Duart e arta të Iliriana Gjonit

May 20, 2015   | Kulturë / Kultura

ILIRIANA-GJONIGjekë Gjonaj

Këtu e rreth njëzet vjet më parë, derisa po shkoja për të intervistuar në shtëpi mr. Met Gjonin, në cilësinë e funksionarit të lartë të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, u njoha me vajzën e tij Ilirianën, në atë kohë fëmijë. Që atëherë, nga prindërit e saj Meti e Shefika mësova se Iliriana e don shumë pianon dhe se krahas shkollës fillore ndjek edhe Shkollën e Ulët të Muzikës në Ulqin.

 

Hapat e parë

Ishte vetëm nëntë vjeçe kur Ilirana e vogël nisi të hidhte hapat e parë të rrugëtimit të saj të gjatë, por të suksesshëm, mbi tastierën e pianos. Me talent të lindur, në një familje që e donte artin por që nuk e kishte traditë këtë lloj arti. Ilirana do të linte pas shumë ëndrra e lojëra të fëmijërisë duke zgjedhur pikërisht pianon si sfidën më të madhe për të ardhmen e saj. Prindërit i ndenjën shumë pranë kësaj zgjedhjeje, kurse mësuesit e muzikës e ndihmuan shumë. Dhe kështu pianistja e re shqiptare, vit pas viti u ngjit shkallëve të suksesit.

Pas mbarimit të shkollës fillore, ajo vazhdoi të studiojë edhe më tej pianon në Shkollën e Mesme të Muzikës “Vasa Paviq” në Podgoricë, për të vijuar më pas në vitin 2005 Akademinë e Arteve në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Katër vite më vonë diplomoi për piano në klasën e prof. Nora Çashku në qershor të vitit 2009 me notën 10.

 

Kthesa e jetës apo karriera jashtë vendit

Ashtu si shumë talentë të tjerë, edhe Iliriana nuk u kthye të punojë e të jetojë në qytetin e lindjes në Ulqin, por karrierën e vazhdoi jashtë vendit. Ajo së pari zgjodhi Italinë si vendin e ri të së ardhmes. Iliriana, tashmë me përvojën e fituar nga pedagoget e saj të njohura në Tiranë, e pati më të lehtë të ngjitej shkallëve të suksesit, edhe pse konkurrenca ishte e madhe.

Ajo frekuentoi masterklasë me pedagogen e shquar italiane Lucia Passaglia. Si fituese e një burse studimi, të dhënë nga Qeveria, u transferua në Itali, ku studioi në Konservatorin e Pescaras, në klasën e Silvio Felikanit.

Në semestrin dimëror të vitit akademik 2010/2011 pranohet në klasën e Prof. Michael Uhde dhe Markus Stange në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe në Gjermani, si fituese e një burse shkëmbimi, Erasmus. E mahnitur me shkollën e disiplinpën gjermane, ajo vendosi të vazhdojë studimet pranë këtij universitetit, gjë që pati si pasojë kalimin me sukses të një provimi pranues në shkurt të vitit 2011. Në korrik të vitit 2012 diplomohet me notën më të lartë dhe i jepet grada “ Master of Music-Piano”. Në prill të po atij viti pranohet në drejtimin Master – Muzikë dhome.Poashtu me notën më të lartë dhe titullin “ Master of Music-Chamber Music” përfundoi studimet në këtë degë në shtator të vitit 2014. Për studimet e saj në Gjermani ajo përfitoi një burse të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Malit të Zi.

Iliriana Gjoni në Itali dhe Gjermani ka treguar dhe po dëshmon nivelin e vet artistik në fushën e interpretimit. Ajo ka ndërthurur përvojën e shkollës shqiptare me atë italiane e gjermane.

Italianët dhe gjermanët e vlerësuan shumë punën e saj, veçmas individualitetin, dukjen, mënyrën e të performuarit dhe origjinalitetin e saj. Dhe ky vlerësim e bën atë të lumtur dhe krenare, edhe pse nuk e kishte planifikuar këtë kthesë të jetës.

