Kujtimet nga e kaluara e Ismail Bushatit: Si deshën të na largonin nga Kalaja!

April 28, 2015   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Kujtime nga e kaluara: Ismajl Bushati – rrëfime autentike mbi tërmetin në Ulqin
Ismajl Bushati ndjehet sot krenarë për veprimin e ndërmarrë pas tërmetit të vitit 1979 për të mos e lëshuar me asnjë kusht Kalanë e Ulqinit, i vetëdijshëm se historia dhe realiteti mbase do të kishte qenë ndryshe sikur banorët e saj të kishin pranuar të largohen nga ajo. Ismajl Bushati, i cili për disa ditë do të mbushë 80 vjeç, rri ulur në tarracën e restorantit të tij “Kalaja” dhe sodit Ulqinin dhe detin. Në kokën e tij janë rrënjosur shumë ngjarje të përjetuara gjatë jetës. Por tërmeti i vitit 1979 është një histori në vete. Këtë histori personale, rrëfim autentik të përjetuar, por që ka të bëjë me të gjithë Ulqinin, ai ia tregon gati çdo mysafiri të restorantit të tij. Për këtë ka arsye, sepse siç thotë ai, “ti në Kala sot nuk kishe qenë. As ti, as unë”. Edhe pse kanë kaluar më tepër se tridhjetë vjet nga tërmeti i vitit 1979, atij i kujtohen si sot ato ngjarje që pasuan pas tërmetit kur pushteti i asaj kohe nën pretekstin e rrezikut që ekzistonte për shkak të rrënimit të objekteve në Kala, donte t’i largonte të gjithë banorët nga Kalaja. “Atë ditë që ka ndodhur tërmeti kanë ardhur gjashtë policë dhe komandiri Ganiq të na nxjerrin jashtë”, fillon rrëfimin e tij Ismajli. Nën pretekstin e rrezikut, të 68 familjet që jetonin në Kala ishin detyruar të largoheshin duke u vendosur disa në “Ferijalni Savez” në Plazhin e Madh, ndërsa një pjesë tjetër në objektet e hotelit “Mediteran”. Pesë ditë pas tërmetit, të gjithë kalalitë (banorët e Kalasë) i kishin ftuar në një takim në hotelin “Bellevue” ku merrnin pjesë Bllazhija Vukçeviq, Lolo Miçetiq, Dul Holli dhe Xhemal Fici. Ata u premtuan banorëve të Kalasë se kush don të largohet do të fitojë nga 500 dinarë, një shumë relativisht e madhe në atë kohë, me të cilën sipas Bushatit “kanë mundur të ndërtohen tre kate shtëpi”.

Nga frika, por të joshur edhe nga shumë e lartë e parave, banorët e Kalasë u pajtuan me propozimin dhe çuan duart në shenjë aprovimi, me përjashtim të Ismajlit. Atëherë Bllazhija dhe Loloja më thanë: “Bushat, pse s’po flet?” “Bllazhija, pse don me i rrejtë. Ku don me i marrë nga 500 dinarë? Unë Kalanë nuk e lëshoj. Rahmet pastë, ashtu si ka dalë baba nga Kalaja do të dal edhe unë. Policia mund të më nxjerrë, por unë nuk do të jetoj më në Ulqin”, ishte përgjigjja e Ismajlit. Vetëm disa ditë pas tërmetit, pushteti i atëhershëm kishte marrë vendim për mbylljen e Kalasë. Për këtë qëllim kishin porositur dyert prej hekuri të cilat do të vendoseshin në hyrjen e poshtme dhe të sipërme të Kalasë. Sapo mori vesh këtë lajm, Ismajli shkoi te kryetari i atëhershëm i Komunës së Ulqinit, Marko Kallugjeroviqi. Ai e priti shumë keq duke i thënë: “Duhet ta lëshosh gjithsesi Kalanë”. Dritat në Kala dhe “shpëtimtari” Tito Por Ismajli ishte betuar se nuk do ta lëshonte Kalanë dhe se nuk do t’i bindej pushtetit të asaj kohe. Në kokën e tij tashmë kishte hartuar një plan. Sapo doli nga takimi me kryetarin Kallugjeroviq, së bashku me djalin e tij të madh, Ragipin, shkuan me makinë te një mik i tij në Tuz nga i cili mori një gjenerator. “Kur u kthyem, gjetëm dy policë në hyrje të Kalasë. Ju them se dua të shkoj të marr kostu kostumin në shtëpi në Kala. Për t’i mashtruar i çova në një kafe. Ragipi ndërkohë futi gjeneratorin në Kala. Kur u kthye, Ragipi më thotë se nuk e ka gjetur kostumin”, vazhdon rrëfimin e tij Ismajli. Nën pretekstin e mosgjetjes së kostumit, ai u mori leje policëve të patrullës të hynte në Kala. “Ishte ora 13.55. Edhe pesë minuta duhej të ndërrohej patrulla e policisë”, kujton Ismajli.

