Presidenti Nishani përmbylli vizitën me një takim të përzemërt me shqiptarët e Malit të Zi – Video

March 25, 2015   | Intervista / Intervju, Lajmet / Vijesti

presidenti-bujar-nishani-keshilli-nacional-i-shqiptarevePresidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në përfundim të vizitës së tij shtetërore në Mal të Zi zhvilloi një takim me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, të zgjedhurit në institucionet vendore dhe ato qendrore, shoqërinë civile, përfaqësues të institucioneve fetare dhe përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe që veprojnë në të gjithë territorin e Malit të Zi.

Në hapje të takimit z. Genc Nimanbegu (deputet në Parlamentin e Malit të Zi), kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, theksoi se është hera e parë që  mblidhen përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve nga Plava e Gucia, Rozhaja e Tivari, Tuzi e Malësia, Anamali e Ulqini.

presidenti-nishani-keshilli-ne-Ulqin

Presidenti Nishani u shpreh se ndihet i emocionuar dhe krenar për këtë takim duke i falënderuar që me anë të këtij numri kaq të madh u shpreh gatishmëria për bashkëbisedimin vëllazëror. “Edhe pse kemi qenë afër fizikisht, nuk kishim asnjë mundësi as të takohemi e as të bashkëbisedonim si vëllezër të një gjaku dhe të një gjuhe e kombi me njëri-tjetrin. Sot që jemi të lirë duhet të qëndrojmë sa më afër dhe sa më të bashkuar me njëri-tjetrin që ta ndihmojmë dhe t’i gjendemi në të mirë dhe në ditë të vështira si vëllai vëllait.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

presidenti-nishani-ne-hotel-otrant-ulqin

“Problemet e pazgjidhura të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të gjejnë zgjidhje duke u bazuar në praktikën më të mirë evropiane, në respektim të të drejtave të pakicave, duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe të gjitha të drejtat në përdorimin e gjuhës, simboleve kombëtare, shfrytëzimin e pronës dhe të mirave detare, administrimin lokal, përfaqësimin e drejtë në institucionet qendrore dhe vendore, në punësim në administratën shtetërore dhe çdo fushë të jetës duke respektuar Kushtetutën e Malit të Zi, perspektivën euroatlantike të tij dhe stabilitetin politik të vendit ku ju jetoni në trojet tuaja stërgjyshërore,” –  u shpreh mes të tjerash Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit shqiptar u bëri thirrje të pranishmëve në këtë takim dhe i inkurajoi si prindër, familjarë, burra dhe gra të angazhuara, drejtues fetarë dhe politikë për të marrë përsipër për të çuar përpara angazhimet që kemi në të mirë të kombit tonë dhe të fëmijëve tanë, për një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne, fqinjët tanë dhe mbarë rajonin e më gjerë, njoftohet nga presidenca e Republikës së Shqipërisë.

YouTube Preview Image