 

Vlerësime kombëtare e ndërkombëtare

 

Iliriana Gjoni në perceptimin tim ishte një talente e cila, sikurse u pa më vonë, u bë një pianiste e shkëlqyer dhe krenari e krenarisë sonë. Dhe, koha e saj erdhi, kurse duart e saj të arta tashmë kanë edhe “zë” artistik, duke shkëlqyer në çdo manifestim artistik, pianistik. Ajo luan me një teknikë perfekte dhe plot ndjeshmëri e ekspresivitet, përdor me inteligjencë pedalin dhe diferencon me rafinesë tonet. Publiku rrëmbehet në një atmosferë emocionuese dhe çliruese.

Derisa po e dëgjonim artisten Gjoni në një koncert recital me pjesë nga Bach-u, Beethoven-i dhe Chopin-i, në mjediset e Shkollës së Ulët të Muzikës në Ulqin, më 27 dhjetor 2014, na dukej se ajo po zotëronte një “orkestër” të tërë dhe që të gjithë të pranishmit po i ngriste në këmbë për t’i dhuruar duartrokitjet e merituara. Duart e saj të kristalta nxirrnin nga magjia e pianos tinguj magjepsës dhe shumë mbresëlënës.

Për të gjithë veprimtarinë e saj të suksesshme, Iliriana është nderuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Pothuajse në çdo garë, ajo nuk është ndarë pa çmim. Është koleksionuese e mbi 20 çmimeve, ndër të cilët katër Lira të Arta në Garat Kombëtare të Malit të Zi, tri vende të para në konkursin mbarkombëtar shqiptar EPTA, Çmimi i Parë absolut në garat evropiane të mbajtura në Itali dhe së fundi, Çmimi i Parë në konkursin ndërkombëtar “Guardiagrele”.

Ka luajtur në koncerte në të gjitha selitë e konkurseve ku ka qenë fituese, si dhe në festivale të rëndësishme të Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë e Italisë. Dhe të gjitha këto arritje, Iliriana iu dedikon prindërve të saj që e kanë ndihmuar shumë për t’ia lehtësuar gjithë këtë rrugë jo të lehtë.

 

Përmirësimi i imazhit kulturor të Ulqinit

 

Ulqini ka nevojë për një imazh kulturor jashtë Malit të Zi. Iliriana Gjoni duke bërë më të mirën e mundshme në fushën e saj, gjithsesi po ndikon në përmirësimin e këtij imazhi. E këtë mision po e kryen jo vetëm në aspektin profesional, por edhe me mirësjellje. Ajo po mundohet që përmes muzikës të krijojë edhe ura lidhëse në mes qyteteve italiane dhe atyre shqiptare. Ajo me dinjitet, përmes muzikës, po përfaqëson kombin në aspektin artistik. Këtë punë e ka bërë që në ditët e para në Itali, ku ka punuar shumë, me durim të madh dhe pa kompromis.

 

Kënaqësia që sjell arti e bën të lumtur

 

Jeta ose përditshmëria e artistit nuk është gjithaq e shtruar me lule. Përkundrazi, është e vështirë në shumë aspekte. Artistët janë si dallëndyshet. Vazhdimisht janë në lëvizje. Kjo atyre shpesh u shkakton lodhje artistike, por dashuria për artin bën që lodhja të ketë shijen e ëmbël dhe ajo t’i takojë së shkuarës.

Iliriana nuk ndien lodhje dhe gëzohet kur puna e saj kurorëzohet me sukses. Secili publik i falë asaj një tjetër emocion, një energji shtesë, një përvojë më shumë, një motivim të ri, një përgjegjësi më të madhe.

Kënaqësia që sjell arti – muzika, e bën atë të lumtur dhe nuk e “trazon” asnjëherë. Ajo paraqitjen në skenë e bën me përqendrim të jashtëzakonshëm dhe me përkushtim, pa pyetur për çmim. Ndaj publikut gjithmonë është e përgjegjshme dhe ka arritur ta ruaj qetësinë e saj shpirtërore dhe modestinë njerëzore.