Bujar Nishani në Malësi nga Nikollë Camaj + Foto

March 23, 2015   | Shtypi / Mediji

Bujar Nishani në Malësi -Nikolle-CamajNikollë Camaj – dy fjalë Presidentit Nishani.

Nga ajo që Nikollë Camaj tha sot në takim me Bujar Nishanin veçojmë:

I nderuari President Nishani, mirë se erdhe në Malësinë shqiptare, mirë se erdhe në Malësinë tënde, të cilën e dekorove me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Përfaqësoj grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike, respektivisht grupin që i pat përfaqësuesit aty para në pritjen tuaj, me pankarta, e që siç e patë, njëra ishte dëshirë mirëseardhjeje, kurse tjetra kërkesa jone themelore për komunë të plotë. Nga fjala juaj kuptuam se kreu malazias ua ka premtuar se do te zgjedhë këtë çështje konform standardeve dhe kërkesave të qytetarëve, por Zoti President atyre nuk mund t’u besohet, sepse premtime të tilla po bëjnë tash rrafsh njëzet vite, e statusi nuk po ndryshon. Zoti President, unë i takoj gjeneratës, e cila kur pinte kafe përgëzohej me bekimin: “e pijshim edhe në Shkodër” dhe ja se erdhi koha e u hapen kufijtë, e natyrisht se pritjet tona për përkujdesje të shtetit shqiptar, shtetit amë, ishin të mëdha, ndoshta ma të mëdha se mundësitë reale, sepse ne qemë bonjakë për më se 40 vite, e ato pritje vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot. Më pëlqeu pa masë mesazhi Juaj që me fanatizëm të ruajmë gjuhën tonë, identitetin tonë, dhe unë do ta mbaj mëndë këtë mesazh për jetë, sepse me grupin tim politik mu ata bëjmë, por më besoni zoti President kur Ju them se në Tuz, ku 80 % të banorëve janë shqiptarë, ushtrohet aparteid gjuhësor, dhe ne shpesh nuk na mundësohet të vijmë deri te aktet në gjuhën shqipe, edhe pse ato i garanton kushtetuta, ligji dhe statuti i Kryeqytetit. Pa hyrë ne detaje të tepërta, sepse nuk dua të ju lodhi më shumë, pasi që po ju dorëzoj këtë zarf, ku keni një shkresë me gjashtë faqe material, mbi shqetësimet, padrejtësitë dhe kërkesat tona dhe shpresoj se Ju apo këshilltarët Tuaj do të ndani pak kohë për ti lexuar. (Në këtë komenti i Presidentit ishte faleminderit dhe me shumë kënaqësi!). Dhe në fund zoti President, kthehem përsëri te fakti se Ju Malësisë i dhatë Urdhrin “Nderi i Kombit”, për çka meritoni respektin e malësorëve, por ju njoftoj se dekreti Juaj gjendet dhe ruhet në një shtëpi private, ku ruhen të gjitha vlerat tona etno-kulturore, në kushte tejet të këqija, e për të cilën ky pushtet, lokal as ai qendror në Podgoricë, nuk ndajnë asnjë fond për ta mirëmbajtur, e ne si komb pa ato vlera jemi zero. Si individ mund të jemi dikush, por si komb, kam frikë së pa identitetin tonë që ruhet përmes vlerave tona etno-kulturore, nuk mund të ecim larg, prandaj zoti President, me dashamirësi ju kisha sugjeruar që, edhe pse jashtë protokollit, të vizitoni këtë Muze që gjendet në fshatin Lekaj, 3 km nga këtu, e të bindeni vet në këtë që ju thash. Përndryshe muzeun, muaj më parë e kishte vizituar ministri shqiptar i kulturës.

Presidenti Bujar Nishani me vëmendje dhe interesim të veçantë e ndoqi dhe, në të njëjtin nivel, iu përgjigj këshilltarit të LD-së, duke ofruar gatishmëri që, pa pretenduar për të qenë përfaqësueses i yni, të angazhohet në zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura të shqiptarëve në Mal të Zi.

Vlen të shtojmë në fund se z. Nishani i holli si të pabaza disa shkrime të portaleve malazeze, apo si të humbura në përkthim, sepse, siç u shpreh, Ai nuk mund të fliste për atë se si ndihen shqiptarët në Mal të Zi, por për aq më tepër, vetëm për shqetësimet e tyre”

Lidhja Demokratike Facebook