Aleksandër Stipçeviqi yll i pashuar dhe gur ciklop i ilirologjisë – Nga Mehmet Latifi

December 29, 2014   | Ngjarjet - Events

Aleksandër Stipceviqi-Mehmet LatifiAkademik prof.Dr. Aleksandër Stipçeviqi, kolosi dhe ylli i pashuar, shtylla-boshti kurrizor i ilirologjisë, ka disa muaj që nuk gëzon shëndet, pas një sulmi hemorragjik dhe hospitalizimit të detyrueshëm në Spitalin e specializuar në Toplice. Për fat të keq, gjendja shëndetësore jo vetëm që nuk përmirësohej, por ajo edhe më tej përkeqësohej, duke humbur dalëngadalë funksionet e organeve dhe ekstremiteteve.

Kohëve të fundit, gjendja është përkeqësuar tej mase, sa që  Akademik prof. Dr.Aleksandër Stipçeviqi- ose siç e quajmë miqtë dhe të afërmit “Shandri” është në gjendje jokontaktibile, me humbje të shpeshtë të vetëdijes, si pasojë e sëmundjes së rëndë që e ka përplasë në shtrat dhe e ka bërë të palëvizshëm.

Konsiderata, respekti dhe nderimi që meriton ky kolos, ky yll i ilirologjisë, ballkanologjisë, albanologjisë e fushave tjera shkencore, e vizitova Atë në Qendrën për persona të moshuar në rrugën “Vjekosllav Klajiq” No.10, në dhomën 520, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Angjelka Stipçeviq, e cila më bëri të ditur se tashmë askënd nuk e njeh.

Pasi ajo u përshëndet, ia vuri syzat në të cilat i ka të montuar aparatet për dëgjim dhe iu drejtua me fjalët: “A e shoh kush të ka ardhur për vizitë”-duke aluduar në mua!. Për fat të mirë me një reagim zëri të shterur sinjalizoi se e kuptoi pyetjen dhe se më njohu. Ju afrova e përqafova, ia shtrëngova dorën e djathtë (atë të shëndoshë) dhe me lot në sy shikuam njëri tjetrin pa bëza!

I kisha përgatitur një album me 100 fotografi nga takimet e ndryshme në Strugë, Ulqin, Zagreb e gjetiu dhe ia tregova. E mori dhe e shfletoi një për një albumin me foto. Në ndërkohë ia tregova emblemën me stemën e Komunës së Strugës që ma dha kryetari i Komunës së Strugës Ziadin Sela, së bashku me një plis të bardhë, dhe pasi ia hapa emblemën e shikonte dhe e mbante në dorë.

Moment shumë prekës ishte kur ia tregova plisin…atëherë e la emblemën, e mori plisin me dorën e vet dhe ashtu i shtrirë, pa fjalë, pa komunikim e vuri në kokë!!! Vënien e plisit në kokë bashkëshortja e tij Angjelka e përcolli me fjalët: “Ashtu, vere në kokë, ta dinë të gjithë prejardhjen tënde”. I bëra një foto me plis në kokë së bashku me bashkëshorten e tij, por edhe unë u fotografova pranë këtij kolosi të shtrirë, por me plis në kokë.

Pasi kaloi koha e vizitave, u ndamë me Akademik prof.Dr. Aleksandër Stipçeviqin, duke i dëshiruar shëndet dhe shërim, i vetëdijshëm për gjendjen e tij, por nuk përjashtoj edhe mrekullitë që mund të ndodhin, sepse ishte tepër e rëndë me e shikuar atë kolos të madh ashtu të shtrirë…

Kush është Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi dhe çka thonë disa nga emrat e spikatur të shkencës ?:

Akademik Aleksandër Stipçeviqi, është i mirënjohur në mbarë botën si ilirologu më i madh i gjallë, arkeolog, albanolog, ballkanolog, bibliotekist, etj, i  cili tërë jetën e tij është marrë dhe vazhdon të mirret (krahas aktiviteteve tjera) me etnogjenezën, prejardhjen e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgo-ilirëve. Në këtë fushë, me studimet e tija të pamposhtura deri më tani, ai ka lënë dëshmi të mjaftuara në gjurmët e pashlyeshme të shqiptarëve si pasardhës të pellazgo-ilirëve. Ky shkencëtar, Akademik 79 vjeçar, ( i lindur më vitin 1930), edhe sot e kësaj dite nuk ka të ndalur në thellimin e etnogjenezës shqiptare.