Kadro-Bushati

Me të mbërritur në shtëpinë e tij kishte filluar punën për rregullimin e dritave për ndezjen e të cilave do të përdorte gjeneratorin. “Fotografisë së Titos i vendosa dy drita”, thotë Ismajli. Për planin e tij i kishte treguar edhe Novakut nga policia të cilit i kishte premtuar se “në orën 19 do të ndezen dritat në Kala”. Madje i kishte thënë që të dalë në Ranë dhe të shikojë. Tamam në orën 19, ai ndezi gjeneratorin dhe dritat u ndezën sërish në Kala. “Rreth 200 vetë kanë dalë të shohin në Ranë”, thotë Ismajli. Dy malazeze të cilat i kishte takuar më vonë dhe të cilat po ashtu kishin qenë dëshmitare të ndezjes së dritave në Kala me mallëngjim i kishin thënë se “na është dukur sikur të ishte ndezur feriboti”. Por kjo ngjarje kishte irituar policinë. “Nuk kanë kaluar 30 minuta dhe kanë ardhur tetë policë, të udhëhequr nga komandanti Ganiq”, kujton Ismajli. Por “diplomacia” e tij kishte fituar. “A është gjynah të rrijë ky njeri në terr?”, u kishte thënë ai policëve duke Ju treguar fotografinë e Titos, të cilën e kishte ndriçuar me dy drita. Atëherë komandanti Ganiq u kishte dhënë urdhër policëve që të ulen dhe të rrinë. “Kanë ndenjur duke pirë deri në orën dy të mëngjesit”, kujton Ismajli. Dy vjet pa ujë dhe rrymë Ndezja e dritave në Kala ishte bërë problem për pushtetin e atëhershëm sepse ishte shkelur vendimi i tij. Të nesërmen në mëngjes në derën e Ismajl Bushatit erdhi korrieri i Komunës së Ulqinit me ftesën për t’u paraqitur te kryetari i Komunës, Marko Kallugjeroviq. Ai e priti shumë keq. “Si ka pasur mundësi t’i ndezësh dritat?”, më tha, tregon Ismajli, duke e përkujtuar se kishin marrë vendim që Kalaja të mos hapet për 10-15 vjet. “Çfarë mendon ti i vetmi të ndezësh dritat në Kala?”, vazhdoi kryetari Kallugjeroviq. Në pyetjen e Kallugjeroviqit, Ismajli iu përgjigj: “Do t’i ndezi unë përsëri”. Kallugjeroviq iu kërcënua përsëri duke i thënë: “Për një gjysmë ore duhet ta lëshosh Kalanë”. Por, edhe në këtë fitoi përgjigjen me vendosmëri të Ismajlit: “Nuk e lëshoj Kalanë”. Të njëjtën përgjigje, Ismajli kishte fituar edhe te sekretari i Komitetit, Elez Muçoviqi. Në pyetjen e tij drejtuar Muçoviqit “A je edhe ti për me e lëshuar Kalanë?”, ai fitoi përgjigjen “Duhet ta lëshosh Kalanë”. I vendosur në kërkimin e të drejtës së tij, Ismajli nuk u mjaftua me përgjigjen që mori nga drejtuesit lokalë. Ai po të njëjtën ditë shkoi në Podgoricë. “Të njëjtën ditë kam shkuar në Podgoricë te Veljko Millatoviq, kryetar i Kryesisë së Republikës Socialiste të Malit të Zi. Ai më pranoi. Ia tregova situatën. Më pyeti: Ku flen ti? I thashë në restorant. Nuk dëshiroj ta lëshoj Kalanë”, kujton Ismajli. Millatoviq e përcolli me fjalën “Shko”. Atë natë, pas kthimit nga Podgorica, Ismajli nuk kishte fjetur fare nga ankthi. Në mëngjesin e nesërm erdhi korrieri i cili ia solli letrën me firmën dhe vulën e kryetarit Millatoviq, në të cilën shkruhej: “Këtë person mos e prekni”. Ismajlit i kujtohet se kur sërish e kishte takuar më pas Elez Muçoviqin në qytet i kishte thënë: “Sa shpejt mbërrite në Podgoricë!”
