“Art Club” boton romanin për fëmijë “Ufo në Barbanë” të autorit Asllan Bisha

May 14, 2015   | Kulturë / Kultura

UFO ne BARBANË-Asllan-BishaShoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë romanin për fëmijë “Ufo në Barbanë” të shkrimtarit Asllan Bisha.

Romani është vazhdim i tregimit të gjatë “Miku im Ufo”, të botuar më herët. Edhe në këtë roman, autori i qëndron besnik vendlindjes së tij, brigjeve të lumit Buna, ku zhvillohet ngjarja e romanit. Romani iu dedikohet nxënësve nga klasa e tretë e shkollës fillore deri në vitin e parë të shkollës së mesme.

Kryeredaktor i librit është Basri Çapriqi, recensent Haxhi Shabani, redaktor letrar dhe lektor Skender Temali, kurse ballinën e ka punuar nxënësi Nermin Molokraja.

Libri është shtypur në shtypshkronjën “Fiorentia” në Shkodër dhe botimin e tij e ka mbështetur Ministria e Kulturës e Malit të Zi.

Asllan Bisha ka botuar deri tani disa romane, përmbledhje me tregime dhe novela për fëmijë dhe të rritur. Ky është libri i tij i tretë për fëmijë. Bisha është autori që ka botuar më së shumti libra me firmën e Shoqatës “Art Club”. Ka qenë gazetar, korrespondent i gazetës “Rilindja” të Prishtinës, Radio Titogradit, por edhe i RTV të Kosovës në harkun kohor 2000-2008. Ishte kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

Ulqin, më 14. 05. 2015                                                                         SHAI “Art Club”