Radovan Milaniq: Marrëdhëniet Kosovë-Mali i Zi, shembull për Ballkanin

January 13, 2015   | Ngjarjet - Events

Radovan MilaniqRaportet e mira të dy shteteve të vogla, Kosovës dhe Malit të Zi janë shembull i mirë për Ballkanin e trazuar. Këtë e tha për Radio Dukagjinin ambasadori i Malit të Zi në Prishtinë, Radovan Milaniq, në prag të vizitës së zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi në Podgoricë.

Ato, sipas tij, po shënojnë ngritje dhe janë miqësore.

Milaniq, gazetar me profesion tha se të dy vendet janë shtete që kanë probleme, në veçanti në lëmin ekonomik dhe ndoshta kjo është arsye për përshpejtimin e bashkëpunimit.

“Unë konsideroj se bisedimet në Podgoricë do të jenë rast që të flitet dhe arrihet marrëveshja, të themi për demarkacionin përfundimtar të kufirit ndërshtetëror. Me siguri do të bëhet fjalë për verifikimin kushtetues të bashkësisë malazeze në Kosovë, kuptohet edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mos të numëroj më shumë”.

Duke komentuar protestat e thirrura nga shoqata e të zhvendosurve dhe mbështetjen që vizitës së Thaçit i ka dhënë Shoqata e malazezëve në Kosovë, ambasadori Milaniq tha se pjesa dërmuese e qytetarëve të Malit të Zi kanë qëndrim miqësor dhe pozitiv ndaj Kosovës.

I pyetur nëse raportet gjithnjë më të mira Kosovë-Mal i Zi po vazhdojnë të ndikojnë në raportet e këtij vendi me Serbinë, ambasadori Milaniq tha se së paku nuk i dëmtojnë.

“Mendoj se marrëdhëniet Kosovë–Mali i Zi do të duhej të kishin ndikim të dobishëm dhe nxitës në bisedimet dhe marrëdhëniet e ardhshme të Prishtinës dhe Beogradit, gjegjësisht Kosovës dhe Serbisë”, tha ai. /Telegrafi/