Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, “Art Club” shënon sot 24-vjetorin e themelimit të saj

December 28, 2014   | Kulturë / Kultura

Shoqata-Art-Club-Ulqin.1“Art Club” shënon 24-vjetorin e themelimit

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënon sot 24-vjetorin e themelimit të saj.

Viti 2014 paraqet vazhdimin e punës së suksesshme të “Art Club”-it për ruajtjen dhe afirmimin e kulturës dhe shkencës shqiptare në Malin e Zi, përkundër mbështetjes së vogël institucionale, sidomos për kulturën shqiptare në Mal të Zi.

Gjatë këtij viti, “Art Club”-i ka realizuar disa projekte me rëndësi. Kështu, është mbajtur me sukses edicioni i 22-të i manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, duke sjellë në Ulqin emrat më të njohur të letërsisë shqipe dhe ballkanike. Në fushën e veprimtarisë botuese, sivjet janë botuar shtatë tituj të rinj, dy prej të cilave monografi, duke e çuar në mbi 100 numrin e përgjithshëm të librave të botuar nga “Art Club”, si botuesi më i madh ndër shqiptarët në Mal të Zi, ndërkohë që tre tituj të tjerë gjenden në procesin e përgatitjes për shtyp dhe pritet të botohen së shpejti. Shkrimtarët e Shoqatës janë prezantuar në dy festivale: Festivalin e Poezisë “Pranvera Poetike Durrsake” dhe Festivalin Letrar të Shkodrës. “Art Club”-i po ashtu ka organizuar takime me shkrimtarë dhe përurime të botimeve të tij, si dhe të revistës “Lemba” në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

“Art Club” falënderon të gjithë donatorët që e kanë mbështetur në realizimin e projekteve të tij.

SHAI “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit. Ajo është një ndër shoqatat më të vjetra të shoqërisë civile të krijuara në periudhën e pluralizmit, jo vetëm ndër shqiptarë, por në tërë Malin e Zi.

 

Ulqin, më 28 dhjetor 2014