Nesër më 19 mars “Horizonti i Ri” nga Ulqini organizonë Konferencë për media

March 18, 2015   | Shoqëria / Društvo

Horizonti-i-ri-Ulqin-Novi-Horizont-UlcinjJu njoftojmë se të enjten me datën 19 mars 2015, me fillim në ora 11:00, organizatat e shoqërisë civile “Fëmijët e Malit të Zi” nga Podgorica dhe “Horizonti i Ri” nga Ulqini organizojnë Konferencë për media.

Aktiviteti organizohet në hapësirat e Horizontit të Ri, në lagjen Kodre.

Konferenca për media organizohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i partneritetit për ofrimin e shërbimit të ri social në Ulqin”, i cili realizohet me mbështetjen e Asociacionit të Agjencive për Demokraci Lokale (ALDA) dhe Agjencisë për Demokraci Lokale – Nikshiq, financuar nga Bashkimi Evropian përmes Delegacionit të BE-së në Mal të Zi.

Qëllimi i këtij projekti ishte përmirësimi i cilësisë së jetesës të prindërve të vetëm në komunën e Ulqinit, përmes forcimit të kapaciteteve dhe kompetencave të tyre.

Poashtu, projekti kishte për qëllim edhe avancimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile, në mbështetjen e prindërve të vetëm.

Projekti është realizuar në periudhën qershor 2014 – mars 2015.

Rezultatet e këtij projekti do të shërbejnë si një platformë e mirë për hartimin e një politike efikase sociale në nivel lokal. Komuna e Ulqinit e ka iniciuar këtë proces tash 2 vite dhe pritshmëritë janë që përmes këtyre hapave të krijohen më shumë programe për mbështetjen e prindërve të vetëm.

Qëllimi i organizimit të konferencës për media është prezantimi i rezultateve të projektit për publikun e gjerë si dhe ndikimi i projektit në përkrahjen më të madhe të prindërve të vetëm në komunitet.

Në këtë aktivitet, veçanërisht do të prezantojmë UDHËZUESIN PËR PRINDËRIT E VETËM, i cili për herë te parë botohet në Mal të Zi, si dhe Bazën e të dhënave për prindërit e vetëm, e cila për herë të parë hartohet për komunën e Ulqinit.

Përveç përfaqësuesve të OJQ-ve të cilat e realizuan këtë projekt, në këtë Konferencë do të flasë nënkryetari i Komunës z. Ardijan Mavriqi si dhe shefi i Qendrës për Punë Sociale (njësia rajonale Ulqin), z. Mehmet Duraku, në cilësinë e partnerëve kryesor të projektit.

Në këtë aktivitet do të jenë prezentë edhe nënat e vetme/kryefamiljare të cilat kanë qenë pjesëmarrëse aktive të projektit.

Për të gjithë të pranishmit, në fund do të shtrohet një koktej i përbashkët.

Më shumë informacion mund të merrni  në nr. 067 828 746 ose djecacrnegore@yahoo.com