Mali i Zi si Serbia, pret sqarime për flamurin në muret e kryeministrisë

January 13, 2015   | Politika

flamuri në muret e kryeministrisëMediat raportojnë se ambasada që udhëheq shqiptari etnik nga Mali i Zi, Ferhat Dinosha, e ka marrë udhëzimin që flet për mundësinë e informacioneve shtesë nga autoritetet e Shqipërisë

Denion Ndrenika

Mali i Zi iu bashkua pretendimeve të Serbisë për sqarime mbi një paraqitje hartografike amatore të shfaqur në muret e kryeministrisë në Tiranë me të elementë të kufijve të Shqipërisë Etike.

Ambasada e Malit të Zi në Tiranë ka marrë një udhëzim nga ministria e Jashtme e drejtuar nga Igor Lukshiq (Lukšić) për të qartësuar nga qeveria e Shqipërisë shfaqjen e të quajturës “Shqipëri e Madhe”.

Mediat në Tiranë raportojnë se ambasada që udhëheq shqiptari etnik nga Mali i Zi, Ferhat Dinosha, e ka marrë udhëzimin që flet për mundësinë e informacioneve shtesë nga autoritetet e Shqipërisë.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raportoi sakaq se fotografia e këtij flamuri është postuar në murin e kryeministrisë në kuadër të një fushate urimesh nga qytetarët gjatë festave të fundvitit.

“Bëhet fjalë për flamurin me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, të njëjtin flamur që është shfaqur në stadiumin e Beogradit më 14 tetor të vitit të kaluar, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri”-raporton radioja me qendër në Pragë të Republikës Çeke.

Më herët ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivic Daçiq tha se i dërgoi Shqipërisë një notë proteste për të njejtën çështje.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e drejtuar nga Ditmir Bushati ende nuk ka konfirmuar marrjen e notës nga diplomacia në Beograd.

illyriapress