Akademik Aleksandër Stipçeviqi, ka qënë mentor i 96 studentëve, 34 herë ka qënë mentor për master dhe 4 herë për doktoraturë. Është shembull unikal i mbajtjes së shënimeve, që nënkupton se është një model se si duhet të punohet.

Akademik Aleksandër Stipçeviqi ka dhënë kontribut të pashlyer në zhvillimin e disa disiplinave shkencore jo vetëm  në Kroaci, Kosovë e Shqipëri, por edhe më gjërë, duke qënë personalitet me një diapazon të gjerë, me karakter të shkencëtarit të madh dhe të pakompromis.

Vazhdimisht ka qenë në shënjestër të strukturave e shërbimeve sekrete të MPB-së, UDB-së famëkeqe, që nënkupton shërbimeve të sigurimit, vëzhgimit dhe survijimit, por ai, me formatin e tij të madh prej shkencëtari, me urtësinë që ia kanë zili shumë individ e popuj të tjerë, nuk u nënshtrua dhe nuk u përul trysnive e shantazheve të ushtruara ndaj tij. Këtë nuk e bëri as në vitin 1987, kur publikisht dhe haptas u akuzua për teorinë që ai përfaqëson për ilirët dhe etnogjenezën e shqiptarëve, duke e quajtur  si bashkë-ideolog të “kundërrevolucionit” në Kosovë, bashkë me Ali Hadrin. Ai edhe atëherë qëndroi, por edhe sot qëndron stoik, krenar, dhe me plot dinjitet e mbron ate që ka mbrojtur gjatë mbi gjysmë shekulli të punës së tij shkencore, kërkimore e studimore për ilirët dhe shqiptarët.
Të paktë janë të tillë.

Libri “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”

Libri i tij i fundit-libri më i ri prej 450 faqe, “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, botuar nga Shtëpia botuese “Ibis grafika d.o.o” në Zagreb dhe e ndihmuar nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e arsimit të Kroacisë dhe

Unioni i Bashkësisë së Shqiptarëve në Kroaci- përmes tre kapitujve të mëdhenj, sjell përshkrim të shterrur deri në fund të jetës dhe traditës së arbëreshëve të Zarës.
Kapitulli i parë flet për jetën dhe traditën e arbëreshëve të Zarës, ku autori, edhe vetë arbëresh në mënyrë të përkryer na flet për jetën dhe traditën familjare të arbëreshëve, për muzikën, valët, sportin, karnavalin si dhe për gjuhën-të folmen e arbëreshëve të Zarës.

Në kapitullin e dytë, bëhet fjalë për besimet popullore, ku flitet për të ndjerët, për varret dhe varrezat, për kafshët e llojllojshme, për botën e amshueshme, (botën dhe jetën pas vdekjes), për ekzorcizmin (përbetueshmërinë), zotimet-përgjërimet, ose edhe për disa simbolizma.

Në kapitullin e tretë, në mënyrë të shkurtër flet për letërsinë popullore, duke sjellë një pasqyrë të këngëve nga ato fetare, nëpërmjet këngëve të dasmave-krushqive, deri tek ato të luftës. Po ashtu, aty janë edhe disa tregime, anekdota dhe tregime për jetën si dhe fjalët e urta që janë përdorur dhe përdoren në komunitetin e arbëreshëve të Zarës.

