Shkreli: Europa e tërë, e lirë dhe në paqë, bie ose ngrihet me Ukrainën

January 29, 2015   | Bota

EuropaNga Frank Shkreli

Të martën me 27 Janar,  Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Vctoria Nuland mbajti një fjalim në Qëndrën e Marrëdhënjeve Amerikano-Europiane pranë Institutit Brookings në Washington, gjatë të cilit ajo shqyrtoi ngjarjet e vitit të kaluar në marrëdhënjet me Europën, të cilat sipas saj, farkëtuan një frymë të re në marrëdhënjet transatlantike në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike.  Ajo u tha të pranishmëve, shumica e të cilëve ishin ekspertë të marrëdhënjeve amerikano-europiane dhe amerikano-ruse se asnjëri prej nesh nuk mund të parashikonte që agresioni rus në Ukrainë do të vente në sprovë lidhjet transatlantike si dhe punën që është bërë gjatë 25 vjetëve të të fundit drejtë objektivit për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqë”.  Ajo shtoi se agresioni rus në Ukrainë dhe sulmet terroriste të grupit ISIL dhe degëve të kësaj lëvizjeje, kanë sfiduar dhe “kanë rrezikuar çdo gjë që ne konsiderojmë si të shënjtë, përfshirë demokracinë, lirinë e individit, sigurinë kolektive, tolerancën dhe begatinë, duke filluar nga Vankuveri deri në Valdivostok”, pohoi Yonja Nuland.

 

Në fjalimin e saj, diplomatja amerikane e cila është përgjegjëse pranë Departmentit Amerikan të Shtetit për marrëdhënjet e Amerikës me 50- shtetet europiane dhe euroaziatike, me NATO-n, me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në, theksoi vendosmërinë e përbashkët që nxitë përpjekjet e përbashkëta për realizimin e misionit transatlantik, për një “Europë, të tërë, të lirë dhe në paqe”.  Diplomatja e lartë amerikane i përqëndroi komentet e saja në Institutin Brookings, kryesisht mbi konfliktin në Ukrainë — ku sipas OKB-së deri tani kanë humbur jetën rreth 5000 veta —  duke thënë se konflikti në Ukrainën Lindore është këthyer tani në një betejë për një Europë të tërë, të lirë, dhe në paqe, duke theksuar se , “Të gjithë ne e dimë se Europa e tërë, e lirë dhe në paqe bie ose ngrihet me Ukrainën”, tha ajo.

 

Sanksionet e forta ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Europa kundër Rusisë, si kundër veprim ndaj mbështetjes ushtarake që ajo u jep separatistëve rusë të cilët luftojnë në Ukrainën lindore, nuk kanë ndaluar as nuk e kan penguar Moskën që të vazhdojë t’u dërgojë  atyre ndihma dhe mbështetje morale dhe materiale.   Përveç sanksioneve ekonomike, Z. Nuland vuri në dukje  se Aleanca Perëndimore NATO, si përfundim i keqësimit të konfliktit në Ukrainë, ka vendosur forcat e saja tokësore, detare dhe ajrore në disa vende anëtare të aleancës të cilat gjeografikisht ndodhen afër Rusisë, siç janë Polonia, Bullgaria, Rumania dhe vendet baltike. “Aleanca e NATO-s”, tha ajo, “është një aleancë me karakter mbrojtës, qëllimi i së cilës është të çkurajojë agresionin. Por nëqoftse dështon një gjë e tillë, atëherë “Ne duhet të jemi gati”, theksoi diplomatja amerikane, Viktoria Nuland.

Duke thënë se sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë së përbashkët me të cilat u përballem vitin e kaluar, jo vetëm që nuk tronditën unitetin transatlantik, por ato në fakt, shtoi Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, “na bënë më të fortë, më të vendosur dhe si rrjedhim jemi në një gjëndje më të mirë për të mbrojtur dhe për të zgjëruar komunitetin e vendeve të cilat besojnë në vlerat e përgjithshme universale njerëzore që na përcaktojnë se kush jemi ne.”
Ndërsa ajo foli për arritjet dhe bashkpunimin transatlantik në fushën e mbrojtjes, të sigurisë së përbashkët dhe në marrëdhënjet ekonomike, diplomatja amerikane theksoi gjithashtu edhe punën e përbashkët që është bërë dhe po bëhet në luftën kundër korrupsionit, fenomen ky të cilin ajo e cilësoi si një, “murtajë e shoqërive dhe e ekonomive tona”.  Në vazhdim ajo, nënvijoi, “Angazhimin tonë ndaj tolerancës, lirisë së fjalës dhe lirisë personale si e drejtë e çdo individi dhe të çdo kombi, për të zgjedhur vetë rrugën që dëshiron të ndjeki”.  Diplomatja e lartë amerikane tha se duhet të shpejtohen investimet për një begati të përbashkët., ndërsa ajo foli për korrupsionin  duke thënë se, “Korrupsioni nuk është vetëm një vrasës i demokracisë”, por “Korrupsioni”, shtoi ajo, është një fenomen që “i jep hapësirë infuencave të këqia nga jashtë, në fushën politike dhe ekonomike.  Si rezultat, Victoria Nuland, premtoi në fjalimin e saj ndihmën amerikane, duke thënë se  këtë vit, “Anë e mbanë Europës Lindore e Qëndrore si edhe në mbarë Ballkanin, do të shikoni një dyfishim të përpjekjeve me aleatët dhe partnerët tanë për të forcuar sistemin gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe shtim të përpjekjeve për të promovuar  një qeverisje transaprente në sistemin e tenderave publike.”  Ajo bëri thirrje edhe për investime në lëmin e energjisë, si një mjet që do të çlironte disa vende nga varësia energjetike, duke thënë se duhen krijuar alternativa tjera për vendet e Europës Qëndrore dhe vendeve të Ballkanit në këtë fushë.

Duke nënvijuar planet për vitin 2015, Viktoria Nuland tha se gjatë këtij viti duhet të jemi besnikë ndaj partnerve tanë lindorë, dëshira e vetme e të cilëve është që të jetojnë në paqë, tha ajo. Diplomatja amerikane, Nuland tha në fjalimin e saj

se viti 2015 duhet të jetë gjithashtu një vit progresi në përpjekjet tona prej 20-vitesh tanimë, “për të siguruar paqën, pajtimin, reformat e nevojshme politike dhe ekonomike si dhe qeverisjen e mirë, në vendet e Ballkanit.”

Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Nuland  e përfundoi fjalimin e saj duke bërë thirrje për një renesancë në marrëdhënjet transtalantike, duke nënvijuar se rilindjen e këtyre marrëdhënjeve, “duhet ta bëjmë për veten tonë, për fëmijtë tanë, por edhe për botën në përgjithësi e cila pret prej nesh që të jetojmë sipas këtyre vlerave dhe ti mbrojmë ato, duke përcaktuar një standart që bazohet në mbështetje të ligjit ndërkombëtar, të paqës dhe sigurisë, të tregëtisë së lirë dhe të të drejtave universale të njeriut”, përfundoi diplomatja e lartë amerikane fjalimin e saj të marten, në Institutin Brookings në Washington.