Në këtë mënyrë, këmbëngulja e Ismajlit për të mos e lëshuar Kalanë fitoi. Por peripecitë e tij nuk mbaruan. Pas kthimit për të jetuar në Kala së bashku me familjen e tij, ai dhe familja e Jakup Nimanbegut, dy familjet e vetme që u kthyen menjëherë pas tërmetit për të jetuar në Kala, jetuan dy vjet pa ujë dhe rrymë. Pushteti i atëhershëm lokal nuk e mbajti premtimin që u pat dhënë kalalinjve për t’i lëshuar shtëpitë e veta. “Ato 500 dinarë nuk i dhanë kurrë”, thotë Ismajli. Pas dy vjetësh nga tërmeti, kryetari i atëhershëm i Komunës së Ulqinit, Marko Kallugjeroviqi, i tuboi sërish kalalitë në kinemanë e qytetit për t’u kumtuar lajmin: “Kush ka shtëpi të forta le të kthehet në Kala”. Ky ishte një satisfaksion tjetër për Ismajlin në këmbënguljen e tij për të mos e lëshuar Kalanë. Pas tij dhe familjes së Jakup Nimanbegut, pjesa më e madhe e familjeve që më parë jetonin në Kala u kthyen për të jetuar aty. Nga 68 familje që para tërmetit jetonin në Kala, 20 – 25 familje nuk u kthyen më kurrë për të jetuar në Kala pas tërmetit. “Janë kthyer të gjithë që kanë pasur shtëpi të forta. Të tjerëve Komuna iu ka dhënë troje për ndërtimin e shtëpive”, thotë Ismajli. Ismajli ndjehet sot krenarë për veprimin e ndërmarrë në atë kohë, i vetëdijshëm se historia dhe realiteti i Kalasë mbase do të kishte qenë ndryshe sikur banorët e saj të kishin pranuar të largohen nga ajo pas tërmetit. Dashurinë e tij ndaj Kalasë, Ismajli e ka përjetësuar edhe në emrin e restorantit të tij, restorantit të parë në Kalanë e Ulqinit, të hapur para tërmetit të vitit 1979, të cilit i ka vënë emrin “Kalaja”. “Nuk mund të paramendoja t’i vendosja emër tjetër një restoranti në Kala”, thotë ai.

“Galeb”-i, dashuria e humbur

Përveç Kalasë, Ismajl Bushati flet me dashuri edhe për hotelin “Galeb”, ku ai ka punuar si kamarier rreth dyzet vjet. “Ka qenë lezet të punosh në “Galeb”. Nga Ulqini deri në Herceg Novi nuk ka pasur hotel më të bukur”, thotë ai, dhe kritikon ata që kanë vendosur prishjen e tij. Sipas Ismajlit, shteti i Malit të Zi ka ndjekur gjithmonë politikë që nuk ka qenë në favor të Ulqinit dhe zhvillimit të tij. “Po të kishin dashur do ta kishin ndërtuar edhe “Jadran”-in”, thotë ai, duke menduar për hotelin në Kepin e Sukës që u prish gjatë tërmetit

Ismajl Bushati_kalaja e ulqinit

I.Kallaba
Koha Javore
YouTube Preview Image

2