdhuese me porositë raciste e plot urrejtje po arrinin kulmin. Derisa po zgjaste ndërprerja e lojës, për shkak të sendeve të forta dhe kotejeve molotov të hedhura në fushën e lojës nga tifozët serb nga tribunat, paraqitja e një fluturakeje (dromi) në horizont, e cila barte flamurin kombëtar shqiptar në trojet etnike me dy koloset e historisë sonë të lavdishme, Ismail Qemalin e

2

 

Isa Boletinin, që po zbriste në stadium, sikur i dha përgjigjen më të mirë të meritueshme asaj gjendje kaotike, kërcënuese, urrejtjes shoviniste, që e kishin krijuar mbi 30 mijë tifozë serbë (se vetëm ata u lejuan të ishin prezent në tribunat e stadiumit). Prezenca e madhe e policëve jashtë e brenda stadiumit, në vend që të parandalojnë e qetësojnë këtë situatë dhunuese e kërcënuese që po ndodhte në stadium, ata u paraqitën sikur po lejonin çdo gjë kaotike.

 

Në çast shpërthimi i pengesave rrethuese metalike të stadiumit, hyrja e shikuesve dhunues në terren, sulmi, përgjakja që më parë e lojtarit të skuadrës shqiptare nga goditja e lojtarit të skuadrës serbe, goditja e lojtarëve të kombëtares shqiptare, me grushta e sende të forta…., nga shikuesit që kishin depërtuar në terren, si edhe nga ana e kujdestarëve të rendit dhe ca policëve, të cilit aty ishin për me mbajt rendin e qetësinë e jo edhe ata me shprehë urrejtjen e papërmbajtshme ndaj lojtarëve të kombëtares shqiptare, me fyerje e goditje fizike, kërcënoi çdo gjë: rendin, po mbi të gjitha jetët e lojtarëve shqiptarë në terren, lojtarëve rezervë dhe stafit udhëheqës në stolat bri fushës së lojës.

 

Normalisht kjo shënoi përfundimin definitiv të kësaj ndeshjeje, e cila duhej të ishte një ndeshje sportive ku spektatorët do të kënaqshin me lojën e bukur të topit, e jo një arenë ku spektatorët të nxehur flakë nga urrejtja e papërmbajtur etnike, me sharjet, ndjekjet dhe goditje fizike në fushë e hyrje të tunelit për në brendinë e lokaleve të stadiumit, të kërcënojnë madje edhe jetën e lojtarëve të kombëtares shqiptare. Veprime këto të palejueshme! Të pafalshme! Fatkeqësisht jo edhe të papara. Veprimet brutale e dhunuese të tifozëve serbë, me shkatërrime e me djegie janë ende të freskëta nga Gjenova, kur më 13 tetor 2010 kombëtarja serbe, luajti me kombëtaren e Italisë etj. Atëherë njëfarë Ivan Bogdanovi u identifikua si organizator i shkatërrimeve në stadium. Po tash çka kërkoi ky Bogdanovi, madje në midis të terrenit kur tifozët serbë iu sulën lojtarëve shqiptarë?!

 

Ndeshja luhej në Beograd. Ishin ata që duhej të siguronin rendin e çdo gjë për mirëvajtjen e kësaj ndeshje futbollistike. Dhuna e tmerri që shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes shpërtheu, po aty, pa asnjë arsye, përpos urrejtjes ndaj shqiptarëve, fatkeqësisht ende të pashëruar, dëshmon qartë për përgjegjësinë e Beogradit.

Këtë organet ndërkombëtare të sportit të futbollit (UEFA, etj.) duhet në mënyrë adekuate ta ndëshkojnë. Nga kjo ngjarje, me çaste dramatike dhe me pasoja, të cilat kanë mund me qenë edhe më të rënda, organet e pushtetit të Serbisë duhet të nxjerrin mësime. Kjo është turp për Serbinë, si organizatore e këtij dueli sportiv, po edhe Organizatat Ndërkombëtare Sportive, nga ky rast i rëndë duhet të nxjerrin mësime, në mënyrë që incidente e ngjarje të tilla të rënda në ndeshjet sportive mos të përsëriten.

Me këtë rast duhet theksuar se, me gjithë presionin e paparë e të pashembullt të shikuesve nga tribunat, kombëtarja shqiptare shpejt e mori vetën, pasi në minutat e para ishte përqendrua në mbrojtje. Luajtën me mençuri, me guxim e vetëmohim që ta fitojnë ndeshjen. Madje krijuan edhe disa shanse që ishin shumë afër të shënojnë gol dhe të udhëheqin. Nga fundi i gjysmës së parë sulmi i tyre ishte në avantazh. Ndoshta edhe kjo ishte një shkak më tepër që shikuesit mos të zgjedhin mjete, fyese, raciste, gjuajtje me mjete të fora kokteje molotovi, e deri te shpërthimi i rrethojave metalike (!?) të fushës, ndjekje e përndjekje, goditje me shqelma, me grushta e sende të forta lojtarëve nëpër terren, të cilat veprime çuan deri te ndërprerja e ndeshjes.

Avantazhi në këtë drejtim dhe dënimi i dhunës së tifozëve, kujdestarëve të rendit po edhe ca policëve serbë, ndaj lojtarëve të kombëtares shqiptare, që çoi deri te ndërprerja e ndeshjes, fitoi përkrahje të simpatizuesve jo vetëm në Shqipërinë Londineze po edhe në Kosovë e vise të tjera shqiptare, si edhe të simpatizuesit shqiptarë në Malin e Zi, si: në Ulqin, Krajë, Malësi edhe Plavë e Rozhajë, çka është një e drejtë e patjetërsueshme. Ishte një shenjë e dëshirës së mirë të simpatizuesve me plot kulturë, tolerancë e mirësjellje për përkrahje të kombëtares shqiptare.

