Lejet e drejtimit të automjeteve njihen nga sot edhe në Malin e Zi

December 15, 2014   | Bota, Real Estate
Lukshic-HaxhinastoShqipëri – Mal i Zi, firmosja e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë e lejeve të drejtimit të automjeteveTiranë, 15 Dhjetor 2014 NOA.al – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë Edmond Haxhinasto dhe Zv.Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe për Çështjet Evropiane të Malit të Zi z. Igor Luksic nënshkruan ditën e sotme marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve mes dy vendeve.

Nga pala shqiptare, proçesi i negocimit është ndjekur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Negociatat mes dy vendeve janë zhvilluar nga autoritetet kompetente përkatëse.

Njohja për herë të parë, e lejeve të drejtimit kombëtare me Malin e Zi sjell lehtësira për lëvizjet e qytetarëve për qëllim qarkullimi në territoret e dy vendeve.

Kjo proçedurë u krijon shtetasve shqiptarë mundësinë të punësohen si drejtues automjetesh të ndryshme në Malin e Zi, me të drejta të barabarta me shtetasit malazezë, në përputhje me kategoritë në lejen e drejtimit që disponojnë.

Kjo marrëveshje vjen mbas nënshkrimit të marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Italinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë.

Të gjitha qeveritë e majta dhe të djathta kanë premtuar vazhdimisht njohjen e lejeve të drejtimit shqiptare në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, sidomos në Greqi, por asnjëherë kjo nuk u bë e mundur ashtu si me vendet e rajonit dhe Italinë. /a.d./

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA