Fryhet Vjosa, derdhet Buna!

February 10, 2015   | Anketë / Anketa
Nga Gjon BRUÇI    
Kështu pati shkruar Noli tetëdhjetë e katër vite me parë në poezinë “Anës lumenjve”. Kur e shkroi këtë poezi ishte muaji maj dhe shirat ishin stabilizuar prej diellit pranveror, çka nuk u jepte mundësi lumenjve të fryheshin e derdheshin mbi fushat e Nënshkodrës, të Myzeqesë apo ultësirës së Vlorës. Por Noli nuk e kishte fjalën për fryrje e derdhje ujrash të lumenjve në fjalë, por për fryrje e derdhje zemërate e revolte të banorëve që shtriheshin “anës së këtyre lumenjve”. Këta lumenj nuk kanë ndryshuar. As banorët pranë tyre, veçse janë shumuar, modernizuar e europianizuar. Edhe “fryrja” dhe “derdhja” e dallgëve të të parëve dhe zemërata e të dytëve nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të madh. Përveçse janë bërë më të ashpra, më të rrezikshme. Të parat, “dallgët”, pak nga natyra dhe më shumë nga sjellja e njeriut. Të dytat, zemëratat, vetëm nga sjellja e këtyre të fundit.
Një dekadë e gjysëm më parë, Giuletto Chiesa dhe Marcello Villari, dy analistë italianë, duke komentuar krizën botërore që “doli në dritë” në fillim të vitit 1992, në librin e tyre “Superklan”, botuar në shqip nga Neë Media Institut, thonë se në drejtim e në komandë të ekonomisë botërore ka ardhur një “klasë e re”, të cilën ata e emërtojnë “Superklasë”. “Superklasa,-thonë ata, – është një komunitet bashkëkohorësh, kredoja e të cilëve është konsumi imediat i kohës, i natyrës, i kursimit, i pasurisë sociale. Është një klasë e cila horizont të vetëm të papërgjegjshmërisë së saj ka vetëvrasjen”.
Analistët në fjalë këto konkluzione dhe përcaktime i nxorën pasi studjuan situatën në vendet kryesore kapitaliste, çka nuk e patën edhe fort të lehtë. Shumë më kollaj do ta kishin, nëse do të shikonin “superklasën” tonë, e cila erdhi në drejtim në fundvitet nëntëdhjetë dhe me një nxitim të jashtëzakonshëm u radhit shumë shpejt me superklasën e Europës, e cila kishte ardhur në pushtet dhjetra dekada para saj.
Superklasa jonë që erdhi në fundvitet nëntëdhjetë dhe vijon të jetë ende në drejtim, nuk ishte dhe nuk është një klasë e mirëfilltë e shoqërisë shqiptare, por një konglomerat shtresash e individësh, të cilët nuk i lidhte e nuk i lidh as ideologjia e as programi me njëri-tjetrin, përveçse qëllimi i fitimit maksimal dhe me çdo mjet e çdo mënyrë. Le të më thotë ndonjëri se cilat janë ideologjia dhe programi i Partisë Socialiste, që përfaqëson aktualisht gjysmën e superklasës sonë drejtuese. Apo i Partisë Demokratike që zotëron gjysmën tjetër të saj. Ideologjia e tyre e vetme, programi i tyre i vetëm është “Fitimi”, është pasurimi maksimal dhe sa më i shpejtë. Mbi këtë bazë ata kanë ndërtuar e po ndërtojnë gjithë ngrehinën e shtetit të vetëquajtur demokratik, por që realisht nuk ka asnjë gram nga kjo e fundit. Aktualisht në vendin tonë nuk egziston asnjë pushtet tjetër përveç pushtetit të parasë. Paraja vendos se si dhe nga kush do të qeveriset vendi, duke filluar nga deputeti deri tek pushtetari, shtetari dhe gjithë nëpunësit e lartë, që përbëjnë superklasën. Pjestarët e kësaj superklasë drejtuese në shumicën e rasteve janë njerëz që zotërojnë pasuri të mëdha, ose punojnë si manaxherë të atyre që i zotërojnë këto pasuri. Paraja dhe qëllimi i fitimit maksimal në kohën më të shkurtër, ka diktuar e dikton programe të njëjta qeveritare, pavarësisht se kush e ka radhën e qeverisjes. Këto “programe” lëkunden nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas sipas “kursit” të euros e dollarit dhe kurrë sipas interesave të klasës apo shtresës së cilës i janë përbetuar kur i kanë marrë votën e përfaqësimit. Kjo lloj qeverisje ka nxjerrë në skenë dy kontradikta themelore: shpërndarjen gjithnjë e më të pabarabartë të pasurisë dhe kontradikta tjetër midis modelit të zhvillimit ekonomik dhe natyrës. E para ka sjellë krizën sociale dhe e dyta krizën mjedisore. “Lokomotiva ekonomike, – thuhet në materialin e analistëve italianë, – është drejt ndeshjes fatale me ekuilibrat natyrorë të planetit”.
