Malazezët e Kosovës bashkohen për ruajtjen e identitetit

February 25, 2015   | Rajoni / Region

Malazezët e Kosovës bashkohenMalazezët e Kosovës do të jenë më të zëshëm në promovimin e kulturës, ruajtjen e traditës, gjuhës e të zakoneve. Synojnë që t’ia prezantojnë Kosovës fqinje Malin e Zi të sotëm, por edhe anasjelltas.

E për ta bërë këtë, pjesëtarë të këtij komuniteti, ata që kanë prejardhje nga Mali i Zi apo siç është thënë, asi që janë dëshmuar si miq të këtij vendi, janë bërë tok në Rrethin Intelektual të Malazezëve.

Qysh në mbledhjen solemne të themelimit të këtij asociacioni, e mbajtur të shtunën në Universitetin AAB, jo një herë është thënë se s’bëhet fjalë për një organizatë a parti politike.

”Politikat ndryshojnë, njashtu si politikanët”, ka thënë në fjalën e tij Predrag Despotoviq, kryetar i Rrethit Intelektual të Malazezëve fill pasi ka shpalosur qëllimet. ”Por mbesin popujt e qytetarët, të cilët duhet ta njohin më mirë njëri-tjetrin, të kuptohen reciprokisht, të pranojnë vlerat individuale e të përbashkëta e në këtë mënyrë të ndërtojnë një ardhme më të mirë”.

Për t’i arritur këto, Despotoviq ka thënë se do të organizojnë aktivitete kulturore për promovimin e kulturës, letërsisë, artit figurativ, muzikës, filmit.

I ngarkuari me punë i Malit të Zi në Kosovë, Radovan Milaniq, ka thënë se beson që Rrethi do ta ketë rastin që denjësisht ta prezantojë Malin e Zi dhe vlerat kulturore malazeze në Kosovë.

“Kësisoj në të ardhmen të jetë një lidhje e rëndësishme midis qytetarëve të Malit të Zi dhe të Kosovës”, ka thënë Milaniq, njëri nga mbështetësit kryesorë të themelimit të Rrethit dhe për këtë, në ceremoninë solemne, i është ndarë një mirënjohje. “Jam i bindur që do të gjejë mbështetjen e nevojshme nga Podgorica e Prishtina zyrtare dhe organizata e individë të tjerë”.

Së paku qysh në ditën e themelimit, Rrethit i është premtuar mbështetje nga autoritetet shtetërore malazeze. E dëshmi për këtë ka qenë prania e delegacionit të Malit të Zi në mbledhjen solemne. Aty kanë qenë Miodrag Vukoviq, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantët i Kuvendit të Malit të Zi, dhe Predrag Mitroviq, drejtor i Drejtorisë për Diasporën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi.

Vukoviq, deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve të kryeministrit Milo Gjukanoviq, u ka thënë themeluesve të llogarisin në mbështetjen e tyre (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).

© KOHA Ditore