Arlinda Sukaliqi me libër që shtjellon tema shumë me interes

November 10, 2014   | Kulturë / Kultura

Arlinda Sukaliqi-UlqinNë libër sidomos në pjesën e parë të saj një vëmendje të veçantë autorja ia kushton temave kyçe siç janë: Mjeshtëria e të pyeturit në mësimdhënie, Vështirësitë në mësimdhënie, pastaj bënë fjalë për planifikimin dhe vlerësimin e mësimit ku përfshihen qëllimet dhe funksionet e planifikimit…

Ali Gjeçbritaj

Libri, “METODOLOGJITË BASHKËKOHORE TË MËSIMDHËNIES është një libër me mjaft interes për lexuesin, për ata që janë të lidhur me arsimin dhe shkollën e sidomos për ata që janë të lidhur me profesionin e mësimdhënësit dhe jo vetëm, por edhe për prindërit e nxënësve dhe për lexuesin e gjerë. Themi kështu sepse autorja Arlinda Sukaliqi në libër shtjellon tema shumë me interes dhe tejet të rëndësishme që kryekëput kanë të bëjnë me shkollën dhe arsimimin e brezit të ri.
Libri, “METODOLIGJITË BASHKËKOHORE TË MËSIMDHËNIES” ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë autorja bën fjalë për metodat e mësimdhënies dhe rëndësinë e tyre në të nxënë, mjeshtërinë e të pyeturit në mësimdhënie, për vështirësitë në mësimdhënie, për planifikimi dhe vlerësimi i mësimit, vazhdon me shtjellimin e temës mjaft interesante, mësuesi dhe nxënësi, pastaj me standardet e përgjithshme e të mësuarit e kështu me radhë. Në temat e lartpërmendura lexuesi do hasë në qasje që ka kohë që i mungon lexuesit, sidomos atij që merren me profesionin fisnik të mësuesit. Në një pjesë të librit autorja për mësuesin shprehet ”mësuesi është prind, manexher, është shok, është trajner i ekipit, ku në këtë rast ekipi janë nxënësit” në një vend tjetër për metodat mësimore ajo shprehet: detyra jonë është t’i pajisim ata, pra fjala është gjithmonë për metodat mësimore, me një gamë të gjerë mundësish për t’i përdorur ato në mënyrë të tillë që të jenë të suksesshme në detyrat e ardhshme . Në libër sidomos në pjesën e parë të saj një vëmendje të veçantë autorja ia kushton temave kyçe siç janë: Mjeshtëria e të pyeturit në mësimdhënie, Vështirësitë në mësimdhënie, pastaj bënë fjalë për planifikimin dhe vlerësimin e mësimit ku përfshihen qëllimet dhe funksionet e planifikimit, Plani mësimor dhe përbërësit e planit ditor i kushtohet një vëmendje e veçantë në një tekst të këtij doracaku, rëndësia dhe planifikimi i mësimit, vlerësimi i mësimit, qëllimet e vlerësimit, tipet e vlerësimit të mësimit, vetëvlerësimi etj., janë tema që trajton autorja në fund të pjesës së parë.
Kapitullin e dytë autorja e nisë me temën: Edukimi i fëmijës art dhe dituri. Në këtë kapitull bëhet fjalë për rregullat e arta të edukimit të fëmijës. Këtu lexuesi do të shohë se sa me vëmendje autorja shtjellon 12 tema mjaft të rëndësishme , do thoja dhe shumë të dobishme për prindërit, fëmijët dhe nxënësit e shkollave fillore. Pse jo edhe të edukatorëve në kopshte dhe mësueseve në shkolla. Temat siç janë: Të mësosh nga fëmijët është kënaqësi, Mosha shkollore, Përgatiteni fëmijën tuaj për në shkollë janë aq të dobishme për prindërit dhe mësuesit sa edhe vet puna që bëjmë ne si prindër me fëmijët tanë. Autorja e mbyll librin me katër tema: Dënimet vetëm atëherë kur duhet, Antivlerat e rrezikshme, Ata nuk mund të presin shumë, dhe përfundon me temën, Stina e verës dhe rreziqet e saj ndaj fëmijëve.
Qasje analitike të thuktë dhe me mjaft interes për lexuesin, s’do mend , autorja u ka bërë temave që shtjellon në libër. Duke qenë se Arlinda është vetë protagoniste e shumë këtyre temave, ngase është mësimdhënëse e ka patur lëndën që shtjellon shumë afër.
Lexuesi kur ta lexoj librin do të ketë një pasqyrë të qartë dhe do të bindet se Arlinda Sukaliqi ka bërë një punë të madhe në shtjellimin e temave. Konsideroj se ka shumë kohë që një përmbledhje e tillë nga lëmia e arsimit nuk është botuar në shqip në Malin e Zi.
Në fund një thënie, që nuk është e imja, por unë shpesh e përdorë thotë: letra e bardhë dhe lapsi pranë sajë për shumë kënd janë të frikshme. Fjalët i merr era. Çdo gjë që shkruhet mbetet. Arlindës, duke e njohur mirë, asnjëherë nuk i ka munguar guximi qe t’i hedhi ne letër shumë gjëra. Unë e përgëzoj për këtë nga zemra./KultPlus.com