Teuta Nunaj: Ne, si e keqja e vetes sonë – rasti i Ulqinit

December 2, 2014   | Lajmet / Vijesti, Real Estate

Teuta NunajTeuta Nunaj

Ka qenë viti 1999, kur me dëshirën e sinqertë për të mirën e vendit tim, parashtrova pyetjen se kur do të bashkohej kombi shqiptar dhe përgjigjja që mora, ishte vështirësisht e konceptueshme para 15 vjetësh, por e pranueshme dhe lehtësisht e kuptueshme sot: “Bashkimi do të ndodhë në BE”, atje ku kufijtë humbasin vlerën, që perceptojmë ne sot. Përpos të gjitha gjërave pozitive, që ne shqiptarët bëjmë për vendin tonë, të cilat merren edhe me rezerva, përpos të gjithë patriotizmit që shfaqëm me qëndrime dhe reagime postBeograd, sërisht ka një shumësi gjërash, që shqiptarët nuk i bëjnë në dobi të vendit. E thënë në këtë mënyrë, mund të godasë, por nëse pranojmë se e vërteta “vret”, atëherë ta pranojmë dhe të vërtetën reale dhe nëse nuk e duam, le ta ndryshojmë. Le t’i marrim me radhë, vetëm qëndrimet e partive politike shqiptare, në të gjitha trevat autoktone shqipfolëse. Në Shqipëri janë mbi 100 parti politike të regjistruara, por vetëm 12 prej tyre financohen nga taksat e shqiptarëve. Ne kemi një opozitë parlamentare inekzistente, ushtare e vendimeve arbitrare dhe e pafuqishme të ushtrojë detyrat që ligji ia ngarkon. Ndërkohë që në demokraci, opozita duhet të shërbejë si oponencë për shumicën qeverisë, te ne ajo është kthyer në shtojcë reagimesh pa kuptim dhe dobishmëri publike. Kthejmë pak kokën nga Lindja dhe shkojmë në Kosovë. Vetëm pas 6 vjetësh pavarësi, ku institucionet ende nuk kanë themele të forta dhe konstituimi është një proces në vijueshmëri, vendit iu deshën 6 muaj për të formuar qeveri.

E gjitha kjo, se njëri politikan nuk e lëshon karrigen e tij dhe tjetri. Kur BE-ja dhe SHBA-të financojnë ende ndërtimin e institucioneve të shtetit më të ri në Evropë, drejtuesit aktualë politik vijojnë të përdorin të shkuarën e tyre në luftën çlirimtare të Kosovës si CV për marrje dhe ruajtje pushteti. Ulim shikimin në Maqedoni, ku kemi dy forca politike, që nuk rreshtin së sulmuari njëra-tjetrën dhe ku nuk ngurojnë të përdorin trupërisht mes tyre forcën fizike edhe në parlament. Kemi një parti që është rrënjosur në pushtet, që për të rritur jetëgjatësinë e saj politike në sundim të shqiptarëve, bën kompromis me fatet e tyre, nuk mbron të drejtat kushtetuese që ligji garanton për shqiptarët (rasti i gjuhës shqipe) dhe shkon pranë tyre, vetëm kur u duhet vota për zgjedhje. Njëkohësisht, shihet indiferenca e tyre edhe si mospërkrahje ndaj reagimeve të qytetarëve, të cilat i përdorin si mjete për të sulmuar njëri-tjetrin, apo si garë prezantimi mes “intelektualësh” dhe nuk përfshihen, që të bashkëpunojnë për të sjellë vetëm një zë unik shqiptar, që punon ndershmërisht për të mirë të popullit që i ka zgjedhur. Kështu demonstrojnë mënyrën arkaike të të vepruarit dhe primitivizmin në drejtim, duke pretenduar se punojnë “drejtë”, por që në të vërtetë po bëhen çdo ditë edhe më shumë individë snobistë dhe të papranueshëm.

Ngremë sytë drejt veriut, në Mal të Zi, ku shqiptarët zënë rreth 5% të popullsisë (sipas regjistrimit të vitit 2011) dhe janë rreth 8 forca politike që veprojnë ndër ta, ku për çdo qytet shqiptar i bie të ketë përafrisht nga dy parti politike, aq sa kjo ndarje ka rrezikuar dhe drejtimin e komunave shqiptare (rasti i Ulqinit). Protestat e shqiptarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre nuk gjejnë përkrahjen e të gjitha forcave politike, të cilat nuk veprojnë në unison. Politikanët shqiptarë në këtë vend janë mjaftuar me përcjelljen në institucione ligjvënëse dhe ligjzbatuese të kërkesave të tyre, por nuk kanë bërë përpjekje dhe punë të mjaftueshme për të korrur rezultatet e duhura për bashkëqytetarët e tyre, në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave. Siç duket, fragmentizimin politik e kemi në gjen, ku më shumë kemi gjeneralë se ushtarë dhe për këtë fajin nuk na e ka Evropa e vjetër, por vetë ne. Për sa kohë ne do të jemi të ndarë, pa ide, vizion dhe premisa dialogu, tokat autoktone shqiptare do të vazhdojnë të lëngojnë; për sa kohë privatja do mbizotërojë mbi publiken, personalja mbi të përbashkëtën, pragmatizmi mbi objektivizmin, politika shqiptare nën vellon e evropianizit, do të vijojë të jetë e ndryshkur dhe pa mundësi pastrimi; për sa kohë nuk do të ketë tendencë për ndryshime të vërteta, kjo situatë do të vijojë të mbetet e fjetur, pa kokë, pa zgjidhje dhe pa të ardhme si mbrojtëse e të drejtave të shoqërisë shqiptare në tërësi. Kjo është një politikë që mbetet e vjetër në një mijëvjeçar të ri, që sjell zhgënjim më shumë se shpresë; mosbesim më shumë se siguri; indiferentizëm për të përgjithshmen më shumë se angazhim për të përbashkëtën; konflikt më shumë se dialog dhe kjo ndodh, sepse mungon vullneti për të vënë interesin e përgjithshëm të njerëzve dhe kombit, përpara interesit të ngushtë individual.

Por a ka njerëz të mirë që punojnë me dashuri të sinqertë për vendin? Sigurisht që ka dhe do të reshten të jenë edhe në të ardhmen. Por deri më tash, e mira e tyre është lënë në përkrahje të pamjaftueshme dhe nuk po mundet ende të mbizotërojë mbi këtë terren makutërie, që po na dëmton të gjithëve.