Vëllezërit Mark e Kolë Miri , shembull biblik i qëndresës njerëzore

December 25, 2014   | Kulturë / Kultura

Vëllezërit Mark e Kolë MiriGjekë Gjonaj

 

Malësia e Madhe historikisht është njëra ndër krahinat më të njohura shqiptare, ku u ruajt tradita, besa, burrëria, feja dhe çdo gjë e bukur dhe e madhërishme që i takon kombit shqiptar. Malësorët, përveç besës e burrërisë, janë shquar edhe për burra e trima në shërbim të çështjes shqiptare, për një qëndresë të gjatë historike dhe një sakrifikim sublim për kombin. Bijë të denjë të kësaj trevë kanë qenë, janë dhe do të mbeten përherë edhe vëllezërit Mark dhe Kolë Miri Dedvukaj,nga dera e famshme e Dedë Gjo’ Lulit.

Një fëmijëri, e pa fëmijëri

Të lindur në Bardhaj të Hotit, në një familje atdhetare me tradita të lashta përparimtare, nga dera bujare dhe atdhetare e shquar për zjarrin e ndezur luftarak, sidomos nga Kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1911 e këndej, Mark dhe Kolë Miri u brumosën me tiparet më pozitive të traditës shqiptare. Ndikim të veçantë në formimin kombëtar të këtyre dy burrave legjendarë të Malësisë, veçmas kishte prijësi i pamposhtur i Malësisë, Dedë Gjo’ Luli Dedvukaj, i cili me bashkëluftëtarët e tij trima malësorë ngriti Flamurin kombëtar, më 6 prill të vitit 1911, në Bratilë afër Deçiqit, për herë të parë pas pesë shekujsh robërie.

Fëmijëria e vëllezërve Miri ishte e ngjashme me fëmijërinë e fëmijëve të tjerë të rritur në fshatrat e Malësisë. Me një fajlë fëmijëri e pa fëmijëri. Kohë të vështira. Varfëri, skamje, terr, dhunë dhe robërim. Megjithatë falë edukimit familjar   që nga mosha e njomë Marku e Kola u brumosën me cilësitë që i duhen çdo shqiptari . U rritën dhe u farkëtuan në frymën e atdhetarizmit, që njëheri është edhe  misioni më i shenjtë i të parëve tanë.

I dogjën, i torturuan, por nuk u shuan

Forcat e Ndjekjes komuniste shqiptare, të udhëhequra nga Toger Baba, që kishin ardhur nga shteti amë për të ndihmuar Ushtrinë e Jugosllavisë,   në vitin 1947 , kërkonin për t’i vrarë vëllezërit Miri, të cilët atë kohë dimri e acari kishin gjetur strehim në bjeshkët e bukura e të ashpra të Bukoviqit. Kolë Miri pati fatin e keq dhe u kapë nga komunistët shqiptaro-serbë. Ata sapo e zunë e lidhën këmbë e duarshë dhe brij tij ndezën dy zjarre të mëdha, duke e futur midis tyre për ta torturuar, duke kërkuar nga ai të tregojë se ku gjendet kapiten Gjelosh Luli, ( 1906-1946) prijës i forcave nacionaliste shqiptare. Por Kola, i cili i kishte dhënë besën e Zotit vëllait të tij të vjetër Markut se kurrë për së gjalli nuk do të tregojnë se ku gjendet miku i tyre i shtrenjtë, trimin Gjelosh Luli, edhe përkundër torturave dhe mundimeve   johumane  të komunistëve , nuk nxori asnjë fjalë. Kështu komunistët e pashpirtë e dogjën mishin e Kolës, por ai nuk u shua. Kola i lidhur duarëve me tel të trashë,   me ndihmën e Marash Lushk Dushajt të Trabionit dhe familjarëve të tij, arriti të ikë dhe t’u shpëtojë breshërive të plumbave të forcave ushtarake të sigurimit shqiptar. Ky burrë i ndershëm, fisnik, bujar e besnik, pranoi me u sakrifikua, për të shpëtuar jetën e patriotit të madh Gjelosh Lulit, figurë e shquar e Lëvizjes antikomuniste. Qëndroi i fortë si shkëmbi. I shpëtoi jetën Gjelosh Lulit. Nuk e theu besën shqiptare. Shembull biblik i qëndresës njerëzore.

Tregimet e Kolё Mirit,shkruan ish – gazetari i “Zërit të Amerikës” , Gjekë Gjonlekaj, janё rrёfimet mё trishtuese qё kam dёgjuar nё jetё. “E kishin rrahur qindra herё. Shumё herё ia kishin drejtuar tytat e pushkёve pёr ta vrarё. Ia kishin thyer krahun me qyt tё pushkёs. Mё nё fund tregonte Kola e kishin zhveshur lakuriq dhe futur nё hell mes dy zjarresh. Kola tregonte se luftёn mё tё madhe e bёri kur ata kёrkuan ta zhvishnin lakuriq. Nuk pranova asesi tregonte Kola. Hiqi brekёt mё thanё. Jo pёr tё gjallё ishte pёrgjegjur burri i Malësisë. Po edhe Krishti ёshtё zhveshur lakuriq thanё ata .Jo nuk ёshtё e vёrtetё, Krishtin nuk e keni parё kurrё lakuriq. Bile as nё Kryq nuk ёshtё lakuriq. Tёrё kohёn mё mbanin lidhur nё hekura. Nё ato çaste nuk e kisha frikё vdekjen. Kur mё futёn nё hell mes dy zjarresh e ndjeva veten tepёr tё trishtuar. E panё se ёshtё e kotё dhe mё larguan prej zjarrit. Njёri prej tyre mё nxori musteqet dhe si pasojё mё shkonte gjaku rrёke. Mё jepnin vetёm ujё pёr tё mё mbajtur gjallё. Kishin frikё se mund tё vdesё pa u treguar se ku e kishim strehuar Gjelosh Lulin”, shkruan Gjonlekaj.

