M. Bardhi uron kryetaren e Kroacisë zonjën Kolinda Grabar-Kitaroviq

February 25, 2015   | Shtypi / Mediji

Mehmet BardhiKRYETARES SË REPUBLIKËS SË KROACISË

Zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviq,

Z a g r e b

KROACI

 

E nderuara zonja Kryetare, Kolinda Grabar-Kitaroviq,

 

Me rastin e zgjedhjes dhe inaugurimit Tuaj për KRYETARE TË KROACISË, në emër të anëtarëve dhe udhëheqësisë së partisë së parë politike të shqiptarëve – popullit autokton, në hapësirat e veta shumëshekullore, sot në Malin e Zi, Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, si dhe në emrin tim personal, pranoni urimet më të sinqerta dhe më të ngrohta.

 

Jam i sigurt që Kroacia do të jetë shembull, si edhe deri tash, për respektimin, së pari të vetvetes, kulturës, atdheut dhe traditës së vet, si dhe të drejtave të njeriut dhe atyre nacionale, për zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë, për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve me fqinjët në regjion, Evropë dhe më gjerë.

 

E nderuara zonja kryetare Grabar-Kitaroviq, shqiptarët në situatat më të vështira në të kaluarën e afërt, kur ishin të dëbuar e përjashtuar nga të gjitha institucionet e strukturat e atëhershme “zyrtare”, nga ndërmarrjet, shkollat, fakultetet, nga shtëpitë e vatrat e tyre, kur iu kishin okupuar e mbyllur të gjitha mediat në gjuhën shqipe nga ana e regjimit të Millosheviqit dhe nga atëbotë qëllimi i tij i qartë për formimin e Serbosllavisë, (duke organizuar të ashtuquajturin “revolucion antiburokratik” në të cilin me anën e mitingjeve masovike u rrëzuan udhëheqësitë e pasigurta partiake, së pari të krahinës autonome të Vojvodinës (tetor 1988) dhe republikës së Malit të Zi (janar 1989), e pastaj edhe të krahinës së Kosovës (shkurt 1989), të cilës iu hoq autonomia me ndryshimin e dispozitave kushtetuese, ndërsa popullsia shqiptare iu nënshtrua presioneve të ashpra ushtarake e policore dhe mbikëqyrjes), gjetën hapësirë e përkrahje në Zagreb, që prej andej të dëgjohej fjala e udhëheqësve politikë shqiptarë të Kosovës, e kryetarit historik Ibrahim Rugovës, i cili vazhdimisht thërriste popullin që t’i kundërvihej, në mënyrë paqësore planeve të Beogradit për “pastrimin” e territoreve dhe institucioneve nga shqiptarët, si dhe organizatat humanitare joqeveritare, vendore e ndërkombëtare, që të ndalohet soldateska okupuese e Millosheviqit dhe të tregojnë me vepra që kjo nuk mund të kalojë te ta, që vrasjet, tortura dhe gjenocidi mbi popullsinë paqedashëse nuk mund dhe nuk guxon të tolerohet. Çdo natë kemi dëgjuar nga Zagrebi lajmet më të reja në gjuhën shqipe. Atje për një kohë është shtypur edhe botuar e përjavshmja DIELLI.

Kur pushteti serb, tash i ndihmuar edhe nga ana e pushtetit të ri malazias, i cili erdhi në pushtet (u fronëzua) me ndihmën e rrugës, u nis nga Beogradi në marshimet ushtarake okupuese mbi fqinjët, fati i dëbimit i mbërriti edhe shqiptarët në Malin e Zi, fillimisht intelektualët, e pas tyre edhe të tjerët.