Në parathënien e këtij libri, recensentë të cilit janë Akademik prof. Dr.Radosllav Katiçiq dhe prof.Dr. Zef Mirdita, Akademik Katiçiqi thotë: “Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm  se ka në dorë dhe është duke shfletuar një libër të veçantë. Aleksandër Stipçeviqi, dhe libri i tij  “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës ” ( Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa), në bibliografinë tonë ka vend të posaçëm.  Vite me radhë, në heshtje ishte përkushtuar hulumtimeve, grumbullimeve-mbledhjes së informacioneve nga treguesit, rrëfyesit besnik të traditës, me të cilat ai ka pas qasje më të besuar dhe të verifikuar, për dallim nga të tjerët. Kanë qenë vendasit, komshitë, miqtë familjar që kanë ndihmuar.

Libri i tij, është vepër shkencore, shumë fortë e ndërtuar  dhe monografi e shkruar me mjeshtri, mbi dukuritë e veçanta të arbëreshëve të Zarës, grupit etnik që banojnë në vendbanimin shumë afër Zarës, të cilët e kanë ruajtur gjatë  gati tre shekujve (300 vjet) veçoritë  e theksuara të tyre. Mbi këto të dhëna fondamentale, thelbësore dhe të besueshme, Aleksandër Stipçeviq, hap pas hapi, me një durim të papërshkruar, ndërton fotografinë e kulturës tradicionale të arbëreshëve të Zarës, që është mbresëlënëse dhe e bindshme. Ajo është gjithnjë e ngrohtë dhe e gjallë. Ashtu, në atë mënyrë, ai na i tregon këto dukuri interesante dhe specifike, që deri më tani ka mbetur në pakujdesi dhe e panjohur, ndërsa paraqet pjesën shumë të rëndësishme përbërëse të kulturës kroate, po aq të rëndësishme sa edhe kontinuiteti i traditës etnike shqiptare” përfundon Akademik Katiçiqi. . ”.

Ndërkaq, kryetari asktual i komunës së Zarës, (asokohe ministër i transportit e lidhjeve)   Bozhidar Kallmeta, – po ashtu arbëresh nga Zara, lidhur me këtë ka thënë: Kur është fjalë për librin “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, fjala është për një libër të cilën duhet që çdo arbëresh ta ketë në vitrinën e vet krahas Biblës”.

Akademik Aleksandër Stipçeviqi shprehej: JAM PASARDHËS I MBRETËRESHËS TEUTA

Gjatë vizitave dhe qëndrimeve në Zagreb të Kroacisë, vazhdimisht kam përfituam nga rasti, për të intervistuar arkeologun, ilirologon, ballkanologun, historianin, eruditin, akademikun prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqin, duke e shkëputur për pak kohë nga puna e tij e përditshme studimore, shkencore e krijuese.  Pa dyshim se konsiderohet një ndër shtyllat kurrizore të shkencës në arkeologji. Konsiderohet ilirologu më i madh i gjallë. Duke përfituar nga afërsia, miqësia dhe raportet që kemi mes veti, ai pa hezitim pranoi të deklarohet rreth shumë problemeve që trajtuam. Jam pasardhës i Mbretëreshës Teuta dhe kam së paku një pikë të vogël gjak të Mbretëreshës Teuta-shprehet ai. Mua shpesh  më kanë pyetur nëse ka të bëjë diçka të përbashkët me prejardhjen time ilire, respektivisht shqiptare, që unë merrem me ilirët.

Unë gjithnjë me të qeshur, kamë thënë se po, gjithsesi ka lidhje, sepse unë jam i sigurt se jam pasardhës i drejtpërdrejtë i Mbretëreshës Teuta. Këtë e kam thënë me të tallur e qeshur e edhe tani e them me të tallur e qeshur, sepse mbretërit dhe mbretëreshat kanë pas gjithnjë shumë fëmijë, e ata fëmijë kanë pas shumë fëmijë të tjerë… Ndërsa unë jam me prejardhje pikërisht nga ato vise, ku ka jetuar dhe sunduar Mbretëresha Teuta. Pra, sipas të gjitha gjasave, e kam një pikë të vogël gjaku të Mbretëreshës Teuta- tha Stipçeviqi..

