Gjekë Pjetër Hiri Rudaj , bamirësi i madh i Ulqinit ( 1)

December 11, 2014   | Kulturë / Kultura

Gjekë Pjetër Hiri  RudajGjekë Gjonaj

Në fillimshekullin e kaluar shumica e popullatës së Komunës së Ulqinit, dhe jo vetëm, ka jetuar në   një varfëri majft të theksuar ekonomike, për shkak të rrethanave të njohura të kohës. Njerëzit e asaj kohe, për dallim nga sot në kohën moderne, kur vlerat janë në nivele të ulëta dhe të pamjaftueshme, kanë qenë më solidar, më fisnik, më bujar, më mirëbërës. Ata me veprime konkrete, të sinqerta, të prirur nga shpirtmirësia dhe shpirtmadhësia e tyre dhe ndjenja e vlerave njerëzore   janë angazhuar që të zbusin hallet dhe nevojat materiale të njëri-tjetrit. I këtillë ka qenë edhe Gjekë Pjetër Hiri Rudaj.

Prejardhja e familjes

Ai lindi në Shtoj të Ulqinit në vitin 1894, në një familje malësore, e njohur sidomos për fisnikëri, për mikpritje, për bamirësi,për shpirtmadhësi, për bujari dhe për atdhedashuri. Origjinën e kishte nga fshati Selcë në zemër të Kelmendit, prej nga të parët e fisit të tij Ruda Pretashi dhe Gilë Pretashi, para më se 300 vitesh zbritën në vërri , në Shtoj. U rrit dhe u edukua në një familje patriarkale aristokrate nga babai Pjetri dhe nëna Tringa ( bijë e fisit Frangaj nga Rapsha e Hotit të Malësisë së Madhe) me vlera dhe norma të rëndësishme të kulturës tradicionale të Malësisë, me dashuri, mirësjellje e rrespekt midis pjesëtarëve të familjes dhe me respektin ( nderimin)   ndaj mysafirit dhe mikut të shtëpisë.

Sekreti i kësaj familje, sikur i të gjitha familjeve kelmendase, përveç edukimit fetar ishte kodi moral i saj i pëcjellur ndër shekuj nga brezi në brez, e që janë: mikrptija, besa, ndera dhe burrëria. Këto virtyte shqiptare për familjen Rudaj ishin të shtrenjta dhe të shenjta.

 

Ekonomia shtëpiake

 

Familja Rudaj ishte e madhe. Numëronte deri në 53 anëtarë. Konsideroheshin ndër familjet e pasura në komunën e Ulqinit. Kishin pronë të madhe në Shtoj, rreth 100 hektarë tokë bujqësore, të cilën kjo familje e kishte blerë nga disa familje ulqinake. Dëshmi për këtë është një kopje e kontratë blerjejes në gjuhën turke, që daton nga viti 1857, në të cilën thuhet se “ Gjelo Rudi dhe Mark Gila atë vit kanë blerë për 550o grosh, nga Hysein dhe Beqiri, djemtë e Tul Beqirit, dhe vajza e tij Emina me njohuri të administratës së Sheriatit, në prani të vëllait të Eminës,  tokë në fshatin Shtoj, kufi me Avdullah Katanën deri te kneta dhe me rrugë të madhe … dhe bëhen blerës dhe pronarë të ligjshëm. Këtë kontratë blerjeje e ka nënshkruar dhe vulosur në prani të dëshmitarëve Hys Nuraja, Brahim Ali Dabi, Halil Bali, Nel Haxhi Gjeka, kadia i atëhershëm Shaqir Isufi, me 1857.

Rudajt tokën bujqësore e punonin me pesë çifçi ulqinakë: Beciq, Kaleziq, Durak dhe dy të tjerë. Secili prej tyre, përveç ushqimit dhe fjetjes falas kishin edhe nga një pendë qe, me të cilët punuar tokën, ndërsa produktet bujqësore i ndanin për gjysmë.

 

Pjesë e ekonominë shtëpiake të kësaj familje,përveç bujqësisë ishte edhe blegtoria. Kishin shumë bagëti të imta dhe të trasha. Tufa të mëdha delesh, qengjash, lopësh, viçash, qeshë, dhishë e kuajsh. Zhvillimi i blegtorisë mbështetej në shtegtimet blegtorale, dimrit në fushat e Shtojit dhe verës në kullotat e bjeshkëve të Kelmendit. Këtë përvojë e kanë përdorur deri vonë, kur definitivisht është mbyllur rruga e karvaneve siç është quajtur atëherë, respektivisht   kalimi i kufirit me Shqipërinë. Prodhimet blegtorale të Kelmendit,si: djathi, gjiza, gjalpi e tjerë ishin të përmendura dhe nga ato familja siguronte   mjaft të ardhura.

Humanist i pashoq

I lidnur dhe i rritur në gjirin e një familjeje të njohur për të gjitha ato veti të përmendura Gjeka si i ri trashëgoi shumëçka. Kur dëgjojmë emrin e tij s’mendojmë gjë tjetër, veçse për një humanist të pashoq,për një bamirës të veçantë, dora e të cilit ka qenë e shtrirë në shumë drejtime dhe në të gjitha kahjet, për të qenë afër atyre që vërtet kanë nevojë. Nga cilësitë më të rëndësishme të këtij malësori ka qenë që t’u bëjë njerëzve sa më shumë mirë që mundet, qoftë kjo mirësi monetare, si ushqimi, shlyerja e borxheve , etj., ose mirësi morale, sikurse pajtimi midis dy të ngrindurve, ndërmjetësimi, ndërhyrja në dobi të njerëzve, etj. Moto e tij ishte të jesh human, të mbash qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve.