Unë personalisht, si dhe disa intelektualë të tjerë, e kemi përjetuar këtë të keqe, kur, bashkë me disa kolegë profesorë, na përjashtuan nga puna, na qitën në rrugë. Nuk na lejuan që të punojmë as si pastrues në plazhet e Ulqinit, pasi që ishim të “stampuar”nga regjimi komunist, udbasho policor

2

dhe gjyqësor, e shovinist në ngritje deri në përvëlim, si “nacionalistë e irredentistë shqiptarë”, vetëm sepse kemi mësuar fëmijët në gjuhën amtare shqipe, sepse kemi kundërshtuar në mënyrë energjike fshirjen e historisë e kulturës sonë shqiptare nga tekstet mësimore, kemi qenë vendosmërisht kundër ndalimit të përdorimit të simboleve kombëtare. Kemi qenë të dëbuar e të arrestuar vetëm për shkak të mbajtjes së librave në gjuhën shqipe, në bibliotekat personale e shtëpiake, sepse nga bibliotekat publike popullore e shkollore, me urdhër të DB-së (Sigurimit Shtetëror), komisarëve politikë udbashë, këto i tërhoqën, i mbyllën, e shumë libra edhe i shkatërruan, duke i hedhur nëpër kontejnerë si në mesjetë etj. Kujt ia gjetën, e pritte dënimi, për kundërvajtje, vepër penale, burgu (“për delikt verbal, nga neni 133 i Ligjit Penal i RSFJ, më dënuan edhe mua në proceset gjyqësore policoro udbashe (!) në Titogradin e atëhershëm, pastaj për “kontrarevolucion” etj.

Në atë kohë, pas mbajtjes së dy viteve të burgut në kazamatat e Kotorrit e Spuzhës, te Podgorica, për çdo vjet kam qenë i detyruar të punoj, nga agimi e deri pas territ, nëpër tregjet e Kroacisë së lirë, më së shumti e më së gjati në tregun „TRESHNJEVKA“ në Zagreb. Mirëpo, isha i kënaqur dhe i lumtur, sepse Kroacia më pranoi dhe mundësoi të fitoj bukën gojës për familjen time, duke shitur fiq të thatë, që i sillnim nga bregdeti i butë i Tivarit dhe Ulqinit mesdhetar. Në vitin 1989 isha këndshëm i befasuar kur me qindra mijëra qytetarë u sulën në sheshin para Katedrales që të lirë të festojnë KËRSHËNDELLAT. Po, edhe unë isha aty. Edhe kolegët e mi. E mrekullueshme. Pa asnjë incident.

Atëherë, në kthim, pas shitjes së fiqve, po edhe arrave, patëm fatin që në Ulqin të sjellim me vete, krahas të hollave, disa qindra marka gjermane, të fituara me mund, edhe disa broshura – udhëzime për anëtarët e HDZ-së, se si të organizohet fushata parazgjedhore. Këto broshura kanë qenë shumë të vlefshme për ne, kur në fund të vitit 1990, edhe ne, partia jonë morëm pjesë në zgjedhjet e para shumëpartiake në Malin e Zi. LD në MZ u bë parti parlamentare me katër deputetë.

E nderuara zonja kryetare Grabar-Kitaroviq,

Viti 1991. Serbia u nis në luftën okupuese ushtarake kundër fqinjëve të vet! Atëherë shumë qartë e me vendosmëri, ne si përfaqësues legjitimë politikë të shqiptarëve në MZ, u thamë pushtetit malazias dhe komandantëve të ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, komandantit Jeremije dhe komandantit të Mbrojtjes Territoriale të MZ-së (MT), gjeneral Strugarit, që ne shqiptarët me asnjë kusht e presion nuk do të shkojmë në luftë kundër fqinjëve kroatë. Pas dy tubimeve madhështorë të qytetarëve të komunave të Tivarit e Ulqinit, të familjarëve të rezervistëve të mobilizuar, anëtarëve të

LD në MZ-së, të mbajtur në Ulqin, kundër mobilizimit të bërë me dhunë, u sollën përfundime të qarta që “…populli ynë, fëmijët tanë, bijtë e baballarët, të cilët u mobilizuan me dhunë, nuk pranojnë të shkojnë në luftë, jashtë kufijve të Malit të Zi, dhe kushdo që do të provojë t’i dërgojë me dhunë, do të hasë në kundërvënie dhe refuzim të ashpër…Nuk duam, nuk pranojmë të shkojmë në luftërat okupuese, as në Konavle e as në Dubrovnik”.