Prandaj, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, ne, hedhim poshtë me indinjatë të thellë disa zëra iniciativën e disa deputetëve të opozitës serbo-malazeze, që u dëgjuan në Kuvendit të Malit të Zi, për dënimin e simpatizuesve të reprezentacionit shqiptar futbollistik, të cilët atë mbrëmje të 14 tetorit festuan në Ulqin, Malësi e Plavë.

 

3

 

Vallë, zotërinjtë i nderuar, që dolën me këtë iniciativë, mos kanë prit që simpatizuesit shqiptarë, që jetojnë në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, të festojnë dhunën e simpatizuesve serbë!? Jo, zotërinj, me gjithë lëvizjet e panatyrshme e joprincipiele të ca shqiptarëve, që po bëjnë për interesa të ngushta personale, bëjmë me dije se shumica shqiptare nuk ka shkalluar. Ajo është shumë e vetëdijshme dhe principiele për kulturën e vet, për pasuritë e veta, për respektin ndaj fqinjëve, për tolerancën, diku tjetër madje të paparë.

Zonja e zotërinj, këtë e kemi dëshmuar me shembuj konkretë me dekada e shekuj gjatë historisë, po edhe në kohën më të re. U organizuam politikisht ndër të parët pa filluar mirë pluralizmi partiak. Dolëm haptas dhe kundërshtuam politikën hegjemoniste, zaptuese, okupuese të S. Millosheviqit kundër shqiptarëve e fqinjëve të tjerë, në fund të viteve të 80-ta dhe fillim të viteve të 90-ta. Shqiptarët e mobilizuar me dhunë, hodhën armët dhe refuzuan me shkua në formacionet ushtarake serbo malazeze në Konavle e Dubrovnik (rasti i Batalonit të Sutormanit… 1991), pastaj ishim një ndër hartuesit dhe nënshkruesit e “Memorandumit…” në 01.09.1997 të Opozitës Demokratike në MZ me njërin krah të pozitës, e cila kundërshtoi, më në fund, politikën hegjemoniste të Beogradit, në Referendumi për Pavarësinë e Malit të Zi , 21. 05. 2006, LD në MZ ishte subjekt në vete, Subjekti i Tretë, me kushte e kërkesa qartë të definuara për statusin e shqiptarëve në MZ etj…)

Pra, për kremtet e festat tona mos pritni se do të kërkojmë leje.

Fatkeqësisht sjellja barbare, dhunuese dhe josportive, që u bë shkak i ndërprerjes së ndeshjes ndërkombëtare futbollistike në Beograd ndërmjet kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë, reflektoi edhe te përkrahësit e politikës shoviniste të Beogradit ndaj fqinjëve të vet, jo vetëm shqiptarëve në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit, por edhe në Podgoricë, me sulmin ndaj ambasadës së Shqipërisë, e cila gjendet në Rrugën “Stanko Dragojeviq” në qendër të Pogoricës, sot në mëngjes, kah ora 10:20, në prezencën e shumë kalimtarëve, madje, siç njohtojnë mediat, edhe në prezencën e një polici, i cili po bënte seirë!: ku aktorë “të dalluar” goditën me gurë dhe i thyen xhamat. Me këtë rast “gabimisht” dëme të konsiderueshme pësoi edhe lokali hotelerik “Sempre” që gjendet në katin përdhesë të kësaj ndërtese. LD në MZ e dënon edhe këtë akt dhunues e vandal.

 

Në lidhje me këtë ngjarje të Beogradit, sa befasuese (për disa), aq të palejueshme e të dënueshme për botën demokratike, reaguan edhe udhëheqësit më të lartë politikë të Malit të Zi.

Kësaj radhe, megjithëse të njohur që shumë kohë, që nga fillimet e veprimtarisë së tyre politike dhe deri sot, megjithate është prit që të jenë (më) objektiv, më të qartë duke mos anashkaluar realitetin.

Në anën tjetër, nisur nga përkushtimi ynë për demokraci e shtet ligjor, për respektimin e të drejtave njerëzore e kombëtare, qeverisjen me të mirat materiale e natyrore, kontributin e shqiptarëve, sot në Malin e Zi edhe të Shqipërisë, për Malin e Zi të sotëm, edhe këtë ngjarje, që më dashuri, ankth e kanë përcjellë miliona njerëz, sportdashës e politikanëbërës, pasi që nga caktimi i shortit është ditur se kjo ndeshje është më tepër se një ndeshje e zakonshme sportive, është dashur që qasja edhe me deklaratat e tyre të jetë reale.

Po t’i analizosh ato, pyetje e parë që del është: – Vallë, a duan ta shohin këta udhëheqës realitetin në Beograd, po edhe sot në Malin e Zi? – Vallë, a e dinë ndopak çka tregon historia, së pari historia e popullit të tyre, e pastaj edhe ajo e popujve të tjerë e këtyre trojeve – përfshirë edhe Historia e shqiptarëve, që me shekuj, autoktonë në trevat e veta?

– Mos vallë, zotëruesja e qiellit shqiponjë duhet të bëjë me dije se ne ekzistojmë, se jemi në shtëpinë tonë!?

 

Mehmet BARDHI,

E-mail: mbardhi@hotmail.com