Canka: Gënjeshtrat kilometrike të Forcës

April 8, 2015   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Mustafa-Canka-GazetarMe kumtesën e sotme Forca e ka tejkaluar vetveten. Kjo mori e të pavërtetave, shpifjeve dhe akuzave, dëshmojnë nivelin e ultë në të cilën ka rënë kjo parti. Kumtesa e panënshkruar, përplot gënjeshtra kilometrike, flet se prej saj turpërohen edhe ato të cilët vetë e shkruan, raporton portali Ul.info.

Edhe ata, fatzitë, pavetëdije parandiejnë se po i afrohet fundi politik. Kali gjuan shqelma para se i del shpirti, themi ne ulqinakët.

Vërtetë, çdo gjë i është turbulluar këtyre djelmoshave. Gjynah në çfarë derexheje kanë rënë.

Duke folur për tjetrin, njeriu më së shumti flet për vetveten. Po nuk është që Mustafa Canka sot erdhi nga Australia! Njerëzit e njohin dhe e dinë se asnjëherë nuk ishte, dhe nuk është as sot, i dhënë mbas parave. Përndryshe, prej kohësh do ta kishte materializuar punën e vet. Gjë që absolutisht nuk mund të thuhet për autorët e këtij shkrimi të mjerë.

Prandaj kur dilni para opinionit, kini pak më shumë kujdes! Nuk i drejtoheni debilëve dhe injorantëve. Ky qytet është i vogël për intrigat tuaja të ulëta, për nxitjen e grindjeve mes ulqinakëve dhe për të përpirë gënjeshtrat tuaja kilometrike.

Sikur të ishit të vetëdijshëm për këtë nuk do ta shkruanit se organizata e Mustafa Cankës e ka propozuar atë në anëtarësi të Këshillit (!?), ngase këtë gjë e bëri një nga OJQ-të më në zë në Ulqin, “Horizonti i ri”.

Poashtu e pavërtetë është se në mbledhjen e KD të Mirat Detare është votuar që mos të nënshkruhet kontrata me OJQ “Ul info”. Të paktën ju e dini se jam shumë mirë i informuar.

Megjithatë, e pavërteta më e madhe është se Mustafa Canka ndonjëherë është përjashtuar nga ndonjë organizatë. Askund, asnjëherë nga asnjëra!!!

E tillë është çdo e “vërtet” e kësaj shoqërie të interesit e cila bredh si “pulat pa kry” duke i bërë më së shumti dëm vetes. Çdo ditë dike e sulmon. Si zakonisht, partnerët e vet të koalicionit!? Kjo është e paparë në praktikën politike: të prishësh diçka ku edhe vet gjendesh!? Kjo është përtej mendjes së shëndoshtë. Një gjë të tillë mund ta bënit si opozitë, por si pushtet nuk mundeni. Sidomos për arsye se përgjegjësia juaj në pushtetin aktual është tejet e madhe.

Sikur deri tani të kishit mësuar ndonjë gjë në politikë, do ta dinit se është rregull i vjetër që kur një parti grindet me një gazetar, gjithmonë dështon dhe humb në fund. Ju me kumtesën tuaj shënuat një autogol. Prandaj, ju vetëm përpara! Ju mundeni më!