Festivali folklorik në Ulqin paqton Ballkanin

October 20, 2014   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Festivali folklorik në Ulqin-Foto: Ismet Karamanaga

Flamuri i Shqipërisë, përkrah atij të Serbisë. Tri ditët e kulturës, me degë ulliri dhe muzikë, mesazhe për bashkëjetesë

Ardi Hoti 

Komuna e Ulqinit në Mal të Zi, prej 3 ditësh, është kthyer në një qytet feste ku i gjithë Ballkani është bashkuar në festivalin internacional të folkut dhe në një sërë aktivitetesh të tjera kulturore, në një kohë kur në rajon ka tensione verbale etnike. Në këtë evenet ra në sy fakti që shqiptarët, kosovarët, serbët, maqedonasit, malazezët dhe gjithë përfaqësuesit e Ballkanit, përveç paradës së përbashkët me flamuj në rrugët e Ulqinit, interpretuan dhe duartrokitën njëri-tjetrin.

Dita e parë nis me shegë

Eventi kulturor 3-ditor, zhvilluar në Ulqin “Dolcinium internacional festival”, me pjesëmarrjen e grupeve folklorike të vendeve të Ballkanit, ku merrte pjesë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, Polonia, Rumania dhe Kroacia, ka nisur në ditën e parë me aktivitetin e panairit të shegëve në fshatin Katerkollë të Ulqinit, i cili njihet për kultivimin dhe eksportin e shegës. Tashmë festimi i panairit të shegës është kthyer në një traditë për fshatin Katerkollë, që është dhe zona me prodhimtarinë më të madhe në Mal të Zi, sa i përket shegëve.

Festivali folklorik në Ulqin-1

Aktivitetet kulturore

Dita e dytë e këtij eventi ka qenë dhe pika kulmore e këtij aktiviteti, ku të gjitha grupet folklorike me flamujt e shteteve përkatëse, kanë parakaluar së bashku në rrugët kryesore të Ulqinit dhe më pas kanë interpretuar në galerinë e arteve në Ulqin, ku të gjithë, pa përjashtim, shqiptarë dhe serbë, kanë duartrokitur njëri-tjetrin. Në sallën e galerisë së arteve, në Ulqin, kishte spektatorë qytetarë serbë, malazezë, shqiptarë, kosovarë dhe nga vendet e tjera të Ballkanit. Ajo çka ra në sy ishte fakti se pasi interpretuan, grupet folklorike shqiptare dhe kosovare u duartrokitën në korr nga e gjithë salla dhe e njëjta gjë ndodhi dhe pasi interpretuan grupet e folkut serb, malazez dhe maqedonas, duke treguar respekt të ndërsjellë. Salla e galerisë së arteve në Ulqin, për pak minuta u kthye në qendrën me bashkëjetesën më të përkryer të popujve të Ballkanit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës shqiptare në Mal të Zi.

Festivali folklorik në Ulqin-2

Flamujt përkrah njëri-tjetrit

Ndërkohë, po kaq domethënëse, në këtë klimë tensioni, ishte  parakalimi me flamujt dhe veshje kombëtare të çdo shteti të Ballkanit në rrugët kryesore të qytetit të Ulqinit. Një pamje që nuk ishte parë asnjëherë në Ulqin. Flamuri shqiptar dhe ai serb rrugëtuan së bashku, këtë herë në paqe dhe me duartrokitje, ndërsa shumë të tjerë nuk humbën rastin për ta fiksuar në aparatet fotografike këtë moment. Banorët e Ulqinit, duke folur për gazetën “Shqip”, shprehën se kjo mënyrë prezantimi që u bë në Ulqinin duhet të merret shembull nga diplomacia në Ballkan dhe se popujt kërkojnë harmoni dhe bashkëjetesë. Atë që nuk arrin ta bëjë politika, po e bën arti dhe kultura. Më pas, në ditën e tretë, të gjitha grupeve pjesëmarrëse u është dhuruar dega e ullirit, simbol i paqes dhe suksesit dhe më pas eventi është mbyllur me interpretime të grupeve muzikore, në plazhin e Ulqinit.

zana-sarvan

Organizatorja

Zana Sarvan, drejtoresha e organizatës turistike “Ulqini”, organizatorja e këtij spektakli, shprehet për gazetën “Shqip” se ky event ia arriti qëllimit, që përveç promovimit të kulturës dhe traditave, bashkoi Ballkanin. Më tej, Zana Savran thekson se “Ky aktivitet kulturor, që ka zgjatur tri ditë, përfshiu aktivitetet e traditës të trashëgimisë kulturore dhe përcolli mesazhin e harmonisë dhe bashkëjetesës mes popujve të Ballkanit. Kjo ishte diçka shumë e veçantë dhe u prit mjaft mirë nga të gjithë”. Ndërkohë, ndryshe nga skenat e dhunshme dhe urrejtja etnike në Beograd ndaj Shqipërisë, që ofroi ndeshja e futbollit, në Ulqin mesazhi ishte krejt i ndryshëm, duke zëvendësuar dhunën me respektin ndaj tjetrit. Në një kohë kur mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit ka një klimë tensioni, Ulqini mjaft mirë arriti të bashkojë shqiptarët, serbët dhe të gjithë Ballkanin, në një event kulturor, duke sjellë një tjetër prezantim dhe mënyrë bashkëjetese.

dita-sheges

Flasin pjesëmarrësit

Promovohen frutat, produktet bujqësore dhe mjalti i Ballkanit

Në mediat malazeze dhe serbe shkruhej se në këtë ngjarje turistike u promovuan produkte si mandarina, ullinj, mollë, produkte qumështi, etj. Aktiviteti u hap zyrtarisht nga Kabil Kurti, i cili tha se qëllimi i ditës së parë të aktivitetit ishte ekspozimi i fermerëve dhe ekspertëve bujqësorë, si dhe të punëtorëve të turizmit në rajon. Drejtoresha Zana Sarvan kujtoi se “Në një plazh të vogël, do të vijnë 12 shoqata kulturore nga rajoni, duke iu referuar ditëve pasardhëse. Zarvan shtoi se “Ideja themelore është që të zgjatet sezoni turistik”. Bozo Saltiç, nga bar i Malit të Zi, ka ofruar ullinj të zinj dhe të gjelbër, vaj ulliri dhe salcë ulliri. Nga Ulqini, Qamil Cufa thotë se “Me bletari merrem prej më shumë se 20 vitesh. Mjalti nga ky rajon është i jashtëzakonshëm, me cilësi të shkëlqyer”.

Gazeta Shqip