Për të dyja këto kontradikta ne mund të flasim me orë të tëra, sepse po i shohim, prekim dhe përjetojmë çdo ditë në vendin tonë. Batërdia që është bërë mbi natyrën shqiptare në emër të fitimit është kaq e madhe, kaq e mënxyrshme, sa askush nuk ka të drejtë të thotë një gjysëm fjale për natyrën apo të justifikohet me shprehjen “fatkeqësi natyrore”. Kjo e fundit duhet zëvendësuar me “fatkeqësi njerëzore”, ose më saktë “fatkeqësi shtetërore”. Është e vërtetë se pas viteve nëntëdhjetë shumë qytetarë kanë ndërtuar banesa e kanë zgjedhur për vendbanim vende ku rrezikohen nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera të natyrës. Por këto ndërtime ata i kanë bërë në sytë e shtetit ligjor të demokracisë, i cili, për hir të votës, dhe të fitimit që sjell ajo, ka heshtur e madje stimuluar këtë veprim, kur duhej të bënte të kundërtën.
Batërdia mbi tokën e natyrën shqiptare, mbi pyjet, fushat, kanalet, lumenjtë dhe gjithë territorin e vendit gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm të “ekonomisë së lirë të tregut” është e pashembullt. Transformimet, ose më saktë shformimet që i janë bërë relievit tonë janë të krahasueshme vetëm me vitet e para të formimit të globit. Emisioni “Fiks – Fare” i disa netëve më parë na e pruri në ekran këtë shformim, kur na tregoi batërdinë në pyje, në lumenj, në fushat kur dikur prodhonim bukën, në të gjithë territorin i cili është zhgarravitur e bërë si një varr i pambyllur. Dhe tani, këtë batërdi që e lejoi e madje e nxiti shteti, po na e shpagon natyra, duke na përmbytur me ujëra nga veriu në jugë në mënyrë ciklike.
A mund të dilet nga kjo krizë mjedisore? Shteti borgjez aktual e ka ta pamundur. Me ndihma mjerane që përfshijnë paketën “Bukë dhe ujë”; me dëmshpërblime që kurrë nuk realizohen; me premtime për investime që sapo kalon përmbytja harrohen, nuk mund të rikuperohen dëmet e këtyre fatkeqësive natyroro-njerëzore-shtetërore. Politikat shtetërore të zhvillimit kanë në qendër fitimin maksimal në kohën më të shkurtër dhe jo strategjinë kombëtare të këtij zhvillimi. Dhe fitimi maksimal në kohën më të shkurtër arrihet me shitjen ose privatizimin total të pasurisë kombëtare, me ndërtime “rrokaqiejsh” të shëmtuar në qytete tashmë të shëmtirosur; me fasone ku punohet si argatët e shekullit të 18-të; me “Call Center”-in italian ku punësohet “krahu i lirë” i shqiptarit; me kazinora, telebingo e llotarira të tjera të fatit ku dergjen të rinjtë dhe të papunët shpresëhumbur, etj., etj. që kanë zëvendësuar ndërmarrjet e dikurshme të prodhimit idustrialo-bujqësor të harruara tashmë edhe nga banorët e këtij vendi. Parulla që nuk citohet, por zbatohet e atyre që kanë qeverisjen e radhës është “Merre fitimin dhe largohu me vrap”. Largohu me vrap se pas katër vjetësh, e shumta tetë, vjen “rrotacioni i pushtetit” ku “opozitari” të nxjerr në stolin rezervë. Të gjithë e kuptojmë se rikuperimi i mjedisit natyror ku banojmë kërkon jo vetëm investime të mëdha kapitale, por edhe dekada në kohë për realizim. Qeveritarët dhe pushtetarët e sistemit aktual, edhe po t’i kishin mundësitë financiare dhe teknike për realizimin e këtyre investimeve, nuk do të preferonin t’i realizonin, sepse falë përkohshmërisë në pushtet nuk do të arrinin të vilnin fitimin e tyre, i cili “vjen” pas disa dekadave. Ata nuk kanë kohë të presin “dekadat”. Ndaj investimet i drejtojnë tek “veprat” e lehta e të shpejta në fitim, duke e kthyer edhe vetë sistemin kapitalist tradicional në “kapitalizëm manaxherial”.
