Tahir Tahiri: “Kërcënimi” për pushtetin do të jetë vërtet një fluskë sapuni i KKSH-ës

December 6, 2014   | Opinione

Tahir TahiriKëshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në një reagim të publikuar më 05.12.2014, si problematikë “shqetësuese” trajton çështjen e vendosjes nga ana e Ministrisë së Pakicave në MZ, të disa panove- afisheve të cilët promovojnë mbrojtjen e “të drejtave të njeriut”.

Ne këtë reagim thuhet se këto pano të vendosura në qendër të Komunës Urbane të Tuzit e të shkruara vetëm në gjuhën malazeze, janë Akt diskriminues dhe fyerje për popullsinë shumicë shqiptare të Malësisë, konstatim ky shumë i vërtet me të cilin pajtohem plotësisht.
Mirëpo, habitë fakti se si KKSh nuk përmend aspak panotë identike me të njëjtën përmbajtje dhe gjuhë, të vendosura edhe në Qendër të Komunës së Ulqinit , madje që para disa javësh.
Si ka mundësi që KKSh me seli në Ulqin, anëtarët e Këshillit, bashkë me kryetarin, nuk i kanë vërejtur apo shqetësuar këto pano, ashtu sikurse ato në Tuz, apo këto të Ulqinit nuk janë edhe aqe fyese dhe diskriminuese për shqiptarët?
Nga ana tjetër, KKSh lidhur me këtë çështje kërkon që këto pano – afishe, “të korrigjohen dhe të mos përsëriten” sepse siç thuhet ” në të kundërtën në secilin rast të përsëritur do të reagojmë” !!!…?
Pyetjet që shtrohen janë: Çka nëse korrigjimi nuk bëhet? Çka nëse një veprim i tillë, do të përsëritet? Çka nëse reagon përsëri Këshilli? …etj, etj.
Kryetari i KKSh-se, është edhe deputet ne Parlamentin malazez.
Këshilli në përbërjen e vet ka edhe katër deputetë të tjerë, dy kryetarë të komunave e kryetarë të Kuvendeve Komunale ( Ulqin e Tuz), pesë a gjashtë kryetarë të subjekteve politike shqiptare……..!
Të gjithë këta, në një formë apo tjetër janë në Koalicion me Qeverinë, prandaj pyetja tjetër e radhës që shtrohet është: Pse kryetari i Këshillit e faktorë të tjerë politik në Këshillë, nuk reagojnë drejtpërsëdrejti në Parlament apo qeveri? Kush tjetër përveç këtyre ka mandat dhe mund të flasin në këto Institucione në emër të popullit?!!!
Mbase ky do ishte ai “reagimi” PERNJIMEND E SERIOZ!
Në të kundërtën, “reagimi” i sotëm me premisa të gjoja një “kërcënimi” për pushtetin malazez do të jetë vërtet një fluskë sapuni.

Tahir Tahiri Facebook