Salaj: Mediat dhe politika

March 6, 2015   | Opinione

Ali Salaj, kryetar i ri i Art Club-it Ulqin_Mali i ZiAli Salaj

Kah mesi i viteve 80-të, kur nacionalizmi i skajshëm kishte nisur të ravijëzohet në ish Jugosllavi, spontanisht hyra në një veprimtari profesionale tejet të ndieshme dhe komplekse, në industrinë e informimit. Duke u sistemuar në Departamentin e Kulturës në Radio Televizionin e Prishtinës, pikërisht në Redaksinë e filmit dhe teatrit, nisa të punoja me një komoditet pasi besoja se arti kinematografik e sidomos filmi ndërkombëtar nuk ka ndonjë ndërlidhje serioze me politikën e aq më pak me politikën e ditës. Mirëpo, kjo vetëkënaqësi nuk zgjati shumë pasi monitoruesit apo siç njiheshin asokohe “komesarët politikë“ të mediave e kishin koncipuar edhe artin kinematografik si një rrezik për sigurinë e shoqërisë dhe të vendit. Këtë e provova në edicionin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit FEST në Beograd, të cilin po e ndiqja për herë të dytë. Festivalin e vitit 1985 e hapi filmi “Beteja për Moskën” në regji të Juri Ozerovit, bashkëprodhim i Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë, Gjermanisë Lindore dhe Vietnamit. Filmi ishte një epope me nuanca të spektaklit mbi Luftën e Dytë Botërore, ku zgjati gati gjashtë orë dhe e mërziti tejmase publikun dhe kritikët e filmit, të cilët e lëshuan para kohe premierën e filmit.

Për të krijuar një ironi dhe duke shpresuar se do të jepja një pamje të saktë të asaj që po ndodh në FEST, kronikën mbi këtë aktivitet e fillova me fjalinë: “Festivali i Filmit Ndërkombëtar – FEST-i u hap me filmin ‘Beteja për Moskën’, i cili zgjati gati sa vetë beteja e Moskës…” Kjo fjali e alarmoi redaktorin e redaksisë dhe “komesarët politikë“, të cilët kronikën e gjykuan si diçka “reaksionare“, që i prish kornizat e “hekurosura“ të konceptit programor dhe paraqet rrezikshmëri për zhvillimet pozitive në shtëpinë informative.

Kësisoji, që në nismë të gazetarisë e provova eksponimin anësor të censurës e cila, në forma të ndryshme, më përcolli gjatë tërë kohës në gazetarinë shqiptare. Ironia ishte se censura më përfshiu në një fushë që konsiderohej industri e argëtimit dhe e spektaklit dhe ishte shumë larg gazetarisë informative ditore dhe politike.

Pas ndryshimeve politike dhe lindjes së pluralizmit u besua në reformimin e mediave, e sidomos në zhdukjen e kërcënimit nga censura, që fillimisht u mendua se do të mbetet dinozauri i fundit i asaj epoke. Mirëpo, në një realitet të ri mediatik lindën sfida që në nismë u duken më tunduese se ato që lamë pas. Pluralizmi i dha një kahje të re censurës duke e rikompozuar atë sipas realitetit dhe interesave të reja politike. Tranzicioni i tejzgjatur i shoqërisë promovoi një marrëdhënie incesti midis politikës dhe mediave. Derisa më parë ekzistonte një nomenklaturë e caktuar që i mbikëqyrte mediat, sot çdo subjekt politik përpiqet të ndikojë dhe mundësisht t’i uzurpojë ato. Kështu në vend që ndryshimet politike të sillnin një pamje të re dhe të pavarur mediatike, ato u bënë pasojë e politizimit agresiv të tyre. Në vend që mediat në gjuhën shqipe të reflektonin shtigje të reja për shoqërinë shqiptare, ato u bënë zëdhënëse të partive ose të grupeve të ndryshme klanore.

Mediat u bënë magnet për aktorët politikë, të cilët pushtetin e tyre donin ta praktikonin në kuadër të pushtetit absolut mbi media. Kështu ata mediat i perceptonin si një trampolinë për ngritje në karrierë dhe politikë dhe me një arrogancë agresive kërkonin që çdo minutë dhe çdo rresht t’u kushtohet vetëm atyre. Në emër të ndryshimeve politike dhe tranzicionit, ata fillimisht instaluan gazetarët e vet, shumica prej të cilëve ishin ose anëtarë të partisë ose simpatizues dhe militantë të tyre. Në radiot lokale dhe në emisionet shqip në RTV e Malit të Zi, forcat politike shqiptare (LD në MZ dhe UDSH ) përveç drejtorëve dhe redaktorëve, instaluan një numër të dukshëm gazetarësh të rinj, të cilët në forma të ndryshme pranuan në heshtje misionin duke u bërë në shumë raste zëdhënës partiakë.