Fshati Poprat dikur i populluar e sot pothuajse i boshatisur

January 23, 2015   | Reportazh / Reportaža

Fshati Poprat-Mali ZiFshati Poprat i cili i takon bashkësisë Lokale të Trieshit dhe në kuadër të Komunës Urbane të Tuzit ndodhet rreth 28 kilometra nga kryeqyteti Podgoricë, raporton Portali Infoshqip.me.

Emri i këtij fshati edhe pse jo i vërtetuar shkencërisht, rrjedh nga Ilirishtja që do të thotë rrafshlartë ose fshat mbi shkëmb. Fshati në fjalë kufizohet nga veri-lindja me bjeshkën e bukur të koritës, nga veriu e mbron mali i lartë i Kazhenikut, nga jug-lindja kufizohet me Shqipërinë dhe nga jugu kufizohet me fshatin Bekaj.

Porprati ndodhet në një pozitë gjeografike jo të volitshme reth 1080metra lartësi mbidetare dhe me një territor shkëmbor me pak livadhe dhe tokë jo të përshtatshme pjellore. Sipas disa të dhënave që nuk janë të vërtetura shkencërisht, gjurmët e para të banimit këtu filluan qe para 130 vjetësh, atëherë kur një e moshuar nga vëllazëria e Palushajve ndërtoi jetën në kushte teje të vështira.

Një gjë të tillë e pohoi edhe më i moshuari i këtij fshati Gjon Marashi Micakaj i cili theksoi se në fillesat e jetës këtu numri i amvisërive ka qenë teje i vogël por me kalimin e viteve është shtuar dukshëm duke arritur në 30 shtëpi të banuara. “Banorët e këtij fshati janë përballur përherë me probleme të natyrave të ndyshme duke u ballafaquar me mungesën e kushteve më elementare.

Nuk kemi patur rrugë të asfaltuar deri në vitin 1982 ku me ndihmën edhe të bashkëatdhetareve  tonë është bërë asfalimi i rrugës e po ashtu energjia  elektrike ka munguar deri në vitin 1987 dhe  është fshati i parë në Triesh që është furnizuar me energji elektrike”, theksoi më i moshuari i fshatit i cili ende vazhdon të jetoj atje, Gjon Micakaj. Banorët e fshatit për të mbijetur gjithmonë janë marruar me blegëtori dhe bujqësi por me këtë të fundit më pak pasi terreni e ka kufizuar ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe po me këto zanate banorët aktual merren ende edhe pse në kushte pak më të volitshme se para shumë dekadash.

“Kushtet kryesisht janë përmirësuar dukshëm krahasur me disa disa vite por akoma jo në nivel të kënaqshëm pasi mungon furnizimi me ujë të pishëm e po ashtu rruga viteve të fundit paraqet problem serioz për banorët e zonës duke qenë se nga viti në vit është amortizuar dhe janë të pakta rastet kur është ndërhyrë për rikonstruksionin e sajë”u shpreh, Gjekë Ujkaj banor i këtij fshati ,lindur dhe rritur në këtë terren shkëmborë.

Jetën e banorëve të fshatit e vështirëson edhe më shumë stina e dimrit ku për muaj të tërë përfshihet nga reshje të dendura të borës, me akull, ngica dhe temperatura nën zero gradë. Gjatë stinës së dimrit atyre u shtohen hallet edhe më shumë pasi janë pothuajse të izoluar nga të katër anët, që në shumicën e rasteve kanë rrugë të bllokuar duke qene se ndërmarrjet përgjegjëse për pastrimin e saj, shpesh herë kanë refuzuar kërkesat e banorëve për t’a pastruar atë.

Para shumë vitesh një pozitivizëm këtij fshati i jepte shkolla katërklashëshe, paralele e shpërndarë e shkollës tetë vjeçare “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”, ku mësimin e ndiqin me dhjetra nxënës, disa prej tyre që sot kanë bërë emër në profesione të ndyshme, mirëpo para dy vitesh edhe shkolla u mbyllë, për shkak të siç thonë banorët mungesës së nxënësve dhe zvogëlimt të numrit të banorëve nga viti në vit, duke migruar për një jetë më të mirë, dikush në Podgoricë dhe periferi e pjesa më e madhe në emigracion në Shba, Europë e gjetiu.

Shpërngulja më e madhe sipas banorëve aktual, ka ndodh rreth viteve të 70-ta e në vijim.  “Mësimi në këtë fshat kishte filluar në vitin shkollorë 1957/58, atëherë kur u ndërtua objekti shkollorë, dhe deri nënë vitin 1963 mësimi është zhvilluar nëpër shtëpi private e në kushte të rënduara ku mësues i parë ka qenë Prëloc Mark Lekoçaj, e më vonë Pjetër Micakaj, Tomë Dedivanaj, Lekë Micakaj, etj”, u shpreh njëri ndër mësimdhënësit disavjeçarë në këtë fshat Lekë Micakaj. Në Poprat sot jetojnë më pak se dhjetë amvisëri të cilët që të gjithë duken disi të zbehur nga hallet dhe sfidat e jetës  me të cilat janë përballur me dekada të tëra dhe me kushte të vështira që asnjëherë nuk u përmirësuan.

Largohemi nga ky fshat me shpresë që në një të ardhme të afërt, do t’i bie dikujt ndërmend të punojë në përmirësimin sadopak të kushteve më elementare të jetesës për banorët e kësaj zone që edhe ata të paktën njëherë të shijojnë kushte adekuate jetësore sikurse i kanë të gjitha vendet e tjera.

t.u./koha javore/