Në bazë të opusit të gjurmimeve, hulumtimeve e studimeve ilirologjike, a mund të thuhet me saktësi se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, Aleksandër Stipçeviqi është shprehur:
Pikë së pari kjo është bërë e ditur që para 300 vjetëve. Aty nuk ka asgjë të re. Mirëpo, Tullmani kur ka shkruar për këtë nuk ka pas aq dokumente sa kemi ne tani. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dokumente historike, por sot disponohet me një sërë dëshmi duke filluar nga ato etnografike e deri tek ato arkeologjike dhe ne sot me shumë saktësi mund të themi se shqiptarët, respektivisht të specifikojmë në mënyrë me precize, se shqiptarët kanë më shumë se të gjithë popujt e Ballkanit elemente ilire.

Ajo që edhe tek shqiptarët ka përzierje është fati i të gjithë popujve të Ballkanit. Mirëpo, nëse duhet të themi se kush janë shqiptarët e sotëm, pjesa më e madhe e atyre  këtu kanë qenë, që nuk kanë ardhur nga askund, nuk ka asnjë dëshmi se ata kanë ardhur nga ndokund, pra ata aty kanë qenë. Sot shkenca tërësisht, nga filologjia, arkeologjia etj pa dyshim dëshmon se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve.

Libri kushtuar ilirologut Aleksandër Stipçeviqit nga disa autor shqiptar e kroat me titull  “ALEKSANDËR STIPÇEVIQIT ME RESPEKT”

Kjo vepër, botuar nga Biblioteka universitare e Zagrebit, përfshinë shumë autor, duke filluar nga Zef Mirdita, Tomisllav Murati, Mirosllav Tugjman e deri tek Ana Barbariq, e cila pos tjerash i përkushtohet edhe   punimeve mentoriale të prof.Stpçeviqit.

Prof.Aleksandër Stipçeviqi, në të vërtetë, në saje të eksperiencës së tij dhe famës ndërkombëtare, që me punimet e veta në fushën e arkeologjisë, albanologjisë, ilirologjisë dhe bibliografisë, ka arritur të klasifikohet në rangun më të lartë ndërkombëtar.

Ndër autorët që paraqiten në këtë vepër kushtuar Aleksandër Stipçeviqit, janë Zef Mirdita “I magjepsur me ilirologjine dhe albanologjinë”; Pavao Galiq, “Gjysëm shekulli në shërbim të librit”;Sllavko Harni, “Bibliografia-dokument i kulturës kombëtare”;  Jure Shonjë, “Leksikograf me stash më të gjatë”; Tomisllav Murati, “fati social i librit”; Sergjo Dokoza, “Rrënjët si gjykim”; Ivana Hebrang-Grgiq, “Censura, faktor i pashmangshëm i zhvillimit të mendimit njerëzor dhe shoqërisë”; Mirosllav Tugjman, “Botoa e njohurive dhe fati i librit”; Ana Barbariq, “Punimet mentoriale të prof.Aleksandër Stipçeviqit” dhe “Bibliografia e punimeve të Aleksandër Stipçeviqit”.

Libri ka afro 300 faqe, ku pos tjerash janë edhe tabelarët, me të gjitha punimet mentoriale të magjistrantëve dhe doktorantëve shkencor në Universitetin e Zagrebit, ku Aleksandër Stipçeviqi ka qënë mentor.
Shandri, (Aleksandër Stipçeviqi), ky shkencëtar më famë botërore, me arbëreshët e Zarës, shokët,  miqët dhe të gjithë ata që e njohin, mbetet Shandri, ndërsa për qarqet kuazishkencore, që përpiqen të hedhin teza të rreme mbi origjinën e shqiptarëve,  është po ai Aleksandër Stipçeviqi, që shprehet “Falë Zotynit, unë jom gjollë (falë të Madhit Zot, unë jam akoma gjallë)”, me mesazh të qartë në nëntekstin se derisa unë të jem gjallë mos pretendoni me shtrembëruar dhe bastadruar e falsifikuar asgjë. .

