Gjonaj: Simbolika e nëntorit

October 30, 2014   | Opinione

Gjeke-Gjonaj-Ulqin Nga Gjekë Gjonaj

Nga  portali “ malësia.org”  në shkrimin “ “ Shoqatat shqiptare në SHBA, shembull bashkëpunimi”  mësova  se  të shtunën më 1 nëntor  2014  në  Universitetin Oakland në Roçester të Miçiganit do të mbahet  Konferenca e dytë ndërkombëtare  kushtuar shqiptarëve në Malë të Zi.  Njoftohet gjithashtu se  një ditë pas kësaj konference akademike shoqatat shqiptare  me prejardhje nga Mali i Zi : Fondacioni “ Plavë – Guci “, Nju-Jork, Shoqata atdhetare “ Malësia e Madhe”, Detroit, Shoqata atdhetare “ Ana e Malit” Nju-Jork, Fondacioni humanitar “ Malësia”, Nju-Jork,  Fondacioni “Dedë Gjon Luli” , Nju-Jork, Fondacioni “ Dom Simon Filipaj”, Nju-Jork, Shoqata atdhetare “ “Kraja”, Nju-Jork  dhe Shoqata atdhetare “ Ulqini” , Çikago, do të nëshkruajnë  në Detroit  Rregulloren e bashkëpunimit. Ky  aktivitet i diapsorës shqiptare është  një lajm i mirë për shqiptarët  autokton në trojet e veta në Mal të Zi.

I  frymëzuar dhe  i entuziasmuar nga slogani i shoqatave  të përmendura “ Le të bashkëpunojmë si vëllezër të një gjaku, përçarja na largon nga misioni kombëtar”  dua të theksoj se kjo është një nismë që vjen në kohën e  duhur si nevojë për të ndërtuar një partneritet të ri në frymën e besimit në mes të shoqatave. Është ky një mesazh domethënës , që vjen  jo rastësisht në muajin nëntor, i cili ngërthen në vete disa periudha të rëndësishme historike të shqiptarëve në shekuj, ndër të cilat veçojmë :  ngritjen  e  Flamurit Kombëtar Shqiptar nga Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në Kalanë e Krujës  më 28  nëntor të vitit 1443, në vend të flamurit të pushtuesve osmanë,  ngritjen  e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor  1912  dhe shpalljen  e  pavarësisë së shtetit shqiptar. Por  duhet shtuar se  28 Nëntori nuk është e gjithë historia e popullit shqiptar. Populli shqiptar bëri histori dhe do të bëjë, siç thoshte Mitrush Kulteli ” gjerësa mali të bëhet hi dhe hiri mal përsëri”.

 

Bashkëveprimi, bashkëpunimi, pasioni, atmosfera dhe besimi me njëri-tjetrin  mendoj  se janë obsionet e vetme, pa të cilat ne  shqiptarët vështirë  mund të mbrojmë interesat, apo të realizojnë synimet tona kombëtare. Një mërgatë shqiptare e përçarë, e ndarë sipas bindjeve politike, kurrësesi nuk mund t’i shërbejë kombit të vet apo dhe  trojeve etnike të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Prandaj  është koha  që shoqatat shqiptare, respektivisht diaspora jonë në Amerikë të ecin shpejt drejt rrugës së bashkëpunimit. Atje zëri i shqiptarëve gjeti mbështetjen më të madhe nga Administrata Amerikane, dhe konkretisht nga senatorë  dhe kongresmenë amekrikanë, dashamirë të çështjes shqiptare.  Kemi nevojë për një erë të re të bashkëpunimit të ndërsjelltë  për një bashkërendim të përvojave, të mençurisë dhe fuqisë sonë intelektuale, të mbushur me projekte konkrete. Harmonizimi dhe koordinimi i potencialit   të gjithanshëm që zotërojnë shqiptarët ( malësorët)  e diapsorës  në Amerikë  është një mundësi e shkëlqyer  për të ndihmuar  realizimin e kërkesave të  vëllezërve të tyre në vendlindje.

Ne vëllezërit tuaj, në Mal të Zi e vlerësojmë  dhe e mirëpresim bashkëpunimin tuaj. Na bëhet zemra mal dhe urojmë që të jenë sa më të bashkuar shqiptarët me origjinë nga Malësia jonë e Madhe. Po ashtu urojmë me gjithë zemër që shqiptarët në dhe të huaj, ta duan shqiptarinë e gjuhën shqipe, të lidhen e të bashkohen me njëri-tjetrin, të ndërmarrin edhe nisma tjera kulturore, artistike dhe, sigurisht, edhe mbështetje për ecurinë e mëtejshme të rrjedhave pozitive të shqiptarëve e të shteteve shqiptare në Shqipëri, në Kosovë e në të gjitha hapësirat jetike ku rrojnë ata.