Një batërdi si ajo mbi natyrën, e ndoshta më e madhe është bërë gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm mbi gjendjen social-shoqërore të popullit shqiptar. Hendeku social midis shumicës së varfër dhe pakicës super të pasur po thellohet çdo ditë. Ky “hendek” është krijuar jo vetëm me abuzime, me korrupsion, me kontrabandë, me krime etj., që sistemi kapitalist i ka me shumicë, por edhe me “ligje demokratike të shtetit të së drejtës”. Hidhni një sy kalimthi mbi privilegjet më të dukshme që “shteti i së drejtës”, që shteti “demokratik” i afron superklasës sonë drejtuese. Deputetët, ministrat, zyrtarët e lartë jo vetëm pagat i kanë dhjetra fish më të mëdha se nëpunësit e zakonshëm, por gëzojnë privilegje të tjera që e trefishojnë pagën bazë. Vetëm për telefonin celular, deputeti ynë merr 170 mijë lek të vjetra, e barabartë kjo me pensionin mesatar të një shqiptari. Për të mos folur për privilegjet e llojit “Fullani”, paga e të cilit ishte sa katër paga presidenciale. Përmendëm pagat e zyrtarëve, por ato nuk janë asgjë përpara fitimeve që rrjedhin prej tenderave të investimeve rajonale e nacionale, donacioneve dhe ndihmave që jepen nga organizata e shoqata kombëtare e ndërkombëtare, të cilat në shumicë përfundojnë në xhepat e “manaxherëve të kapitalizmit manaxherial”.
Që të kuptosh se sa i thellë është bërë “hendeku social” në Shqipërinë tonë, mjafton të bësh një inkursion nga qendra e kryeqyteti gjer në periferi të Bathores, apo zona të tjera të Tiranës. Në njëzet kilometra distancë nga qendra në “rrethina” do të shohësh se ky hendek social është bërë i pakapërcyeshëm. Le pastaj sikur të marrim mundimin e të shkojmë në cepat ekstremë të territorit të vendit, aty ku arrin vetëm “Fiks – Fare” dhe “Shqipëria tjetër” e gazetarit Marin Mema. Aty do të shohim se “hendeku” në fjalë është bërë humnerë e vërtetë.
Kriza socialo-mjedisore e vendit tonë nuk është jetime. Ajo i ka simotrat në të gjitha vendet ku sundon kapitali dhe mballoma e tij, “ekonomia e lirë e tregut”. Por vendi dhe populli ynë, ashtu siç ka “simotër” krizën globale, mund të ketë “simotër” dhe lëvizjen popullore. Në sipërfaqe gjendja duket e qetë, por një sy i vëmendshëm dhe një vesh që dëgjon, sheh e kupton se poshtë kësaj qetësie, “Buna” dhe “Vjosa” po fryhen. Dhe jo vetëm me ujë, të cilin mund ta përballojmë disi me paketa mëshire e premtime shëllire. Por “Buna”, “Vjosa” dhe gjithë lumenjtë e Shqipërisë po fryhen me zemëratë. Dhe kur kjo fryrje kalon limitin e zakonshëm, atëherë del përsëri Noli e shkruan: “Dhe një zë vëgon nga lumi / Më buçet, më zgjon nga gjumi / Se mileti po gatitet / Se tirani lebetitet / Se pëlcet , kërcet furtuna / Fryhet Vjosa, derdhet Buna / Skuqet Semani dhe Drini / Dridhet beu dhe zëngjini / Se pas vdekjes ndriti jeta / Dhe kudo gjëmon trumpeta: Ngrehuni dhe bjeruni / Korrini dhe shtypini / katundar’ e punëtorë / Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Borgjezët akuzojnë komunistët se organizojnë revolucione që sipas tyre prishin stabilitetin dhe shkatërrojnë jetën paqësore të shoqërisë. Kjo është një gënjeshtër që nuk besohet. Revolucionin nuk e shkaktojnë komunistët, por vetë borgjezët, kapitalistët me shfrytëzimin e egër që ata aplikojnë mbi masat, me hendekun social që ata krijojnë. Komunistët nuk bëjnë gjë tjetër veçse vrapojnë të dalin në krye të masave që lëvizja e tyre revolucionare të mos devijohet e manipulohet nga borgjezët, siç ka ndodhur e po ndodh edhe sot. A nuk kemi si shembull Greqinë, ku lëvizja popullore kundër kapitalit ka marrë përmasa të frikshme. Ndaj dhe kapitalistët e të gjitha vendeve të Unionit Europian, si një trup i vetëm janë hedhur në aksion për “manaxhimin” e kësaj lëvizje, që rrezikon kapitalin e tyre.
Udhëheqësi i popullit shqiptar Enver Hoxha, në Kongresin e 7-të të PPSH, që u mbajt në vitin 1976, duke analizuar situatën ndërkombëtare dhe proceset revolucionare që e përshkonin atë, konkludoi se “bota ndodhet në një fazë kur çështja e revolucionit dhe çlirimit kombëtar nuk është vetëm një aspiratë e një perspektivë, por edhe një problem i shtruar për zgjidhje”. Ky përcaktim i Enver Hoxhës, jo vetëm nuk është vjetruar, por përkundrazi është më aktual se kurrë!
Gazeta SOT