Dr. Ismail Doda – Studiues i mençurisë së popullit të Krajës

April 16, 2015   | Kulturë / Kultura

Dr. Ismail Doda – StudiuesNga Gjekë Gjonaj

Kraja, një oazë etnike, arsimore dhe shkencore e shqiptarëve në Mal të Zi nëpër shekuj e ka thelluar, kultivuar, trashëguar dhe begatuar mençurinë e popullit shqiptar, që është një margaritar i cili   do t’i përballojë jo vetëm kohës, por besoj edhe epokës. Kjo trevë ishte dhe vazhdon të mbetet djepi i mençurisë së populllit. Gjhithçka është mençuri, është krijim, e gjithçka është krijim është mençuri” pohonte Hegeli . Përkundër varfërisë dhe prapambeturisë së gjithanshme, folklori, në të gjitha format ka qenë i vetmi prodhim artistik I kranjanëve. Krijimtaria gojore ishte ushqim shpirtëror i tyre në të gjitha kohërat. Ata në oda e tubime, gazmende e ceremoni i lëshuan fre imagjinatës së tyre të pasur, duke ngritur virtytet më të larta, atdhedashurinë, besnikërinë e bujarinë, trimërinë e luftën. Kraja është një rajon jashtëzakonisht interesant i jetës kulturore të popullit , ku elementet e kulturave të huaja kanë depërtuar me vështirësi dhe fare pak ose aspak kanë ndikuar në traditën autoktone.

Studiuesi i zellshëm i folklorit burimor Ismail Doda është ndër të pakët dhe të rrallët ( nga të gjallët) që me dekada vjel në vazhdimësi thesarin e paçmuar të mençurisë sonë, veçmas të Krajës . Ai qysh heret tregoi interesim dhe dashuri të madhe për historinë gojore të kësaj trevë iliro-shqiptare, dhe jo vetëm.    Pa përtesë  në rrethana të vështira të kohës në gjysmëshekullin e kaluar fillon rrugëtimin e tij të gjatë nëpër fshatrat e Krajës në vjeljen dhe grumbullimin e këngëve popullore, frazave e frazeologjive, anekdotave , fjalëve të urta,   gjë e gjëzave , përrallave, përrallëzave kallëzimeve e zhanreve tjera.

Oda e burrave, mençuria, tregimet dhe këngët popullore, e kanë nxitur t’i qaset kësaj fushë e cila nuk ishte edhe aq e lehtë, sepse shpesh i janë dashur udhëtime të gjata, vetëm në këmbë, pa material dhe mjete të nevojshme, pa ushqim të rregulltë e gjumë të bollshëm, madje edhe nën përcjelljen e “ fshehtë”   të regjimit të kohës, të mbajë shënime “ me thes”.

 

Veprimtaria e tij mori hov me fillimin e bashkëpunimit të tij me Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku e ndihmuan shumë prof. Eqrem Çabej , prof. Anton Çetta e studiues të tjerë të folkloristikës. Seriozitetin e punës së këtij foklkloristi të mirënjohur arbëresh   e vërteton letërkëmbimi i gjatë prej gjashtë faqesh, të cilin ia nisë prof. Eqrem Çabejt, nga Arbneshi , më 30.06 1975. Në letrën e tij të parë Ismail Doda  ndër të tjera e njofton professor Çabejn, se përkundër vështirësive me punë sistematike dhe “vullnet të çelikosur”, po përpiqej t’i kontribuonte vendit dhe shkencës albanologjike, ndërsa konsultimet dhe këshillimet, qofshin ato edhe përmes korrespondencës ishin të një vlere të madhe. Është kjo koha kur Ismail Doda vjelë toponomastikë, frazeologji, folklor dhe fjalë të rralla, trajta nëndialektore etj., ndërsa po përgatitej që të merrej me një projekt mjaft serioz në fushë të gjuhësisë shqiptare: studimin “Rreth përkimit të gjuhës së Buzukut me ligjërimet e Krajës dhe të Shestanit”, të cilën ia kishte sugjeruat profesor Çabej, më 8.12.1972, gjatë ditëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”.

Qysh atëherë, në rrjedhë të viteve Ismail Doda ka qenë emër i njohur në mjediset studimore të shqiptarëve në Mal të Zi, e më gjerë, duke marrë pjesë me kumtesa në Kongrese të Folkloristëve Jugosllav. Artikujt dhe studimet e tij janë botuar në revista të ndryshme kulturore e laterare të Malit të Zi, të Shqipërisë, Kosovës dhe tek Arbneshët e Italisë.

Pasuria mendore dhe gojore e Krajës do të mbetej e pazbuluar pa lapsin e tij, ndonëse , siç shprehet ai me modesti, edhe pa të ky thesar do të zbulohej dhe do të trajtohej. Pyetjes se “ sa ka arritur që ta studioj dhe hulumtoj këtë thesar të paçmueshëm “ mu përgjij “ aq sa merr ujë nga deti , me një gotë”!

 

Ky mbledhës dhe studiues i përkushtuar i folklorit të pasur të shqiptarëve,   mësimdhënës e drejtor shkolle në Krajë , më 22 janar 2015 , në Qendrën e Studimeve Albanologjike,organizuar nga Shkolla Doktorale e Etnologjisë dhe Folklorit, në Tiranë mbrojti me sukses, para jurisë pesëanëtarëshe doktoraturën” Baladat popullore te shqiptarët e Malit të Zi”.