Akademik prof. Dr. Muzafer Korkuti: Vepra ILIRËT është  “Gur Qiklopik” në historinë Ilire

Rregullisht kartolinën E PARË,  me urimet për Krishtlindje e Vitin e Ri, unë i merrja nga Stipçeviqi.Këtë herë nuk po më vinte kartolina me urimet nga Aleksandri. Nga mesazhi juaj mësova lajmin e pa dëshiruar se Profesori është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Prof.Alesandar Stipçeviqi me veprën e Tij për ILIRËT zë një vend të nderuar e të merituar plotësisht si një ilirolog i shquar e më gjërë edhe në studimet balkanologjike. Vepra ILIRI Historia Jeta kultura,botuar së pari në italisht e mandej në shqip në Prishtinë, në Tiranë dhe e përpunuar, zgjeruar e pasuruar dhe e ribotuar është një  “Gur Qiklopik” në historinë Ilire,
Në vazhdim, akademik Muzafer Korkuti shtoi:” Si arkeolog, bibliograf, ilirolog, balkanolog, e arkivist i shquar  e kulturolog, e dëshmojnë edhe veprat dhe librat e tija të botuara”. Në këtë kontekst, duhet përmendur se akademik Aleksandër Stipçeviqi ka botuar 39 libra-botime monografike. Pas tijë janë 113 artikuj e referime shkencore të botuara shqip, italisht, kroatisht etj, si dhe 77 reçensione vëzhgime etj.
Sipas akademik Korkutit, në veprimtarinë e Aleksandër Stipçeviqit janë dy binary kryesor, e ato janë: arkeologjia dhe bibliografia, që është shumë vështirë të ndashë se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra, sepse janë të ndërlidhura mes veti.
Shqiptarët e sotëm, falë edhe akademik Stipçeviqit, ndihen si pasardhës të vetëm të ilirëve. Ai thotë: “Ilirët nuk janë zhdukur prej Ballkanit as në kohën e dyndjeve të mëdha të sllavëve, e as pas vendosjes së tyre në këto vise”. Këto formula duhet ti dije çdo pasardhës i ilirëve, çdo shqiptar.

Prof.Dr.Nebi Dervishi: Dijetar dhe inspirues për studjuesit e ardhshëm

Dijetar i rrysur, kërkues, gërmues, hulumtues, studiues, mbrojtës i palodhur e i paepur i të vërtetës historike shkencore, prijës në shumë fusha të ilirologjisë, etnografisë, arsimit e kulturës dhe prind shpirtëror i nxënësve e i studentëve të tij të shumtë, mik i dashur i zemrës i kolegëve e i bashkëpunëtorëve. Të rrish pranë tij, (unë pata fatin të rri më 2006 në Strugë e Ohër dhe 2009 në Hotel Grand në Prishtinë), të flasësh me të është jo vetëm kënaqësi, por edhe nder e frymëzim. Rrallëkush i ka dhënë aq shumë popullit dhe atdheut të vet. Rrallëkush u ka vënë shpatullat dhe gjoksin burrërisht punëve hulumtuese, studiuesit, ilirologut, etnologut, historianit për çështje kombëtare, për kulturën e historinë ilire dhe etnografinë arbëreshe, si Akademik Shandri (Aleksandër Stipçeviqi).

Emri i tij është i pandarë nga zhvillimi i shkencës ilirologjike në Tiranë, Zagreb, Zarë, Prishtinë e Shkup, ku roli dhe ndihmesa shkencore dhe organizative e Akademik Stipçeviqit janë të pazëvendësueshme. Në të gjitha organet e shtypit shkencor në qytetet e përmendura, emri i tij qëndron ndër të parët, jo për arsye të moshës, por për arsye të prirjes dhe guximit të studiuesit që i ka.

Kush e ka njohur të ri  Prof. Aleksandrin (Shandrin), gjithmonë ka parë tek ai vetëm energji. Një energji që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Hokatar dhe i papërtuar nga puna, që nisi udhën e vështirë të studiuesit e të hulumtuesit në fushën e ilirologjisë, albanologjisë dhe etnologjisë.

