Fuad Haxhibeti: Jemi të gatshëm të menaxhojmë pasuritë e Ulqinit

December 12, 2014   | Intervista / Intervju

Fuad-Haxhibeti-ulqinKryetari i kuvendit komunal dhe zyrtar i Forcës, Fuad Haxhibeti, në një deklaratë dhënë të përditshmes “Dan” theksoj se komuna e Ulqinit i ka të gjitha kapacitetet kadrovike për menaxhimin e resurseve natyrore që në bazë të ligjit deri tani i menaxhon qeveria e Malit të Zi, raporton Portali Lajm.me.

Ai poashtu u  shpreh se decentralizimi është i nevojshëm në të gjithë vendin e jo vetëm në Ulqin.

Deklaratat e z. Haxhibeti dhe përfaqësuesve të partive të tjera politike që veprojnë në Ulqin, erdhën si pasojë e iniciativës së drejtorit të OJQ “Hapi i gjelbër” Xhelal Hoxhiq , i cili u bëri thirrje organeve shtetërore për ndryshimin e  rregullores ligjore dhe kalimin e menaxhimit rë pasurive të Ulqinit në duar të komunitetit lokal. Sipas tij, pasuritë natyrore të Ulqinit si lumi Buna, liqeni i Shasit, Port Milena etj. janë duke u shkatërruar si pasojë e valorizimit të papërshtatshëm, ndotjes, ndërtimeve të pakontrolluara dhe gjuetisë ilegale.

Udhëheqësit e DUA-së dhe PPS-së, Mehmet Zenka dhe Andrija Ćetković, edhe pse në parim janë pro decentralizimit, shprehin dyshime mbi kapacitetin e pushtetit aktual për menaxhimin e këtyre pasurive.

Për këshilltarin e pavarur Dritan Abazoviqin, menaxhimi i resurseve nga komuniteti lokal nuk mund të jetë më i keq se menaxhimi i deritanishëm nga qeveria e Malit të Zi. Duke shprehur rezerva për mundësitë e pushtetit lokal që ta përballojë këtë punë, ai është i mendimit se zgjidhja më e mirë do të ishte arritja e një konsenzusi në lidhje me menaxhimin e këtyre pasurive.

Kategorikisht kundër kësaj iniciative është kryetari i PDS-së në Ulqin Loro Nrekiqi, i cili thekson se qeveria e Malit të Zi ka bërë ruajtjen e këtyre resurseve dhe se investitorët do të paraqiten eventualisht. Për z. Nrekiq  kjo iniciativë, e cila nuk ka as bazë ligjore, nuk është kurrgjë tjetër veçse lojë politike.