Konferenca mbi shqiptarët në Mal të Zi – Conference press release

November 10, 2014   | Bota

Konferenca mbi shqiptarët në Mal të ZiNga Frank Shkreli

SHËNIM:  Tre javë më pare kisha shkruar mbi planet për mbajtjen e një konference ndërkombëtare  mbi gjëndjen e Shqiptarëve në Mal të Zi, — konferenca e dyztë mbi këtë subjekt — e cila u mbajtë më 1 Nëntor në sallën historike, “Meadow Brooke Mansion” të Universitetit Oakland në Roçester të Miçiganit. Konferenca u sponsorizua
nga Departmenti i Shkencave Politike dhe Enti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani.  Gjatë konferencës u  paraqiten referate nga akademikë dhe specialistë nga Shtetet e Bashkuara  dhe ekspertë të ftuar nga trojet shqiptare në Ballkan dhe nga Europa.  Gjatë punimeve të konferencës, specialistë të fushave të ndryshme mbi gjëndjen e shqiptarëve në Mal të Zi,   diskutuan, ndër të tjera, çështje siç janë arsimi, të drejtat e njeriut dhe të kulturës së shqiptarëve në trojet e veta autoktone nën Mal të Zi.  U mbajtën referate mbi subjekte që prekin jetën e përditëshme të shqiptarëve në Mal të Zi, siç janë qeverisja vendase,   aplikimi i ligjit ndërkombtar, por edhe mbi rolin që luan ose duhet të luaj Bashkimi Europian në promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare, e veçanërisht të drejta e shqiptarëve në Mal të Zi.
Kjo konferencë u mbajtë në kohën e duhur për të tërhequr vëmendjen e botës, por veçanërisht vëmendjen e Shteteve të Bashkuara karshi situatës së shqiptarëve në Mal të Zi, e cila sipas vetë atyre që jetojnë atje është një gjëndje në të cilën ata e ndjejnë veten të diskriminuar në shumë fusha që preku Konferenca në  Universitetin Oakland të shtetit Miçigan në SHBA.  Vetëm ditë e fundit mësuam se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka në plan të organizojë atë që organizuest e cilësojnë si një “Protestë për dinjitet”, duke i thënë Stop Diskriminit, sidomos në fushën e arsimit, duke shtuar se “duam të arsimohemi si shqiptarë”.  Në njoftimin  e tyre për protestë para Komunës së Ulqinit të premtën me 14 nëntor, organizuesit bëjnë pyetje nëse politikanët shqiptarë të atyre trojeve do të marrin pjesë në atë protestë paqësore.  Konferenca si kjo që u mbajtë në Shtetet e Bashkuara mund të venë në dukje hallet dhe situatën jo të drejtë, në krahasim me të tjerët, të shqiptarëve nën Mal të Zi,  dhe ekspertë si këta që morën pjesë në këtë konferencë, shqiptarë dhe të huaj,  ndonëse ia paraqsin situatën e shqiptarëve botës, ashtu siç është dhe siç knaë bërëe dhe më parë, është pjesmarrja   dhe qëndrimi i përbashkët i  shqiptarëve pa dallim e sidomos bashkimi i faktorëve politikë shqiptarë atje, që të kërkojnë të drejtat që u takojnë atyre në bazë të konventave ndërkombëtare dhe në bazë të vet ligjeve të vendit.
Konferenca që u mbajtë në Universitetin Oakland të shtetit Miçigan është meritë e të gjithë pjesmarrësve dhe diasporës shqiptare në Amerikë, por mbi të gjithë është një kontribut që bashk-organizatorët e ksëaj konference, Profesorët shqiptarë në Amerikë, Shinasi Rama dhe Viktor Ivezaj i dhanë çështjes së shqiptarëve nën Mal të Zi dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në trojet e veta.
Frank Shkreli