Emri i Akademik Aleksandër Stipçeviq, në sajë të aktivitetit të tij në lëmin e ilirologjisë është i njohur jo vetëm në përmasat albanologjike e ballkanike, por edhe në qarqet ndërkombëtare shkencore.

Prof. Dr. Simë Dobreci: Stipçeviqi bëri shumë për ne shqyptarët

Profesor Dr Aleksandar Stipçeviqi është historian i antikitetit, ilirolog, arkeolog, specialist i bibliotekarisë, akademik. Jeton në Zagreb, Kroaci. Në punimet e tij shihet që është shkencëtar (dijetar) i vërtetë, i aftë dhe i guximshëm. Librat e tij janë dëshmi e së vërtetës, e po ashtu edhe si shenjë që Stipçeviqi është i pavdekshëm. Në punimet e tij shkencore, çdo gjë që ai qet në dritë është e dokumentuar me fakte, me të dhëna të gjithanshme. Për ne shqyptarët ai ka rëndësi të veçantë.

Stipçeviqi vërteton: SHQIPTARËT rrjedhin prej ILIRËVE1.

Veç pak fakte:
–  Veshja e bardhë (qeleshja) ishte e  ilirëve2,3.  .
–  Simboli i gjarprit u krijua në trevat ilire4.
–  Eskulapi, perëndia i mjekësisë është me emër të origjinës ilire5.
–  Therja e kaut dhe falja e dashit për dasmë të djalit6.
–  Futja e monedhës metalike në gojë të vdekurit8.
–  Vallja ILIRËT si e shestanasve9 .
–  Carani, gurë katror te oxhaku10.
–  Simboli i kryqit u krijua në trevat ilire para më shumë se 10 mijë vjet. Edhe hana ishte       .   simbol i ILIRËVE11
–   Nderimi i traditës – ilirët fëmijëve të tyre u vinin emrat e gjyshave e të nanave12.

Këto simbole, adete dhe besime, të cilat i trashëguan dhe i ruajtën shqiptarët deri sot, si dhe shumë fakte tjera në librat e Stipçeviqit vërtetojnë që ILIRËT janë të parët e shqiptarëve. Pra, ne shqyptarët jemi popull autokton këtu në Ballkan. Duhet të krenohemi, të mburremi me rranxën tonë të moçme mbi 10 mijë vjet.
Jam i bindur, që ne shqyptarët duhet posaçërisht ta nderojmë Aleksandër Stipçeviqin, më s’pakti, me ngritje të përmendoreve në trevat shqyptare. Kështu nderojmë edhe vetveten.
Aleksandër Stipçeviqit, Shtëpia botuese “Toena” nga Tirana i ka botuar 12 botime të veprës “Ilirët-historia, jeta,  kultura, simbolet e kultit”, që vetëvetiu flet për vlerën e librit të këtij shkencëtari.

Mr.Shenoll Selimoviq: Do të jetë humbje e madhe për shkencën por humbje shumë e madhe për shqiptarët

Mr. Shenoll Selimoviq, duke folur për jetën dhe veprën e Akademik Aleksandër Stipçeviqit, ndër të tjera shtoi se ai me punën e tij prej hulumtuesi, gjurmuesi e studjuesi, ka lënë gjurmë të përjetshme në shumë fusha studimore shkencore e sidomos në ilirologji. Lidhur me gjendjen e ti aktuale shëndetësore Mr. Shenoll Selimoviq shprehet: “Do të jetë humbje e madhe për shkencën, por do të jetë humbje tepër e madhe për shqiptarët”.
I nderuar Akademik prof.Dr. Aleksandër Stipçeviq, i nderuari Shandri, për të gjitha, për jetën përkushtimin dhe veprën tënde nuk kemi fjalë më të madhe se sa të faleminderit dhe jemi të nderuar që të njohëm dhe jetuam në të njëjtën kohë. Për gjithë ate që ke bërë për shkencën e sidomos për shqiptarët Ta kemi borxh deri në përjetësi.

ina-online

Aleksandër Stipceviqi me bashkeshorten ne spita Aleksandër Stipceviqi-Mehmet Latifi-ne-spital