 

Në këtë mënyrë, rezervistët e mobilizuar të Batalionit të Sutormanit (mal afër Tivarit), të cilët më se dy të tretat ishin shqiptarë, refuzuan të hipnin në autobusë e kamionë, me të cilët kanë dashur t’i bartin në qendrën grumbulluese në Pavino Pole, afër Nikshiqit, dhe prej andej të sulmohej Konavla e Dubrovniku, si eshaloni i parë luftarak, i hodhën armët, të cilat ua kishin dhënë pa municion luftarak!?,.

Pas disa takimeve, me udhëheqësit më të lartë të MZ, të Zonës Ushtarake të Podgoricës, Mbrojtjes Territoriale të MZ-së dhe në fund, pas takimit, bisedës e bisedimeve të cilat i pata, si kryetar i partisë  dhe kryetar i Komunës së Ulqinit, në Kazermën Ushtarake në Tivar, e që zgjatën deri vonë pas mesnatës, me zyrtarët e lartë ushtarakë përgjegjës për këtë mobilizim, ku qartë e shprehëm kundërshtimin tonë për të shkuar në luftë në Dubrovnik dhe kërkuam që menjëherë të demobilizojnë rezervistët e mobilizuar me dhunë, koloneli Gjokiq pranoi dhe tha që ditën e nesërme të gjithë do të lëshohen të shkojnë në shtëpi pasi që “ushtrimi ushtarak u krye me sukses!”

3

Duke parë vendosmërinë e rezervistëve të mobilizuar, vendosmërinë tonë – të LD në MZ-së, dhe kundërshtimin e prindërve të tyre dhe qytetarëve, Batalioni i Sutormanit u shpërbë ditën e nesërme. Rezervistët e mobilizuar u kthyen të lumtur në shtëpitë e tyre. Po, për ne ky ishte sukses, biles shumë i madh, sepse shpëtuam jetë, si dhe ruajtëm fytyrën tonë. Ky është njëri prej shembujve më të ndritshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe LD në MZ-së, si përfaqësueses legjitime politike, që të mos turpërohemi për shekuj, kundër asaj që ka ndodhur pas një kohe të shkurtër, kur formacionet ushtarake të Serbisë e Malit të Zi dhe disa formacione të MT-së, publikisht të përkrahura nga udhëheqësia politike e Malit të Zi, marshuan nëpër Konavle për në Dubrovnik, çka kurrë dhe me asgjë nuk do të lahet kjo njollë, e asgjë nuk mund t’i kthejë civilët e pafajshëm dhe ushtarët e vrarë, çka kurrë bota e civilizuar antiluftarake, sidomos qytetarët e Konavles dhe Dubrovnikut, nuk do të harrojnë kurrë gjëmimin e topave, shkatërrimin e mureve shumëshekullore, të trashëgimisë botërore kulturoro-historike të Dubrovnikut të lashtë, qytetarët e vrarë dhe mbrojtësit e pragjeve të shtëpive të veta nga vandalët e pashpirt.

E nderuara zonja kryetare Grabar-Kitaroviq,

Ka mundësi që e kam ngarkuar këtë urim dhe për këtë Ju kërkoj falje, por pasi që Kroacia nuk na dha rast të dëgjojë krejt këtë, natyrisht, pa ngarkesa, që do t’i kthehemi të kaluarës, jam i mendimit që sidoqoftë ajo nuk guxon të harrohet, jo vetëm për shkak të së vërtetës dhe historisë, por për më tepër për faktin që diçka e ngjashme të mos përsëritet kurrë më.

Në njërën anë dëbimi nga puna e vatra familjare, vrasjet dhe shkatërrimi i të mirave materiale e kulturore, e në anën tjetër mundësia për të fituar bukën e gojës, nuk mund të harrohen kurrë. Për këtë Ju falënderoj shumë!

Dhe në fund, u uroj, Ju dhe Familjes Suaj, në punë dhe në jetë shëndet të plot dhe suksese.

 

Me respekt,

 

MEHMET BARDHI, prof., kryetar i LD në MZ

E-mail: mbardhi@hotmail.com