“Art Club” boton librin “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit” të Gjokë Dabajt

February 20, 2015   | Kulturë / Kultura

E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit-Gjokë DabajtNë kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini ditëve të fundit doli nga shtypi libri “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit” (libri është publikuar si botim i veçantë edhe në gjuhën malazeze) i studiuesit Gjokë Dabaj.

Libri është shqyrtim shkencor i librit të autorit Ivan Jovoviq “Iz prošlosti Dukljansko-barske nadbiskupije“ (Nga e kaluara e Arqipeshkvisë Dokleato-tivarase”), i botuar në Tivar në vitin 2004. Dabaj sqaron se ky vështrim kritik “nuk ka për qëllim as nënvleftësimin e autorit, as provokimin e kurrfarë grindjeje apo sherri…”, por i vetmi qëllim i tij është “të gjurmojë të vertetën, të precizojë në këtë kuptim disa hollësi apo edhe përgjithësime, si dhe të zbulojë të vërtetën para opinionit në ato vende ku ajo, në librin e Jovoviqit, nuk shikohet e tillë siç ka qenë në të vërtetë”.

Autori analizon kapitull për kapitull, librin e Jovoviqit, duke dhënë sqarimet përkatëse dhe ofruar të dhëna dhe argumente që ndihmojnë për ndriçimin e të vërtetës historike. Libri është i pajisur edhe me indeks dhe sqarime në fund të tij.

Redaktor i librit është dr. Nail Draga, recensent Gabriel Grabanica, kurse redaktor teknik Qazim Muja. Libri është shtypur në shtypshkronjën “Press Studio” në Ulqin.

Gjokë Dabaj është autor i disa librave, ndër të cilat veçohen monografia në dy vëllime “Shestani”, pastaj studimi “Fjalor i Selman Rizës” etj. Para disa ditësh ka dalë nga shtypi romani i tij “Kriza e arkivistit”.

SHAI “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

       Ulqin, më 20. 02. 2015                                                                             SHAI “Art Club”