 

Shpirti i fukarasë

 

Të gjithë ata që e kanë njohur Gjekë Pjetër Hirin kanë një vlerësim unik dhe të vetëm se ai ka qenë dhe mbeti   njeri human, shembull model i bamirësisë. Shumë qytetarë të moshuar të Komunës së Ulqinit me të cilët biseduam më treguan disa episode bamirësie të këtij njeriu të vogël me trup, por me shpirt të madh, e zemër të hapur. Zemra e e këtij kalorësi të humanizmit ishte e madhe, në të cilën kishin vend të gjithë njerëzit pa dallim kombi, race e besimi.

Rrok Hoti, 82 vjeç,nga Shtoji kur e pyeta se kush ka qenë Gjekë Pjetër Hiri dhe si e ka njohur ai atë, m’u përgjigj:

“ Burrë i nershëm, prej nji familje bujare. I ka nimua gjithkuj ç’i ka pas nevojë. Shqiptarve, shkijeve, katolikve, muslimanve,ortodoksve, pleqve e t’rive, grave e fmive, pa dallim. E ka nie vetin keq, kur s’ka perri m’u nimua të tjerëve. Por ka kënë i lumtun e shumë i gëzuem kur e ka kënaq tjetrin kjoftë edhe me gjanë ma të vogël. Ma shpirt mirë e ma dorëdhanë vshtirë s’e ka le ndonji tjetër nanë. Ka kënë shpirti i fukarasë, e nera e mahallsë. Shtylla e konakut dhe faqja e bardhë e bajrakut. I dashtun me gjithkan. Gojamël. Fjalëpak, e punëmath. Njeri me autoritet. Kudo ka shkua mas ti kanë vrapua. Si në katun ashtu edhe ën shehër, e ën pazar, qytetar e katunar . E kanë prit e përcjellë me dashni si ma të mirin e kohës. Kur ai ka dalë në Ulqin në kalin e tij të shalës ulqinakët e kanë prit tue rrah shplakë për shplakë, në shëjë rrespekti që kanë pas për ta. Kur asht ulë Gjeka ën mejhanë atë ditë s’ka lëjua njeri me e shti dorën ën xhep.U ka pagua te tanve ç’i kanë kënë aty. Kavaler si Gjekë Hiri! S’ka muj me ia kalua kush. Shpia e tij ka kënë e hapun 24 sahat për çdo njeri në nevojë. Për të njoftun e të panjoftun. Çdo ditë në shpinë e tij asht shtrua sofra 2-5 herë në ditë vetëm për miq e dashamirë. Sa buka asht hagër në shpinë e tij ? Vetëm i Madhi Zot ën qiell e di! Thuhet se ai u ka falë ulqinakëve në nevojë për festën e Kurban   Bajramit 17 deri në 30 deshë në vjet. Nuk kam nije se ka kthye njeri në nevojë duerthatë. Secilit ia ka njomë dorën. Ia ka kënaq shpirtin. Vaso Jançiqit në Ulqin i ka falë nji kal drith, nji qerre dru dhe lopën me viç. Me nji fjalë ai u ka dhanë shpresë njerzve me jetua ma mirë. Të rrallë kanë kënë burrat si ai në këto vëset tona. Në tri fe, siç thomi ne, s’ka mujt me kënë ma humanist se Gjekë Hiri.”

Edhe Lekë Kola Lugjuraj , tashmë i ndjerë vite më parë më ka treguar një episod nga veprimtaria humanitare e Gjekë Pjetër Hirit.

“ Në kohën kur merresha me tregti kisha ble   derra në Sërbi , të cilët i çova me i   shit në Hercegovinë. Atje më zuni nata , pa i shitë tetanë derrat. M’u deshti me fjet atje. Trokata në disa dyer,por të zotët e shpisë kur u thoja se me veti kam derra nuk më pranuan. Njani prej tyne më dveti :

  • Si e ke ëmnin?
  • “ Lekë, i thaç.
  • Prej nga je? – më tha.
  • Prej rrethit të Ulqinit -Shtojit, ia ktheva.
  • A e njeh Gjekë Pjetër Hirin ?
  • Po si jo. Atë e kam kojshi të parë – iu përgjegja.
  • Atëherë, pra , ti sonte do të flësh këtu, më tha gëzueshëm.

Edhe vetë u gëzova. Falë bujarisë së Gjekë Hirit më mori për krahit dhe më shtini mrënë. Biseduem gjatë si të ishim miq të kahershëm. Kur shtroi darkën m’u drejtua me këto fjalë:

“ Ha biri im e mos u tyrpno! Ti këtu sonte e han bukën tande. Eeee, si më ka prit e përcijellë mua Gjekë Hiri në shpinë e tij në Shtoj!? Si askush tjetër në këto vjetët e mia. Mikpritjen dhe buajrinë e tij nuk do ta harroj sa të kam ymër me jetua. “

(Vijon)