Nik Gjeloshaj: Simbolet kombëtare janë të njohura me shekuj – Video

February 23, 2015   | Shtypi / Mediji

Nik-Gjeloshaj-Parlamenti-i-Malit-te-Zi-1Nik Gjeloshaj ka kërkuar që përdorimi i flamurit në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën, të jetë gjatë gjithë kohës e jo veç gjatë festave shtetërore.

Diskutimi i deputetit të Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj në Parlamentin e Malit të Zi rreth propozim ligjit mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare.

Deputeti Gjeloshaj u shpreh se diversiteti nacional duhet të shihet si pasuri e një shteti dhe jo si problem dhe se Mali i Zi është i vonuar në implementimin e standardeve.

“Mali i Zi është vonuar në implementimin e standardeve, por në qoftë se duam të presim edhe më shumë, atëherë do jemi edhe më larg objektivit tonë, për arsye se është më e lehtë që sot të punojmë në parandalim dhe mbrojtje se nesër në korrigjim të gabimeve nga mosveprimi. Sot në vitin 2015 është dash të flasim për gjëra të tjera dhe jo për ligjin bazë dhe minimal i cili respekton simbolet kombëtare të pakicave. Sot në shekullin e XXI flasim për ligjin mbi simbolet nacionale sikur tani keni zbuluar të vërtetën e madhe se në Mal të Zi ka pakica kombëtare të cilët kanë simbole kombëtare që janë pjesë e identitetit të tyre. Të nderuar ku keni qenë deri më tani? Çfarë keni bërë deri tani që të plotësoni kërkesat e pakicave nacionale, apo çdo 10 vite duhet të plotësohet nga një gjë e vogël nga ajo që përfaqësuesit e pakicave kërkojnë.” theksoi Gjeloshaj.

Gjeloshaj u shpreh se ka ardh koha të vihen gjërat në rrugë të drejtë dhe se nuk do mund të presin mirëkuptim nga ana e tyre në qoftë se vazhdohet me këtë mënyrë.

“Dua të theksoj që në qoftë se vazhdohet me politika afatshkurtra ndaj pakicave nacionale, në këtë rast ndaj shqiptarëve si popull autokton, me veçori nacionale, kulturore dhe gjuhësore, mos kërkoni dhe mos prisni nga ne pafundësisht mirëkuptim, se këtë nuk do e fitoni.  Duhet një herë e mirë të vendosen gjërat në rrugë të drejtë, mos u mundoni që me politika diskriminuese të ofendoni dhe asimiloni një kombësi të caktuar. Shqiptarët në Mal të Zi, si çdo pakicë tjetër nacionale ka nevojë të ndihet e lirë dhe e barabartë, janë të nevojshme ligje të cilat afirmojnë diversitetin dhe karakteristikat kombëtare, kurse ligjet ku ka më shumë nene për sanksione sesa për afirmim nuk janë për lëvdata. Rezultatet e fundit ku tregohet se vetem 1.3% shqiptarë punojnë në administratën shtetërore tregon mjaftueshëm sesa është bërë deri më tani në integrimin e shqiptarëve në Mal të Zi. Pres që më shumë të bëhet në zgjidhjën e problemeve të qytetarëve e sidomos për ata që kanë kërkesa minimale që do ju mundësonte funksionim e tyre në mënyrë më të lehtë dhe më të mirë”, tha Gjeloshaj.

Sipas propozim-ligjit, përdorimi i simboleve kombëtare të pakicave në ndërtesat e vetëqeverisjes lokale mund të shfaqen gjatë ditëve të festave shtetërore.

Ai propozoi që në të gjitha institucionet publike në komunat ku pakicat përbëjnë shumicën, të vendosen gjatë gjithë kohës simbolet kombëtare të pakicës shumicë dhe kjo të sanksionohet me ligj.

Ai gjithashtu tha se këtë ligj nuk do e përkrah përderisa në të thuhet se Këshillat Kombëtar përcaktojnë simbolet e tyre dhe më pas këto simbole i aprovon Parlamenti.

“Të ndërlidhëm me fillimin e këtij ligji, që nuk e kam përmëndur. Vendimin mbi definimin e stemës dhe flamurit e konfirmon parlamenti i Malit të Zi. Me këtë zgjidhje unë këtë ligj kurrë nuk do e votoj. Ajo që është me shekuj e definuar, ajo që dihet, nuk është e nevojshme që asnjë shumicë ta konfirmoj këtë. Në qoftë se mbetet kështu, unë si anëtarë i Këshillit Kombëtar Shqiptar do mundohem të ndikoj që mos të definohet, që pastaj ti jepet dikuj mundësia të konfirmoj ose të mos konfirmoj diçka që është me shekuj e definuar”, tha Gjeloshaj. /MALESIA.ORG/

YouTube Preview Image