Pjesëmarrja masive dëshmi e një pune serioze profesionale 40 vjeçare

April 8, 2015   | Lajmet / Vijesti, Sporti / Sport

Klubi i Karatesë UlqiniUlqin – Klubi i Karatesë “Ulqini” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Federatën e Karatesë së Malit të Zi organizoi të dielën, më, 05.04.2015, në sallën e shkollës fillore “Marshali Tito” në Ulqin Turneun XIV Ndërkombëtar të Karatesë “Ulqini Open 2015”. Turneu u organizua me rastin e Ditës së Ulqinit dhe 40-vjetorit të themelimit të klubit të karatesë “Ulqini”.

Në Turne morën pjesë 61 klube të karatesë nga 10 shtete pjesëmarrëse, me gjithsej 851 garues. Vendi i parë në renditjen e përgjithshme i takoi KK “Bar” nga Tivari, vendi i dytë KK “Omlladinac” nga Podgorica, vendi i tretë KK “Forca” nga Shkupi, ndërsa në vendin e katërt u rendit KK “Buduqnost” nga Podgorica. Këto klube u shpërblyen me kupa. Garuesja më e mirë e

Turneut u shpall Jovana Mariq nga KK “Buduqnost” nga Podgorica, ndërsa garuesi më i mirë Mario Hoxhiq nga KK “Omlladinac” nga Podgorica, të cilët u shpërblyen me nga një kupë dhe me të holla.
Pjesëmarrja e garuesve më të mirë nga klubet pjesëmarrëse bëri që konkurrenca të jetë shumë e madhe. Nga KK “Ulqini” kanë bërë të ditur se janë shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e klubeve, duke bërë që ky të jetë njëri ndër turnetë më masovikë dhe më cilësorë në vend dhe rajon.

Këtë turne e bëri më madhështor edhe një datë shumë me rëndësi jo vetëm për klubin, por për karatenë dhe për sportin në përgjithësi në komunën e Ulqinit – 40-vjetori i themelimit të KK “Ulqini”. Ai u themelua në vitin 1975 në kuadër të Shoqatës Sportive Ulqini, kurse në vitin 1985 u regjistrua si klub i pavarur me emrin e qytetit ,duke mbrojtur kështu për katër dekada ngjyrat e tij me krenari dhe me një përfaqësim të denjë në arenat vendore, kombëtare dhe mbarëkombëtare.

Gjatë hapjes solemne të Turneut, të gjitha klubeve pjesëmarrëse iu nda nga një mirënjohje dhe nga një plaketë nga KK “Ulqini” në shenjë të bashkëpunimimit të suksesshëm shumëvjeçar. Po ashtu, mirënjohje iu nda Federatës së karatesë të Kosëvës, të cilën e pranoi kryetari i saj, z. Fadil Arifi, Federatës Shqiptare të Karatesë, të cilën e pranoi zyrtari i lartë i kësaj federate, z. Parid Dule, Federatës së Karatesë të Malit të Zi, të cilën e pranoi sekretari i saj, z. Ivan Bajiq, Unionit të Karatesë Shqiptare në Maqedoni, të cilën e pranoi kryetari i Unionit, z. Alim Hajredini, mikut shumëvjeçar të klubit, ish sekretarit të përgjithshem të Federatës së Malit të Zi, z. Dragan Kraçkoviqi, kryetarit të ITKF në Britani të Madhe, z. Islam Berisha si dhe drejtorit teknik në WTKA, z. Enver Cakiqi.

Gjatë ceremonisë ishte paraparë t’i ndahet një plaketë edhe Akademisë së Karatesë në Maqedoni, por pasi që udhëheqësit e Akademisë nuk arritën të jenë të pranishëm në Turne për shkaqe objektive, mirënjohja do t’ju dorëzohet në ndonjë takim të radhës.

Një mirënjohje iu dorëzua edhe drejtoreshës së Organizatës Turistike të Ulqinit, zonjës Zana Hollaj-Sarvan, e cila në emër të OT-së të gjitha klubeve pjesëmarrëse i dhuroi nga një dhuratë modeste.

Turneun, përvjetorin dhe organizatorin e nderoi me pjesëmarrje dhe e bëri më madhështor ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Shkëlqesia e Tij, z. Ernal Filo, i cili pasi iu dorëzua plaketa, mori fjalën dhe përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, i uroi suksese në gara dhe e përgëzoi organizatorin për organizimin e shkëlqyeshëm të Turneut.

Plaketa iu dorëzua edhe kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjekës, bashkëorganizatorit të garës, i cili pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, i falënderoi për praninë dhe i uroi sukses dhe qëndrim të këndshëm në Ulqin, e shpalli të hapur Turneun XIV ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2015”.

Kryesia e KK “Ulqini” falënderon të gjithë sponzorët që përkrahën këtë ngjarje të madhe sportive, të gjitha mediat të cilët e përcollën dhe reklamuan Turneun për muaj me radhë, kurse një falënderim i veçantë i takon Komunës së Ulqinit, në krye me Kryetarin Fatmir Gjekën për përkrahje, duke mundësuar organizimin e Turneut dhe vazhdimin e kësaj tradite shumëvjeçare.

Garuesit e Unionit të klubeve të karatesë “Ulqini” dhe “Rei” u paraqiten si një tërësi me mbi 100 garues të vet, por për shkak se ishin organizatorë të turneut, nuk konkuruan për shpërblime e as për radhitje në plasman gjeneral, edhe pse rezultatet e garuesve të tyre ishin mjaft të mira, duke treguar edhe njëherë përgatitjen e mirë në ndeshje me garuesit më të mirë të rajonit.

Në fund, udhëheqësia e KK “Ulqini” falënderon të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në këtë turne tradicional, sepse me këtë ata e madhështuan festimin e Ditës së Ulqinit dhe 40-vjetorit të themelimit të klubit të karatesë “Ulqini”. Po ashtu, pjesëmarrja masovike është dëshmi i miqësisë dhe bashkëpunimit të mirë të KK “Ulqini” me klube në vend dhe jashtë vendit.

SHËRBIMI INFORMATIV I KLUBIT TË KARATESË ”ULQINI”