 

Nga ana tjetër vëllai i madh i Kolës, Marku kapet nga forcat jugosllave ( Bajo Stankoviq) dhe dënohet me tetë vjet burg. Marku i pyetur nga gjykatësi Gjuroviq në procesin e përsëritur gjyqësor për motivet që e kanë detyruar të vëjë jetën e tij në rrezik për antikomunistin e madh Gjelosh Lulin, është përgjigjur:

Shoku gjyqtar! Do t’ flas t‘ vërtetën e ti merre si t‘ duesh. Ta jap besën e Zotit edhe ti tëm kishe ra n’ dorë, si m’ ka ra Gjelosh Luli, t’ njajtën gja e kisha ba edhe për ty edhe për çdo njeri tjetër e jo për ata çi e kam kushri.

Ater gjykatsi, çi duket ite pa kën i njer i mirë, lapsin çi e kite n’ dorë e lëshou më tavolinet, vuni gishtin n’ tamthin e djathtë, e shikjoi Markun e pas pak, tha:

-T’ lumtë shoku Mark! Do ta marr parasysh këtë pranim tatin t‘ sinqertë e burrnor.(1)

Pas këtij procesi Markut i ulet dënimi në tri vjet heqje lirie.Ndërkohë, Kola më parë ishte dënuar me tre muaj burg pasi Marku e kishte marrë përsipër   të gjithë fajin dhe përgjegjësinë.

Ky rrëfim u ngjanë atyre rrëfimeve të lashta   që i kemi dëgjuar nga goja e gjyshërve dhe gjysheve tona për burra të tjerë trima shqiptarë, si dhe të tregimeve të njohura rrënqethëse nga letërsia botërore.

Mark Miri lindi në vitin 1907 dhe vdiq në vitin 1989,kurse vëllai i tij Kola lindi në vitin 1911 dhe vdiq në vitin 1992. Të dy janë varrosur në varrezat madhështore në fshatin Vuksanlekaj, afër Tuzit.

Qytetarë Nderi i Shkodrës

Prefektura e Qarkut të Shkodrës Kolë Mirin Dedvukaj e ka nderuar me titullin “ Qytetar Nderi “ pas vdekjes. Dekorata e dhënë më 14 dhjetor 2012 mbanë motivacionin: “ Për kontributin e dhënë në çlirimin e trojeve shqipëtare brenda dhe jashtë kufijve aktual të vendit në vitet 1920-1943-44. Por mbas çlirimit të atdheut si bashkpunëtorë dhe mbështetës i patriotit Gjelosh Luli detyrohet të arratiset nga Shqipëria për në Bardhaj të Trabionit ku ndiqej nga komunistët shqipëtar dhe ish-jugosllav. I rrethuar nga forcat e sigurimit në vitin 1947 i shpëton jetën patriotit   Gjelosh Luli. Mençuria, Besa, Burrëria dhe atdhedashuria bënë që ky burrë të mbetet në histori për fisnikëri dhe qëndresë të rrallë në torturat më ç’njerëzore duke e vënë në “ Hedhë” mes dy zjarresh për të treguar kolonelin ( zogist), armikun e ashtuquajtur Gjelosh Lulin. Vepra e tij e rrallë shkruhet dhe këndohet në libra dhe në këngët e lahutarëve të Malësisë së Madhe. Vepra e tij patriotike dhe atdhetare na frymëzon për të qenë krenar të brezave në vazhdim”.

Kjo dekoratë mban firmën e   Lulash Nika, kryetar dhe Gledis Çeliku, sekretar i Prefekturës së Qarkut të Shkodrës.

 

Vdekja tragjike e nipit në Amerikë

 

Familja e Mark dhe Kolë Mirit përjetoi një ngjarje tepër të hidhur familjare në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Në tragjedinë e 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju-Jork, në vendin ku u rrëzuan Kullat Binjake humbi jetën nipi i Kolë Mirit , Simoni. Ai  në moshën 26 vjeçare u bë njëri prej afro tri mijë viktimave të pafajshme   të sulmit terrorist.Bashkë me dy shqiptarët e tjerë nga Mali i Zi, Rrok Camaj dhe Man Gjonbalaj, hyri në historinë e heronjve amerikanë.

Vdekja e Simonit në lulen e rinisë për familjarët është një dhimbje e madhe, që nuk shërohet kurrë. E ëma e Simonit Vitorja, shkruan kolegu Beqir Sina,  ruan si “ syt e ballit” albumet e tij dhe shumë artikuj të shtypit amerikan dhe shqiptar, të cilët i ka mbledhur e sistemuar si “pikat e lotit”, të cilat i derdhë sot e sa të jetë gjallë për më të dashurin e zemrës së saj, të cilit i ka kushtuar këtë vajtim:

Vështirë djalë e kam për ty –zëmrën në vorrë e lotë në sy !

Më dridhet toka dhe më zihet Qielli –dhe as dritë nuk po më bënë ma Dielli !

S’ta shohë trupin,e flasë më ty –në zëmër të kam dhe s’të shohë me sy !

Nuk po mundem me durua –veç me ty dua me kuvenua !

Se me nadje të 11 shtatorit heret je çua,me shkue në punë djalë dhe me punue!(2)

Pas kësaj tragjedi u gjetën disa eshtra nga trupi i Simonit dhe u varrosën me nderime të mëdha në Memorialin e tij, në varrezat “Dyert e Parajsës” .

I përjetshëm qoftë kujtimi për këta pinjollë të fisit të ndershëm të Dedë Gjo’ Lulit !