U mbajt manifestimi tradicional “Dita e poezisë shqipe – Shasi 2014”

October 23, 2014   | Ngjarjet - Events

Dita e poezisë shqipe – Shasi 2014-UlqinLetërsia për fëmijë drejt shuarjes 

 Gjatë manifestimit, referuesit, shkrimtarë dhe studiues të spikatur të hapësirës shqiptare, si Xhahid Bushati, Skënder Temali, Helena Grillo, Alisa Velaj, Qazim Muja, apostrofuan anashkalimin institucional të letërsisë për fëmijë dhe të rritur  

Në lokalitetin e lashtë historik dhe turistik të Shasit në Anë të Malit, u mbajt manifestimi tradicional ”Dita e poezisë shqipe – Shasi 2014”, të cilin e organizon Organizata joqeveritare “Harmonia”. Në manifestim morën pjesë shkrimtarë dhe studiues nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, në krye me drejtorin Safet Kurtagiq dhe Basri Likën, kryetar i Këshillit Drejtues të Fondit. Temë bosht e edicionit të sivjetshëm ishte “Letërsia për fëmijë dhe tekstet mësimore në gjuhën shqipe në Malin e Zi”. Drejtuesi i OJQ “Harmonia”, shkrimtari dhe publicisti Ibrahim Berjashi tha se kësaj radhe kanë përzgjedhur “letërsinë për fëmijë dhe tekstet mësimore në gjuhën shqipe në Malin e Zi”, duke qenë se në opinion janë hapur debate të shumta dhe fjala e shkrimtarëve në këtë rast e ka peshën e vet. “Në letërsinë shqipe për fëmijë në Malin e Zi, si pjesë integrale e letërsisë shqipe në përgjithësi, nuk vërehet ndonjë emër i ri dhe premtues. Në këtë frymë, vlen të theksohet se nuk ekziston ndonjë revistë e mirëfilltë dhe profesionale, ku do të botoheshin krijimet për fëmijë dhe të rritur. Në tekstet mësimore në gjuhën shqipe në Malin e Zi prezantohen disa autorë që kanë lëvruar letërsinë për fëmijë dhe të rritur, por duhet bërë ‘rifreskim’”, u shpreh ai.

dita-poezis-ne-SHas

Gjatë manifestimit, referuesit, shkrimtarë dhe studiues të spikatur të hapësirës shqiptare, si Xhahid Bushati, Skënder Temali, Helena Grillo, Alisa Velaj, Qazim Muja, apostrofuan anashkalimin institucional të letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Studiuesit nga Shqipëria theksuan se atje nevojitet një reformë rrënjësore e teksteve mësimore, sepse “ato ekzistuese nuk janë në trend me kohën”, është anashkaluar letërsia për fëmijë nga ana e teorisë së letërsisë dhe vetizolimi, të cilin e pranojnë madje edhe studiuesit e saj, njëlloj çojnë drejt përfundimit se kjo temë sikur në tërësi i është lënë pedagogjisë dhe metodikës së lëndës së mësimit te letërsisë. Lidhur me këtë temë u zhvillua një debat midis pjesëmarrësve në manifestim. (Kohapress)