Ekspozita e Zake Prelvukaj me “Tranzicioni”, në Podgoricë

May 5, 2015   | Shtypi / Mediji

Ekspozita e Zake Prelvukaj ne Podgorice“Brenda titullit të kësaj ekspozite prezantohet një koktej punësh, apo cikle të cilat janë realizuar prej pas luftës e deri më sot. Kuratorja ka bërë përzgjedhjen e disa punëve mjaftë provokative, për nga motivi dhe mënyra e realizimit”, ka thënë Zake Prelvukaj për KultPlus

Artistja shqiptare, Zake Prelvukaj do të prezantohet më 13 maj në Galerinë Konteporale të Arteve në Podgoricë, me ekspozitën e saj “Tranzicioni”, me kuratore, Biljana Kekovic.

Prelvukaj ka thënë për KultPlus se kjo ekspozitë prezantohet me ftesë të Galerisë, dhe, sipas saj është mjaftë e kënaqur të jetë pjesë e këtij programi. “Është një galeri mjaftë prestigjioze ku prezantohen artistët e dëshmuar vendor dhe ndërkombëtar”, ka thënë Prelvukaj, e cila ndjehet më e realizuar dhe e çmuar, pasi që është ftuar nga organizatori, duke u futur puna e saj në planprogramin dhe katalogët vjetor të shtetit.

“Brenda titullit të kësaj ekspozite prezantohet një koktej punësh, apo cikle të cilat janë realizuar prej pas luftës e deri më sot. Prezantohem me disa shprehje artistike ose mediume, video, fotografi, pikturë e vizatime. Kuratorja ka bërë përzgjedhjen e disa punëve mjaftë provokative, për nga motivi dhe mënyra e realizimit”, ka thënë Prelvukaj.

Ndërkohë, rreth kësaj ekspozite tashmë është prezantuar edhe kritika nga Anastazija Miranovic, e cila është historiane e artit dhe kuratore për Bienalen e Venedikut, për Mal të Zi, e cila punën e Prelvukaj e ka vlerësuar të jetë me ndikim.

Për këtë ekspozitë tashmë kanë shkruar edhe mediet e Malit të Zi./KultPlus.com