Mexhiti: Pse po largohemi nga vendi ynë?

December 28, 2014   | Rajoni / Region

Zekirja MexhitiShkruan: Zekirja Mexhiti

Ikja masive e shqiptarëve e posaçërisht largimi masiv i të rinjve nga vendi drejtë një ëndrre imagjinare e për një jetë më të lumtur në perëndim është një problem që duhet ta brengosë çdo qytetar.

Është e dhimbshme kur në çdo bisedë me të rinjtë dëgjon dëshirat dhe planet e tyre për të migruar në vendet evropiane. Është edhe më shqetësuese kur sheh se si planet e së ardhmes për vendin tone thuajse se janë shuar nga po të njëjtit. Çdo ditë shprehin pasigurinë e tyre për një të ardhme që duket se nuk do të ndryshojë kurrë. Ata duken se po lundrojnë si një anije e humbur në një shoqëri ku perspektivën dhe mbijetesën e shohin shumë të vështirë.

Parashtrohet pyetja se pse po ndodh kjo dukuri? Sigurisht gjendja e vështirë ekonomike, sociale ka bërë që të gjithë qytetarët të ëndërrojnë vendet evropiane me të vetmin qëllim, për një jetë më të mirë. Për shumë shqiptarë të rinj, jeta në vendin e tyre është shumë e vështirë dhe si rezultat në këto dy dekadat e fundit një numër i jashtëzakonshëm i tyre janë drejtuar vendeve të tjera për të siguruar jetesën drejt vendeve të BE-së, por edhe vendeve të tjera të largëta të SHBA-së, Kanadasë dhe Australisë.

Papunësia e madhe dhe mos-siguria për të ardhmen, korrupsioni, rrëmuja në të gjitha anët ka bërë që të rinjtë çdo ditë e më shumë të mbushen me dëshpërim dhe të largohen për të mos u kthyer më. Të gjithë jemi në dijeni se ekziston varfëri në të gjitha anët, është rënduar gjendja bile disa njerëz problem e kanë edhe për të siguruar ekzistencën por këto nuk janë arsyeje për ta braktisur vendlindjen.

Pse të largohemi kur ne mundemi të bëjmë më të mirën për vendin tonë? Nëse të gjithë ne do të largohemi nga ky vend, atëherë kush do ta përmirësojë vendin tonë? Kush do të kujdeset për tokat që dikur janë mbrojtur me gjak nga të parët tanë? Kush do të mbjellë në pranverë, kush do të korrë në vjeshtë, kush gjatë dimrit do të heqë borën rrugëve të bllokuara? Madje, kush do të kujdeset që pragjet e shtëpive tona të mbahen të pastra dhe mos të harrojmë se edhe SHBA-ve iu deshën mbi dy shekuj punë e djersë për të arritur në zhvillimin që bota ua njeh sot?

Ikja nga atdheu është e imponuar. Është shumë e qartë se problemi social e ekonomik janë faktorët kryesor qe kanë bërë shumë shqiptar të ikin nga më të dashurit e tyre e nga mëmëdheu, e te jenë argat i të huajve, por ti them stop më, pse mos punojmë ne pse të mos e bëjmë të zhvilluar vendin tonë të cilit do ti’a kishin lakmi të huajt të emigrojnë në vendin tonë?

Sidoqoftë, them se të gjithë të rinjtë tani po veprojnë në mënyrë stihie dhe euforike pa analizuar mirë gjërat dhe pa i pjekur mirë mendimet marrin kësi lloj vendimesh por i siguroj se këto vendime janë shumë të gabuara dhe i apelojë që të mos dorëzohen të punojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre. Të gjithë përveshim krahët dhe të punojmë ditë e natë për të zhvilluar vendin tonë, për tua ndërtuar edhe brezave të rijnë një të ardhme më të mirë.

indeksonline