Monstat: Mali i Zi vetëm me Kosovën ka bilanc tregtar pozitiv

February 25, 2015   | Ekonomia / Ekonomija

tregtia-Mali-Zi-KosoveTregtia e jashtme e Malit të Zi për periudhën janar-dhjetor 2014, sipas të dhënave paraprake të Agjencisë për Statistika (MONSTAT), ka qenë 2 miliardë e 121,7 milionë euro.

Në krahasim me vitin 2013, këmbimi i jashtëm tregtar është zvogëluar për 1,3 për qind.

Mali i Zi vitin e kaluar ka eksportuar mallra në vlerë 388 milionë euro, që është 10 për qind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2013. Në anën tjetër ka importuar mallra në vlerë prej 783,7 milionë euro, që është 0,6 për qind më shumë në krahasim me vitin 2013. Këto të dhëna tregojnë se Mali i Zi importon produkte pesë herë më shumë se sa eksporton.

Kur është fjala për eksportin, Mali i Zi në tregun ndërkombëtar më së shumti eksporton produkte të klasifikuara kryesisht sipas materialit. Janë eksportuar metalet me ngjyra, hekuri dhe çeliku si dhe produkte të përbëra nga druri në vlerë prej 82,8 milionë euro.

Sa i përket importit, Mali i Zi prej vitesh më së shumti të ardhurat ndan për importin e ushqimit. Kështu vitin e kaluar ky vend ka importuar produkte ushqimore në vlerë prej 397,7 milionë euro.

Gjatë vitit 2014 Mali i Zi shumicën e raportit tregtar e ka fokusuar me Serbinë. Kështu në Serbi ka eksportuar mallra në vlerë prej 80 milionë euro. 40 milionë nga 80 sa eksporton, hyjnë në kategorinë e karburanteve fosile dhe lubrifikantëve, kryesisht qymyr dhe energji elektrike.

Kur është fjala për import nga Serbia, shumica e të ardhurave janë ndarë për produkte ushqimore, gjithsej 147 milionë euro. Gjatë vitit 2014 Mali i Zi nga Serbia ka importuar mallra në vlerë prej 480 milion euro, në këtë mënyrë Serbia mbetet partneri më i madh tregtar i Malit të Zi.

Përveç Serbisë, Mali i Zi ka eksportuar më së shumti në Greqi, gjithsej 144,5 milion euro mallra dhe produkte, ndërkohë që vlera e mallrave të importuara nga Kina është 132,7 milionë euro

Këmbimi tregtar me Bosnjën dhe Hercegovinën gjatë vitit 2014 ishte 158 milionë euro. Mali i Zi në këtë vend ka eksportuar mallra në vlerë prej 31,8 milionë euro. Nga ana tjetër nga BeH janë importuar mallra në vlerë prej 126 milionë euro. Për importin e produkteve ushqimore nga BeH, Mali i Zi ka ndarë 26 milionë euro.

Kur është fjala për këmbimin tregtar me Kroacinë, Mali i Zi nga ky vend ka importuar mallra në vlerë prej 107 milionë euro, ndërkohë që eksporti ishte tre herë më i vogël, 33 milionë euro.

Në Maqedoni Mali i Zi ka eksportuar mallra në vlerë prej 3,3 milionë euro, ndërsa ka importuar produkte në vlerë 26 milionë euro. Vetëm për produkte ushqimore të importuara nga Maqedonia Mali i Zi ka ndarë 11,8 milion euro.

Në anën tjetër, Kosova është i vetmi vend i rajonit ku Mali i Zi realizon bilanc pozitiv tregtar. Në Kosovë janë eksportuar mallra në vlerë prej 21,3 milionë euro. Më së shumti ka eksportuar produkte ushqimore, si dhe materiale të papërpunuara, si dru. Në anën tjetër, Kosova ka eksportuar tre herë më pak mallra në Mal të Zi, gjithsej 3,3 milionë euro.

Këmbimi i jashtëm tregtar i Malit të Zi në vitin 2014 ishte më i madhi me nënshkruesit e marrëveshjes CEFTA dhe Bashkimin Evropian.

Koha Net